Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë arkitektë me famë botërore, duke u kthyer në një hapësirë referimi për zhvillimin urban dhe arkitekturën bashkëkohore.
Në fjalën e mbajtur në festivalin “Bread & Heart”, që zhvillohet për të dytin vit radhazi në Tiranë, Rama vlerësoi pjesëmarrjen e arkitektëve nga Europa, Azia, Amerika e Veriut dhe Amerika Latine, të cilët po kontribuojnë në projektet transformuese të vendit.
“Ajo që më duket e jashtëzakonshme sot, edhe më shumë sesa vitin e kaluar, nuk është fakti që kemi një numër më të madh arkitektësh profesionistë që vijnë në këtë festival. Por ka të bëjë me faktin që këtu nuk kemi vetëm disa arkitektë të mëdhenj, i kemi edhe ata, por arkitektë që vijnë nga të gjitha anët, nga Europa në Kinë, nga SHBA-ja në Amerikën Latine”, u shpreh Rama.
Kryeministri e cilësoi nder të veçantë praninë në festival të arkitektit të njohur botëror Santiago Calatrava, duke theksuar se dikur e konsideronte të pamundur praninë e tij në Shqipëri.
“Është nder i madh për mua që kam sot këtu dikë që edhe në ëndrrat e mia më të çmendura nuk mendoja se do ta shihja të vinte në Shqipëri”, tha Rama.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e zhvilluesve dhe investitorëve në afrimin e emrave më të rëndësishëm të arkitekturës ndërkombëtare në vend, duke nënvizuar rëndësinë e harmonizimit të zhvillimit urban me natyrën dhe hapësirat publike.
Rama ndau edhe një episod personal, duke treguar se kishte marrë një mesazh vlerësues nga një lider i një vendi të pasur jashtë Europës, pasi i kishte dërguar pamje nga festivali dhe projektet arkitekturore në Shqipëri.
“Sapo pa pamjet nga festivali dhe projektet, ai më shkroi: ‘Uau, Shqipëria. Duhet të ulemi një ditë dhe të më tregosh si e bën gjithë këtë pa para’”, tregoi Rama.
Festivali “Bread & Heart” mbledh në Tiranë arkitektë, urbanistë dhe zhvillues nga vende të ndryshme të botës për të diskutuar mbi sfidat e zhvillimit urban, arkitekturës moderne dhe transformimit të qyteteve.
Lajmi në përditësim....
Komente









