Rama pas samitit në Bruksel: Çështjen me Greqinë duhet ta zgjidhim mes nesh! Inceneratori i Tiranës? Nuk jam llogaritar, jam kryeministër

Tirane- Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që u mbajt dje në Bruksel, marrëdhëniet e ftohta me Greqinë, hetimi i nisur nga SPAK për koncesionin e inceneratorit të Tiranës por dhe pezullimi i marrëveshjes me Italinë për emigrantët; - këto ishin temat kryesore që u prekën sot në konferencë për medien nga kryeministri Edi Rama.

Një nga pikat e deklaratës së përbashkët të miratuar dje në Bruksel ishte dhe gjetja e zgjidhjeve për atë që vetë Rama e etiketoi si 'dallime aktuale' Shqipëri - Greqi. Rama tha se në Bruksel kishte bërë të qartë se mosmarrëveshjet me Greqinë pas çështjes së Fredi Belerit do e zgjidhin mes tyre dhe se është e paarsyeshme të ndikojnë procesin e integrimit të një vendi në negociata.

"Dallimi aktual mes nesh e Greqisë kam nënvizuar se kjo është çështje mes nesh dhe duhet ta trajtojmë mes nesh. Si Shqipëri ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave as me përmbajtjen e marrëdhënieve tona me Greqinë që është partner strategjik dhe vend fqinj që duam të thellojmë bashkëpunimin dhe forcojmë miqësinë duke bërë gjithçka na takon ne. Ne duam të jemi një vend europian në BE, jo një shtet ballkanik në BE" tha Rama. 

Një koment e dha dhe për takimin e ftohtë në Bruksel me kryeministrin grek.

"Me kryeministrin Mitsotakis s’kemi asnjë gjë personale dhe përkundrazi edhe biseda e djeshme ka qenë shumë bisedë miqësore. Secili ka opinion e vetë, por kjo nuk është një arsye për të kaluar nga kufijtë e një problemi që duhet trajtuar, tek gjithë horizonti i një marrëdhënieje dhe për të hedhur në erë të gjithë marrëdhënien" 

Sa i takon hetimit të nisur lidhur me inceneratorin e Tiranës, Rama hoqi përgjegjësinë dhe rezervoi të drejtën të flasë pasi gjykatat të kenë dhënë verdiktin final.

"Unë nuk jam llogaritar, por jam kryeministër i Shqipërisë. SPAK është organi i akuzës, gjykata është organi që vendos, dhe midis akuzës dhe vendimit ka një proces të tërë, që nuk është proces ku përfshihet qeveria, por prokurorët të akuzuarit avokatët gjykatësit. S'është pyetje për mua... Kam parë çudira që janë për të qeshur dhe për të qarë me këto kalkulatricet folklorike.  Ju më bëni pyetje që nuk janë fare në sferën e kompetencës time dhe e përsëris, unë nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në këto kalkulimet e natyrës mediatike, në kalkulimet e natyrës politike, në kalkulimet e natyrës jo aritmetike që vijnë për arsye të ndryshme. Është e drejta e të gjithëve të bëjnë kalkulime.

Nuk ndodh në qeverinë time qysh prej 10 vjetësh që unë të imponoj futjen e çfarëdo vendimi që vjen i pasheshuar nga gjithë mekanizmat e diskutimit dhe të negocimit, ballafaqimit dhe ridiskutimit mes të gjitha palëve që do të thotë, në fund fare firma është thjesht dhe vetëm zbardhja e një vendimi që merret si rezultat i gjithë këtij procesi.

U tregua i matur dhe nuk komentoi as vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes me Italinë për emigrantët

"Është e drejta e Gjykatës Kushtetuese është e sanksionuar në Kushtetutë. Fakti që Shqipëria ka një Gjykatë Kushteutese që merr vendime që mund të mos i shkojnë përshtat planit që ka qeveria është shumë mirë për Shqipërinë" tha Rama.

