Rama bën bilancin e 2018-ës: Ministrat në provë, me këtë Qeveri fitojmë mandatin e tretë

TIRANE - Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot konferencën e fundvitit me gazetarët ku analizoi mbylljen e 2018-ës ku bëri një bilanc të zhvillimeve politik dhe ekonomike të vitit që po lëmë pas. Shefi i qeverisë e nisi me ekonominë duke deklaruar se shqiptarët jetojnë sot më mirë sesa dje. Ai tha se ekonomia shqiptare sot është më konkurruese në treg duke kapur shifrën e 4.5% rritje në tremujorin e tretë të 2018-ës që po mbyllet. Rama tha se papunësia në vend është ulur nga 18.2% në 12.4% duke prekur kështu uljen më historike të papunësisë. Sipas kreut të qeverisë, varfëria sot është më e ulët se 5 vjet më parë. Rama iu referua edhe ndryshimeve në kabinet duke saktësuar se erdhën nga nevoja për reflektim. Ai shtoi se ministrat e rinj do jenë në provë, ndërsa shtoi se janë garanci për mandatin e tretë qeverisës. Sa i takon protestave të studentëve, Rama tha se ato ndikuan pozitivisht te qeveria dhe ai personalisht, ndërsa shtoi se Pakti i ofruar nga Qeveria është zgjidhja për kërkesat e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:31
Protesta e studentëve, Rama: Nëse do ngriheshin para 2-3 vitesh, s'do e përgjysmonim dot tarifën

Kryeministri Edi Rama i është referuar edhe protestës studentore në konferencën e fundvitit me gazetarët. Rama tha se kërkesat e tyre tashmë janë adresuar me vendim qeverie dhe Pakti për Universitetin është rruga për zgjidhjen dhe realizimin e tyre. Kreu i qeverisë theksoi se nëse studentët do protestonin para 2-3 vitesh, Qeveria nuk do ishte në gjendje të përgjysmonte tarifën e studimeve. "Nëse do protestonin para 2-3 vitesh, nuk do ta bënim dot përgjysmimin e tarifave. Kjo sepse nuk do kishim mundësi financiare. Sot i kemi mundësitë. Sot qeveria do paguajë tarifën, edhe për ata me 4-5, duke iu dhënë mundësinë që të kalojnë mbi 4 dhe 5 pasi përndryshe në vitin e ardhshëm akademik nuk do kenë asnjë qindarkë. Dhe pastaj jo me protesta, por me asgjë nuk do mund ta bëjnë dot. Do t'i jem mirënjohës kësaj proteste sepse më ka hequr barrën e inercisë së tepsisë. Duan të protestojnë? Është punë e tyre. Por nga ana tjetër ne do t'i qëndrojmë të gjitha atyre gjërave që kemi detyrimin dhe përgjegjësinë t'u qëndrojmë. Mandati i popullit e obligon këtë gjë. Kush do të përmbysë ligjin e Arsimit të Lartë, të bëjë një parti politike, por nuk e përmbys dot ligjin nga protesta. Ne e konsiderojmë bazë të sigurt të zhvillimit të arsimit të lartë në Shqipëri".
 

Ora 14:28
Kush i financon banesat për familjet e varfra? Rama: Kur s'merr për vete, mund të kërkosh për të tjerët

Kryeministri Rama është pyetur nga gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi në konferencën e fundvitit, se me cilat para ndërtohen nga e para shtëpitë e familjeve të varfra që shohim në kanalin e tij ERTV. Kreu i qeverisë tha se bën të njejtën gjë si edhe shumë njerëz të përfshirë në ndihmën e më të varfërve, u kërkon kompanive shqiptare që të kontribuojnë për këtë nismë. Rama tregoi se për këtë, udhëhiqet nga parimi i tij i vjetër: Kur nuk merr lekë për vete, mund të kërkosh për të tjerët.

“Është e njëjta gjë që bëjnë edhe të tjerët që më kanë frymëzuar mua, duke i kërkuar kompanive që të rindërtojnë shtëpi për familjet e varfra. Nuk janë para të buxhetit. Është thjesht kërkesa ime e drejtpërdrejtë. Kur nuk merr lekë për vete, mund të kërkosh për të tjerët. Ky është parimi im që në bashkinë e Tiranës”, tha Rama. 

Kryeministri shtoi se nuk e bën këtë nismë për kapital politik, por e vendos kapitalin e tij politik në shërbim të të tjerëve.