Sa i takon integrimit të Shqipërisë, Rama ndau me gazetarët vlerësimin 'shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë posaçërisht nga ana e Komisionit Europian;' dhe u shpreh i vendosur se do të vijojë të kryejë detyrat e shtëpisë që Shqipëria të jetë gati para PO-së së Brukselit. Dhe inteligjenca artificiale do të vijë në ndihmë për të përshpejtuar procesin e përafrimit të legjislacionit shumë më shpejt sesa e ka bërë Kroacia.

'Kam informuar, me shumë krenari për hir të vërtetës, Samitin për modelin tonë të ri revolucionar, inovativ të Inteligjencës Artificiale me të cilin ne do të bëjmë ndërvendosjen e 3484 masave të organizmit ligjor të BE-së në legjislacionin tonë, të paktën duke qenë gati pastaj kjo do të jetë edhe pjesë e strategjisë sonë të procesit, por duke qenë gati me të gjithë malin e dokumentacionit, 5 vjet më shpejt sesa Kroacia, e cila mbahet mend nga të gjithë për një performancë shumë serioze dhe eficiente në këtë proces...

Modeli i parë ku procesit të ndërvendosjes së trupit ligjor të BE-së, acqui siç quhet ndryshe, në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë e ka kaluar me sukses testin dhe tani jemi në procesin e kolaudimit dhe do të fillojmë zbatimin me një shpejtësi që falë Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë digjitale është eksponencialisht më e lartë sesa rruga tradicionale. ...  Ne do të jemi gati për BE shumë më shpejt sesa BE të jetë gati për ne.

Në Bruksel ngriti zërin me presidenten e Kosovës për të hequr sanskionet e vendosura nga KiE.

"Kam bërë thirrje në këtë rast së bashku me presidenten e Kosovës që KiE të heqë menjëherë të gjitha masat shtrënguese apo sanksionet që iu imponuan Kosovës për arsye të njohura dhe të kuptueshme në atë kohë dhe ti japë Kosovës mbrapsht një vlerësim pozitiv për ndryshimin pozitiv të kursit të Kosovës në qasjen ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE"

Kryeministri Rama tha se ka kërkuar në Bruksel më shumë fonde për Shqipërinë dhe vendet e Rajonit

"Kam vlerësuar planin e ri të rritjes siç quhet, që është prezantuar nga i cili Shqipëria do të ketë një përfitim të rëndësishëm si mbështetje e drejtpërdrejtë financiare dhe si mbështetje në anën tjetër për sektorin e ekonomisë dhe kam kërkuar më shumë sepse eshtë shumë e qartë që kaq nuk mjafton. Vendet e rajonit tonë nuk mund të rrinë midis gjithçkasë së një vendi anëtar dhe kësaj diçkaje shumë modeste të një vendi jo anëtar, por duhet të ndihmohen shumë më tepër, duhet të mbështeten shumë më tepër"

Në konferencë krah kryeministrit ishte dhe ministri i Financave Ervin Mete i cili bëri të ditur rishikimin e buxhetit të vitit 2023. Rreth 285 mijë qytetarë të shtresave në nevojë do të marrin shpërblim për fund-vit në masën 5 mijë lekë.

Ndiqni lajmet në zhvillim

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:21
Inceneratori i Tiranës, Rama: Flas kur të ketë vendim nga tre shkallët e gjyqësorit

 

Kryeministri Edi Rama në konferencën për gazetarët nuk pranoi të japë një koment mbi hetimet për inceneratorin e Tiranës. Rama tha se do të flasë pasi të ketë një vendim nga tre shkallët e gjyqësorit.

Nuk marr njoftime individuale, janë pjesë e një procesi dhe mekanizmi vendimmarrje, firma ime vendoset kur mek ka përfunduar punën dhe çështja x, y shtrohet në mbledhjen e qeverisë dhe pasi merr miratimin e gjithë ministrave. Në qeverinë time nuk merren miratime nëse çdo gjë nuk sheshohet më para. Nuk ndodh në qeverinë time që unë të imponoj futjen e ca do veprimi që ven i pasheshuar nga gjithë mekanizmat e diskutimit dhe negocimit mes të gjitha palëve, që do të thotë, firma në fund është thjesht zbardhja e një vendimi. Është proces institucional, nuk është muhabet.

Ora 13:18
Marrëdhëniet me Mitsotakis, Rama: Nuk kemi asgjë personale! Edhe biseda me të ishte miqësore

 

Kryeministri Edi Rama tha se marrëdhënie me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis është miqësore.

‘Marrëdhënie miqësore shumë e hapur respekti dhe unë për veten time falë dhe gjithë eksperiencës, por edhe eksperiencës me BE liderët e tjerë në kushte nga më të ndryshmet e kam mësuar që ka një rrugë për t’i trajtuar mosmarrëveshjet, që është rruga që ne njohim, me çjerrje me sharje me inate me mllefe, dhe ka një rrugë tjetër, për ti trajtuar me të gjithë elegancën e sjelljes njerëzore, sa më elegante të tjerë mënyra e trajtimit të mosmarrëveshjeve mes njerëzve që kanë më shumë të përbashkëta, aq më larg jemi nga zoologjia, sa më shumë I kthehem mosmarrëveshjet në arsye për tu kacafytur aq më pranë zoologjisë shkojmë. Një nga dhuratat e mëdha për mua të gjithë kësaj historie politike është që më ka ndihmuar ti largohem zoologjisë.’- tha Rama.

Ora 13:10
Inceneratori i Tiranës, Rama: Unë jam kryeministri i Shqipërisë nuk jam llogaritar

Rama reagoi lidhur me inceneratorët dhe dosjen që po heton SPAK.

Unë nuk jam llogaritar, por jam kryeministër i Shqipërisë. SPAK është organi i akuzës, gjykata është organi që vendos, dhe midis akuzës dhe vendimit ka një proces të tërë, që nuk është proces ku përfshihet qeveria, por prokurorët të akuzuarit avokatët gjykatësit.

Unë edhe pa SPAK-un fare jam i prirur që lojërat me shifra ti shoh me shumë skepticizëm. Ndërkohë që në këtë rast nuk është pyetje për mua, është çështje e një procesi që duhet të bëjë rrugën e vet dhe në fund ka një gjykatë që vendos në të treja shkallët e saj, dhe vetëm në fund mund të bëjmë diskutime të natyrës teorike se çfarë ndodhi e si ndodhi në aspektin e shifrave. Nuk dua të bëj koment se kam parë çudira që janë për të qeshur dhe për të qarë me këto kalkulatricet folklorike.

Ora 12:52
Gjykata Kushtetuese pezulloi marrëveshjen me Italinë për emigrantët, reagimi i parë i Ramës

Kryeministri Edi Rama nuk komenton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar miratimin në kuvend të marrëveshjes me Italinë për emigrantët.

Është e drejta e Gjykatës Kushtetuese është e sanksionuar në Kushtetutë. Detyra automatike e Gjykatës kushtetuese për të qëmtuar një marrëveshje ndërkombëtare përpara ratifikimit të saj. Nuk kam asgjë për të komentuar, se nuk shoh asgjë që të lidhet me detyrat e mia” tha Rama.

Më tej Rama vijoi:

"Fakti që Shqipëria ka një Gjykatë Kushteutese që merr vendime që mund të mos i shkojnë përshtat planit që ka qeveria është shumë mirë për Shqipërinë"

Ora 12:51
Rama: Koha që Serbia të përballet me vetveten! Krah Osmanit: KiE të heqë menjëherë sanksionet Kosovës

Kryeministri Edi Rama zbulon dhe çfarë deklaroi në Bruksel për Kosovën, Serbinë dhe çfarë i kërkoi Këshillit të Europës së bashku  me presidenten e Kosovës.