Ora 13:08
Paketa antishpifje, Rama: Liria e fjalës është 100% e garantuar

Gjatë konferencës së fundvitit kryeministri Edi Rama ka folur edhe mbi ligjin antishpifje. “Është model funksional kundër kazanit. Plotëson ligjin për mediat elektronike. Janë të parashikuara edhe normat antikazan. Portalet janë fundit i kazanit dhe ne do të shkojmë deri në fund për të normuar. Kush shpif do të paguajë dhe nëse ia mban kurrizi le të vazhdojë të shpifi. Liria e fjalës është 100% e garantuar por jo ajo e shtypjes”- tha Rama. 

Ora 12:57
Batuta e Ramës: Veliaj dhe Xhafaj 'komplote' brenda PS, kryebashkiakun do e varim te pema

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me ironi dhe batuta pyetjes së gazetarëve lidhur me tezën e një "përplasje" mes klanesh në PS dhe për ekzistencën e një pakti Veliaj-Xhafa në selinë rozë dhe nëse ishin këto dy elementë që sollën edhe ndryshimet qeveritare. Me doza të theksuara humori, Rama tha se ishte i "shqetësuar", pasi për më tepër, në krye të këtij "komploti" është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. 

Përsa i përket konspiracionit. Ka një komplot në PS. Jam i shqetësuar për këtë. Është një lëvizje konspirative që synon jo vetëm ato që thatë ju por edhe gjëra shumë më të rënda që nuk mund t'i ndaj dot me ju. Jemi duke menduar për një gjyq popullor edhe për dënime të rënda, shumë të rënda. Internime, punë të detyruar, dhe nuk diskutohet që koka e këtij komploti është kryetari i bashkisë së Tiranës. Ai është në krye të komplotit, mbështetur nga ish-ministri i Brendshëm. Ne po hetojmë për këto lidhje. Ka edhe të tjerë por nuk ua them dot, dyshohet dhe për institucione të tjera në këtë konspiracion. Ka të dhëna që ka edhe studim shkencor të doktoreshës Monika Kryemadhi për goditjen e qeverisë dhe më vjen keq që më kapët gafil por jam i detyruar ta pranoj. Por ju siguroj që ky grup nuk e ka të gjatë, Veliaj mund të dalë në televizion, mund të mbjellë pemë sa të dojë, por në një pemë do të varet si shembull që në këtë parti grupet armiqësore nuk e kanë të gjatë dhe do të jetë pjesë e një vepre që do të shkruaj dhe do t’ua jap me autograf.

Edi Rama, kryeministër

Ora 12:46
'I kërkoni falje Saimir Tahirit'/ Rama flet për ish-ministrin: Na akuzuat pse nuk e çuam në burg

Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit ka folur për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirit. Akuzat në adresë të Tahirit, Rama i quajti llum të ngritur nga mediat dhe opozita, por që Prokuroria e Katanias i rrëzoi. Duke iu drejtuar mediave, Rama tha se duhet t'i kërkojnë ndjesë ish-ministrit, ndërsa theksoi se prokuroria shqiptare duhet të thotë fjalën e fundit. 

"Kërkojini falje si fillim për çfarë i bëtë bazuar te thashethemet e dy përfaqësuesve të llumit që ua dhanë si fakte dhe ju mbushët dynjanë sikur ishin të vërtetat finale. Arritët në pikën që akuzuat mua dhe ne pse nuk e çuam në burg, pastaj shohim të tjerat dhe kërkojini falje se antimafia italiane dhe prokuroria e Katanias i shkoi deri në fund hetimit dhe muhabetet ishin kazan total. Prokuroria e Katanias i quajti kazan. Mbi këtë kazan na kërkuat pse nuk i hoqëm imunitetin dhe pse nuk e çuam në burg. Akuzat ndaj Saimir Tahirit rezultuan kazan. Prokuroria të çojë deri në fund hetimet dhe të thotë fjalën e fundit. Tahiri nuk është pjesë e familjes tonë politike".

Edi Rama, kryeministër 

Ora 12:28
Nga nesër mbyllen llotot sportive, Rama paralajmëron pronarët e basteve: Do përfundoni aty ku janë bosët tuaj

Data 1 janar 2019 shënon fundin e veprimtarisë së llotove sportive në vendin tonë, pasi hyn në fuqi ligji që i ndalon. Nga konferenca e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama u shpreh se kushdo që do tentojë ta ushtrojë këtë akvititet në mënyrë të paligjshme, do përballet me pasojat ligjore dhe do përfundojnë aty ndodhen bosët e tyre. Rama theksoi se policia është në këmbë për të finalizuar mbylljen e çdo pike basti, ndërsa kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve. Kreu i qeverisë tha se miliona euro që shkonin për kumarin, tashmë do futen në familjet shqiptare.