Është koha që Serbia të përballet me vetveten dhe të vendosë të gjithë gurët tek e ardhmja europiane dhe ti përgjigjet në mënyrë konstruktive ndryshimit pozitiv të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Po ashtu jam drejtuar edhe përfaqësueses së lartë të republikës së Kosovës në tryezë, dhe kryeministrit të Kosovës në mungesë dhe presidentit të Serbisë në mungesë me të njëjtën gjuhë troç, që Kosova nuk ka asnjë arsye mbi të gjitha ka vetëm humbje nëse humbet interesin e miqve dhe aleatëve të saj të mëdhenj në atë tryezë duke u sjellë siç është sjellë për një kohë të caktuar, çka është humbje jo vetëm për Kosovën por dhe rajonin që e ka të nevojshme si dritën, ajrin, ujin për jetën që të dalë përfundimisht nga zona e dhimbshme dhe degraduese e historisë.

Tani është koha që Kosova të vijojë më tutje e të ndërtojë qasjen me themelin e ri që ka vënë me hapin pozitiv duke pranuar, pas një kohe të gjatë por nuk ka më rëndësi kjo, krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kështu i hap rrugë restaurimit të besimit të dëmtuar të miqve dhe aleatëve por dhe përfitimeve që vijnë nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë për të ardhmen e Kosovës.

Kam bërë thirrje në këtë rast së bashku me presidenten e Kosovës që KiE të heqë menjëherë të gjitha masat shtrënguese apo sanksionet që iu imponuan Kosovës për arsye të njohura dhe të kuptueshme në atë kohë dhe ti japë Kosovës mbrapsht një vlerësim pozitiv për ndryshimin pozitiv të kursit të Kosovës në qasjen ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

Ora 12:42
Arrestimi 'Belerit', Rama: Çështjet bilaterale të ndahen, s’duhet të bëhen pengesë për integrimin

Kryeministri Edi Rama në një konferencë për gazetarët tha se duhet të ndahen çështjet bilatarele me ato të unionit, duke ju referuar kërcënimeve të Greqisë për procesin e integrimit në lidhje me arrestimin e Fredi Beleri. Kryeministri Rama tha se çështjet bilatarale ndërmjet dy vendeve nuk duhet të bëhen pengesë për integrimin.

'Më tej kam prekur sigurisht çështjen e marrëdhënies strategjike të Shqipërisë me BE-në, si një marrëdhënie që bazohet tek një religjion i përbashkët që është Evropa, i të gjithë shqiptarëve, si një amanet i vjetër i atyre që na lanë porosi që të mos harrojmë asnjëherë se për ne dielli lind andej nga perëndon, si një mision dhe si një borxh historik ndaj gjeneratave të tjera dhe patjetër edhe si një fuqi e shtuar për të punuar dhe për të përballur me durim çdo vështirësi e për të kapërcye çdo pengesë të çfarëdo natyre.

Sigurisht që është trajtuar nga ana ime edhe çështja e vështirësisë që prej vitesh në fakt, krijojnë eksportime e mosmarrëveshjeve bilaterale mes një vendi dhe një tjetri në tryezën e BE-së, për hir të së vërtetës ka një sensibilizim shumë të lartë, sidomos nga shtetet më me eksperiencë, më me jetëgjatësi në familjen e bashkuar evropiane, lidhur me pikërisht faktin se si çështjet bilaterale të eksportuara nga një vend anëtar në tryezën e Këshillit Evropian krijojnë pengesa të paarsyeshme sepse çështjet bilaterale janë çështje që duhet të zgjidhen midis dy vendeve dhe aq më tepër është e pakuptueshme dhe është e paarsyeshme që në një proces integrimi, ku një vend hyn në negociata që do të thotë, hyn në një fazë përfundimtare të shtetbërjes evropiane, duke përfituar përditë nga transferimi i dijes nga BE, të pengohet, të vonohet sepse ka një çështje bilaterale.

Mbase do të ishte më e kuptueshme, mbase,  që kur vjen momenti që vendi  i ka përfunduar të gjitha dhe është vetëm vota për t’u anëtarësuar, atëherë cilido mund të thotë që “jo, unë s’jam dakord’’ por kjo pengesë është në një farë mënyrë e paarsyeshme. Jo vetëm e paarsyeshme, por edhe jo evropiane në frymë dhe natyrisht rastet dhe historitë kanë qenë jo një e dy, por më shumë se sa një e dy, dhe nuk është rastësi, dhe këtë e kam thënë që të gjitha ato raste vijnë nga zona e Ballkanit.

Dhe nëse nuk do të gjendet një rrugë për të ndarë njëherë ë mire çështjet bilaterale nga procesi i negociatave, Ballkani dhe vendet që janë të përfshira nëpër këtë proces në rajonin tonë, mund ta parashikojmë pa vështirësi se sa probleme  të tjera mund të nxjerrin rrugës mes njëra-tjetrës, aq më tepër kur bëhet fjalë për çështje të natyrës historike, për çështje të natyrës krejtësisht politike dhe jo për çështje që prekin ndonjë aspekt që lidhet me vlerat dhe parimet e BE.

Ndërsa në raport me çështjen e dallimit aktual mes nesh edhe Greqisë, unë nuk jam zgjatur, por kam nënvizuar se kjo është një çështje mes nesh, që ne duhet ta trajtojmë mes nesh dhe që në të gjitha rastet është një çështje që përsa në takon si Shqipëri, ne nuk e shohim të lidhur as me procesin e negociatave, por as me përmbajtjen e marrëdhënies tonë me Greqinë, e cila është një partner strategjik i Shqipërisë, e cila është një vend fqinj me të cilin ne duam t’i thellojmë marrëdhëniet e fqinjësisë, të thellojmë bashkëpunim dhe patjetër të forcojmë miqësinë, duke bërë gjithçka që na takon ne dhe ne duam të jemi një vend evropian në Ballkan, jo një shtet ballkanik në BE.

Shqipëria duhet, mund dhe me punën tonë të përbashkët do të bëhet Evropa e Ballkanit. I ka të gjitha ato që i duhen për t’u bërë Evropa e Ballkanit dhe transformimi i brendshëm i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Ndryshimi i Shqipërisë nga një vend i prapambetur, vend i një rrumpalle ballkanike, në një vend që funksionon si një shtet anëtar i BE-së, është po aq i rëndësishëm dhe mbase më i rëndësishëm se sa vetë anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

Për këtë arsye këto janë të lidhura pazgjidhshmërisht bashkë dhe për këtë arsye pozicioni ynë është ky. Ka pasur një keqkuptim që është i mrëkuptueshëm sepse lidhet me natyrën teknike të funksionimit të procesit. Këshilli Evropian nuk merr vendim lidhur me këtë, Këshilli Evropian ngarkon konferencën apo mbledhjen e ambasadorëve të vendeve anëtare që në ditët e ardhshme të procedojnë nga pikëpamja formale, teknike, lidhur me të gjitha vendet, lidhur në raportin e progresit, bazuar në edhe në indikacionet patjetër të Këshillit Evropian dhe të çdo  vendi që përfaqësohet nga ambasadorët e vet.