Kemi konstatuar ca përpjekje për të krijuar skema ilegale për të transferuar lokalet ku pronarët të përdorin skema të mbyllura. Po ju them të gjithë atyre që u kanë hyrë këtyre fantazive do të përfundojnë aty ku kanë përfunduar bosat e tyre.  Gjithë policia do të jetë në këmbë që prej nesër dhe ju lutem qytetarëve që të njoftojnë që prej nesër për çdo rast ku ato ndodhen.  Njësitë e lojërave të fatit janë të dokumentuara dhe nëse do të funksionojnë haptas ose mbylltas dhe nëse do të konstatohet nga qytetarët do të bjerë direkt mbi drejtuesit e policisë përgjegjësia. Ky është mesazhi që dha dje ministri i Brendshëm. Boll më me paratë e prindërve që derdhen në llumin e kumarit. Pyetjes, po ata që mbesin pa punë u përgjigjem thjesht; vitin e ardhshëm kemi një rritje të kurseve të trajnimit profesional. Shumë nga ato njësi do të transferohen në biznese të tjera dhe do të krijohen vende pune. Benefitet janë të pallogaritshme.

Edi Rama, kryeministër

Ora 12:20
'Zgjedhja e Ridvan Bodes në BSH'/ Rama: E propozova unë

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish sot zgjedhjen e Ridvan Bodes në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ish-ministri demokrat i Financave u votua edhe nga socialistët për në BSH. Rama tha se ka qenë vetë ai që e ka propozuar Boden në këtë pozicion, nisur nga përvoja dhe eksperienca e tij në drejtimin e financave të vendit. “Është propozuar nga unë në funksion të vizionit dhe qasjes që besoj unë na ka takuar të kemi në raport me BSH, si një personalitet që vjen nga radhët e kundërshtarëve dhe jo tonat se këtu është çudi e madhe, kur propozon në radhët e tua është problem, në radhët e kundërshtarët është problem. Zgjedhja e tij është bërë më këtë filozofi, pastaj, nëse do hyjmë të diskutojmë se kujt i dedikohen cmenduritë e qeverisjes së asaj kohe, do kishim mendime të ndryshme por nuk ia vlen se nuk është kjo tema".

Ora 12:02
Rama: Ministrat në provë, me Qeverinë e re një hap drejt mandatit të tretë. Vlerësime për të larguarit

Kryeministri Edi Rama tha se ministrat e rij që u bënë pjesë e kabinetit qeveritar, të gjithë pa përjashtim janë në provë. Kreu i qeverisë tha se ndryshimet në Qeveri erdhën nga nevoja për reflektim, ndonëse vlerësoi paraardhësit e tyre në kabinet, për të cilët Rama nuk preferoi të përdorë termin "të shkarkuar", por të zëvendësuar.

Sa i takon ministrave të rinj, gjithkush është në provë. Qeveria është në reflektim lidhur me nevojën për të zgjedhur nevojat tona komunikative me shoqërinë dhe për të pasur në vetë më shumë kapacitete qoftë në qeveri, parti, grup parlamentar. Me Qeverinë e re kemi hedhur një hap të rëndësishëm për mandatin e tretë. 

 Edi Rama, kryeministër 

Shefi i ekzekutivit vlerësoi ministrat në detyrë si Lindita Nikolla dhe Ditmir Bushati si profesionistë të shkëlqyer. "Lindita Nikolla ka bërë në atë zyrë atë që s'e ka bërë asnjë burrë për 20 e kusur vjet. Ditmir Bushati është ministri më jetëgjatë i Ministrisë së Jashtme dhe ministri më i mirë që kemi pasur në historinë e tranzicionitPër sa i përket Damian Gjiknurit, nuk është shkarkuar por zëvendësuar. Pa diskutim ka bërë një punë trasnformuese por do të jetë e padiskutueshme kur të shikohet ecuria në sektorin e energjisë". 

Ora 11:56
Ministri i ri i Jashtëm, Rama: Një nga djemtë më të ditur, ky vend ka pasur barrën të mbajë ministër Aldo Bumçin...