Pra unë mbetem optimist që ky ngërç për të cilin nuk dua të zgjatem se kam folur shumë do të kapërcehet, por mbetem po i të njëjtës bindje se kapërcehet apo s’kapërcehet ky ngërç, Shqipëria praktikisht nuk vonohet asnjë ditë, jo muaj e vite sepse ndërkohë ne do të vazhdojmë dhe do të bëjmë detyrat tona dhe për më tepër kemi tani në dorë një instrument të jashtëzakonshëm, modelin tonë inovativ të inteligjencës artificiale, të cilin ia kam shpërndarë të gjithë miqve të familjes europiane, bashkë me një urim nga Shqipëria dhe nga shqiptarët. Dhe ne do të jemi gati për BE shumë më shpejt sesa BE të jetë gati për ne.'- tha Rama.

Ora 12:26
'Më shpejt në BE, falë Inteligjencës Artificiale', Rama: Me këtë model, ia dalim 5 vite më herët se Kroacia

Një ditë pas samitit në Bruksel, kryeministri Edi Rama në një konferencë për shtyp me gazetarët tha se ka marrë një vlerësim pozitiv për progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. 

Rama tha se procesi i negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të bëhet shumë më shpejt, falë Inteligjencës Artificiale.

'E para, Samiti i djeshëm vjetor i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor dhe e dyta, akti normativ që sapo kemi kaluar në qeveri. Po e nis unë me të parën pastaj ministri do t’iu informojë ju dhe përmes jush publikun e gjerë për përmbajtjen dhe qasjen e aktit normativ.

Dje ishte një Samit ku u diskutua perspektiva e vendeve tona në rrugën e integrimit europian.

U vu në pah progresi i bërë, u fol për procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, për nevojën e linjëzimit të plotë të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian në aspektin e politikës së jashtme dhe më vjen shumë mirë të ndaj sot me ju faktin se vendet anëtare kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë dhe posaçërisht nga ana e Komisionit Europian vlerësohet me nota shumë pozitive performanca e skuadrës sonë kombëtare të negociatave në fazën e parë, tanimë të përmbushur, të skanimit të krejt organizmit shtetëror të Shqipërisë, si dhe të tregjeve tona.

Këto ditë do organizoj edhe një takim falënderimi dhe motivimi për më tej të anëtarëve të kësaj skuadre, e cila në totalin e vet, po të marrim negociatorët, të marrim prezantuesit dhe kontribuuesit, është rreth njëmijë vetë, ku përfshihen, jo vetëm institucionet e ekzekutivit, por edhe institucionet e pavarura, një skuadër, e cila ka bërë 777 prezantime në Bruksel gjatë 14 muajve nga çelja e procesit të negociatave të anëtarësimit dhe përfitoj nga rasti tua përcjell që sot edhe njëherë falënderimin dhe mirënjohjen për organizimin, për përkushtimin, për profesionalizmin dhe për disiplinën e të 36 ekipeve përbërëse të kësaj skuadre  të cilët siç e thashë, kanë lënë një mbresë të shkëlqyer. Këtë gjë e kam dëgjuar disa herë, por sidomos dje nga përfaqësuesit e Bashkimit Europian në këtë proces, në mënyrë të veçantë.

Më pas, në fjalën e mbajtur dje në emër të Shqipërisë, kam falenderuar me gjithë zemër presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, presidentet e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, Komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe patjetër edhe ekipin e gjithë Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë në Bruksel dhe nuk ka qenë një falenderim thjesht formal, por një falenderim i sinqertë dhe shumë i ndjerë për gjithë emrat që përmenda më lart, lidhur me një punë të përbashkët thuajse 5 vjeçare dhe përpara faktit që ky ishte Samiti i fundit i BE-së me Ballkanin Perëndimor nën lidershipin aktual të Këshillit dhe të Komisionit sepse siç e dini, qershorin e ardhshëm, zgjedhjet e reja europiane do të prodhojnë një lidership të ri, Parlament të ri Europian, Komision të ri dhe drejtim të ri të këtyre strukturave.

Ne jemi sinqerisht mirënjohës sepse e vërteta është që si kurrë më parë, Ballkani |Perëndimor është dëgjuar, kemi fituar një respekt që nuk e kemi pasur kurrë dhe është bërë pjesë e pandarë e punës së lidershipit të Brukselit. Nuk e kam bërë kalkulimin aritmetik, por ma ha mendja se ndoshta të dy presidentët aktualë, Charles Michel dhe Ursula Von der Leyen e kanë vizituar Shqipërinë, por edhe rajonin më shumë se të gjithë paraardhësit e tyre të marrë së bashku.

Më tutje, kam informuar, me shumë krenari për hir të vërtetës, Samitin për modelin tonë të ri revolucionar, inovativ të Inteligjencës Artificiale me të cilin ne do të bëjmë ndërvendosjen e 3484 masave të organizmit ligjor të BE-së në legjislacionin tonë, të paktën duke qenë gati pastaj kjo do të jetë edhe pjesë e strategjisë sonë të procesit, por duke qenë gati me të gjithë malin e dokumentacionit, 5 vjet më shpejt sesa Kroacia, e cila mbahet mend nga të gjithë për një performancë shumë serioze dhe eficiente në këtë proces që Kroacisë, - flas për këtë proces teknik, - i mori 7vjet. I mori 7 vjet siç do të na merrte dhe ne, mbase edhe më shumë sesa 7 vjet, siç ua ka marrë vendeve të tjera, siç mund t’u marrë edhe vendeve në rajon në rast se do të ndiqnim dhe do të ndjekim rrugën tradicionale, manuale me ngritjen e një armate përkthyesish, juristësh, asistentësh ligjorë thjesht dhe vetëm për të siguruar përkthimin dhe redaktimin, korrektimin jo thjesht gjuhësor por edhe në gjuhën ligjore të dhjetëra e mijëra faqeve masa ligjore që duhet të adoptojë një vend për t’u bërë gati nga pikëpamja teknike për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Sigurisht që kam informuar dhe për modelin tjetër që nuk është dhe nuk ka sesi të jetë gati, por synimi ynë është që të jetë gati brenda këtij mandati për një minimizim të paprecedentë të pjesëmarrjes së njeriut në proceset e Prokurimeve Publike, duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Modeli i parë ku procesit të ndërvendosjes së trupit ligjor të BE-së, acqui siç quhet ndryshe, në trupin ligjor të Republikës së Shqipërisë e ka kaluar me sukses testin dhe tani jemi në procesin e kolaudimit dhe do të fillojmë zbatimin me një shpejtësi që falë Inteligjencës Artificiale dhe teknologjisë digjitale është eksponencialisht më e lartë sesa rruga tradicionale.'- tha Rama.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lui: 15/12/2023 11:48

    Për të gjithë ata që thonë që duhet të jetë llogaritar unë mendoj që e keni kuptuar gabim, jashtë kontekstit, (me apo padashje nuk e di). Por ai e ka fjalën nuk është llogaritar që të numëroj paratë, sa bën kjo e sa bën ajo. Janë ekonomistë që bëjnë këtë. Ai do japë llogari para SPAKUT nëse e thërret dhe para elektoratit kur të vijnë zgjedhjet. Sa për Greqinë mendoj që po fillontë lëshojë pe kur thotë që është një çështje midis nesh dhe këtu nuk jam dakord. Z. Kryeministër, as si çështje nuk duhet trajtuar sepse kjo nuk është çështje midis dy shteteve, por midis një individi dhe drejtësisë brenda Republikës së Shqipërisë. Greqia ka masakruar e ka gabitur prona të çamëve në mënyrë të organizuar si shtet dhe nuk pranon që çështja çame egziston. Të paktën një herë të vetme të kërkojmë reciprocitet. Mbase jo pikërisht tani sepse nuk është momenti, por duhet të fillojë reciprociteti herët a vonë.

    Përgjigju
  • Gjergj: 15/12/2023 08:33

    Mos u shqetèso o Tan Qime, o 20 pèrqindsh sepse tè sqarojnè SPAK ty, ca mè vonè kur tè tè vijè radha, se nuk ishe nè atè zyrè pèr tu bèrè ortak dhe mburojè politike pèr çdo hajdut kryetar bashkie apo ministèr tèndin,,deri kèrcisnin prangat pèr ta, ndèrsa ti bèje prap tè paditurin dhe kèndoje atè kèngèn e kafeneve tè fshatit ,,,,atè qè pèrgjegjesia qènkèsh e tè tjerève. Po na vjen, po na vjen,,bota zjen, bota zjen. Vazhdo bèj palloin e kopshtit zoologjik o njish,,,ndiz edhe dritat e gjata tè kollareve, dhe bota èshtè nè rregull,,,,deri tè vijnè tè tè marrin. PPP,KÇK,,,,Investor strategjik,,,,ç,ju sheh syri, ua vjedh dora,,,o njish.!!!

    Përgjigju
  • Or tej: 15/12/2023 06:57

    Nuk je aty si kryem... per te bere sehir por te ti kontrolluar ata ministra qe ke vene aty or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Iris: 15/12/2023 04:17

    Kryeministri eshte pak kryetar familjeje,pak ekonomist,pak intedent,pra duhet te dije se c'behet me parate,sa jane,ku investohen,kush i perdor,pra,nuk mund te lash duart si Pilati,megjithse pritej prej teje dicka e tille kur kujtoj mohimet e se kaluares :/nuk e dija,nuk e besoja,nuk e prisja,me keqkuptuan),tani t'i shtojme dhe /nuk jam llogaritar/! Dhe kur thua qe ne 10 vjet qeverisje,nuk ke imponuar asnje vendim te pa diskutuar,te pa sheshuar...dhe bla,bla,bla te tjera-a nuk ishte marreveshja me Italine nje shembull imponimi?! I pyete gje shqiptaret per te,a e diskutove me ta?-Jo! E gjitha u morr vesh kur shternguat duart me Melonin sikur do t'i presesh ne shtepine tende ne Surrel dhe jo ne Lezhe,prone e popullit shqiptar!

    Përgjigju
  • tani: 14/12/2023 18:21

    o hajdut i qelbur,,po kryeministri eshte roja e pareve tona,,,ti duhet ti ruash..palaco burre..

    Përgjigju
  • Arjani: 14/12/2023 16:33

    Zoti Kryeminister ne qofte se ha presjonet e greqis dhe fute undet ne proces per lirimin e ti maskarai e vrasesi do te jeshe tradhtari i dyte i Shqiperis mbas Esat Toptanit

    Përgjigju
  • Leo: 14/12/2023 16:31

    Mbase e fut dhe ne ASHK kete inteligjencen artificiale, se hunabet nuk kane afate per shqyrtimin e nje dosjeje dhe do vdesim duke pritur dokumentat nga ASHK As aplikimet nepermjet e Albania se pershpejtuan punen, per kundrazi dhe nuk e hoqen korrupsionin...

    Përgjigju
  • Arditi: 14/12/2023 16:13

    Bravo Edvin, nuk je llogaritar se qeveriu eshte bere me aq shume leke e vila e apartamente saqe as ju vete nuk e dini ckeni vjedhur gjithe keto vite.

    Përgjigju
  • Ndergjegja: 14/12/2023 14:10

    Edvin ti perpara se te jesh kryeministri Shqiperise je llogaritar e kryellogaritar i TRIADES MAFIOZE SHqiptare OLSIT-SALEHUT-LIKEBANDITIT

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Trafik kokaine dhe rekrutim i korrierëve me pagë 3 mijë euro në muaj dhe strehim, çmontohet organizata shqiptare, 8 të arrestuar

Itali/ Trafik kokaine dhe rekrutim i korrierëve me pagë 3 mijë euro në muaj dhe strehim, çmontohet organizata shqiptare, 8 të arrestuar