Kryeministri Edi Rama vlerësoi ministrin e ri të Jashtëm, Gent Cakaj, si një nga djemtë më të ditur dhe sipas tij i denjë për të mbajtur këtë detyrë të rëndësishme. Kreu i qeverisë u shpreh kundër kritikave që lidhen me vendlindjen apo moshën e Cakajt. Rama solli në vëmendje se disa vite më parë ministër i Jashtëm ka qenë edhe Aldo Bumçi, sipas tij për t'u harruar, ndërsa në rastin e Cakajt ka vepruar bazuar në meritë. "Gent Cakaj ka lexuar libra më shumë se ju keni thënë fjalë në jetën tuaj. CV e tij do ta keni në dispozicion kur të bëhet ministër. Nëse nuk është në websiten e ministrisë së Jashtme është gjëja më e thjeshtë në botë. Të jeni i sigurt se zgjedhja e tij është zgjedhja e një shqiptari si unë dhe si ti, si të gjithë. Neveris çdo kënd nënvizon 'kosovarin' si arsye për të kontestuar zgjedhjen. E neveris këtë. Mosha duhet diskutuar? Ka pasur raste të tjera ministrash të jashtëm, apo ministrash në fusha të tjera në vende shumë më tepër peshë dhe kanë pasur sukses, ose nuk kanë pasur sukses por jo se kanë qenë të rinj. Të jeni të bindur se zgjedhja është bërë për meritë dhe për aftësi. Nuk ka lidhje me asnjë teori konspiracioni. Ky vend ka pasur ministër Aldo Bumçin dhe nuk ka bërë asnjë debat. Ky vend ka pasur barrën të mbajë Aldo Bumçin si ministër të Jashtëm... Politika shqiptare ka pasur luksin ta emërojë ministër të Jashtëm... Por është konsideruar krejt normale. Sot kontestohet një nga djemtë më të ditur që ka gjenerata e re shqiptare", tha Rama, duke paralajmëruar se do kemi ministra të tjerë nga Kosova dhe diaspora që do bëhen pjesë e kabinetit shqiptar. "Jam krenar që pas Hasan Prishtinës të kemi edhe dy të tjerë që hyjnë në qeveri. Do mësoheni me ministra nga Kosova dhe diaspora".

Ora 11:51
'Erion Braçes i merrni të keqen'/ Rama flet për emërimin e zv/kryeministrit: Për ju ai rron 2 mijë vjet, unë një mijë

Kryeministri Edi Rama teksa i është përgjigjur interesit të medias për ministrat e rinj, pro edhe për zv/kryeministrin e ri Erion Braçen, nisur nga fakti se deputeti ka kontestuar  shpesh herë vendimet e qeverisë dhe të vetë kryeministrit.

"Për sa i përket Erion Braçes, besoj që gjithë sa thatë ju tregon të kundërtën e asaj që thatë ju dhe propagandohet nga shumëkush që unë jam person që dëshiroj të rrethohem vetëm nga njerëz që janë dakord me mua. Me debatet tona të brendshme në kryeministri, eshtë një e njëqinda sepse ne jemi një familje që diskuton dhe kundërshtohemi me njëri-tjetrin. E bëjmë dallimin midis qëllimit të përbashkët. Me Erion Braçen na bashkon vizioni i qeverisjes, por në momente kemi kundërshtime. Dua t’u them gjithë atyre që më kanë kërkuar arsye dhe argumente për ta goditur, se Erion Braçes i merrni të keqen qe të gjithë. Për ju, Erion Braçe rron 2 mijë vjet, se une rroj unë një mijë".

Ora 11:45
Taksat, Rama: 100 të mëdhenjtë paguajnë më shumë se në kohën e Berishës

Kryeministri Edi Rama foli në konferencën e fundvitit edhe për taksat. Ai tha se 100 kompanitë e mëdha sot paguajnë më shumë taksa se në kohën e Berishës kur edhe favorizoheshin nga pushteti. “100 të mëdhenjtë paguajnë më shumë taksa se sa paguanin 5 vjet më parë, ndërkohë që fitimi i tyre është më i ulët se 5 vjet më parë. Ku janë të mëdhenjtë që kanë mbledhur në 5 duar gjithë pasurinë e po bëjnë hatara me mbështetjen e qeversë. Faktet janë referenca zyrtare në librat e llogarive të shtetit. Nga ana tjetër sot puna taksohet me pak, ky është fakt deri dje taksohej 10 % sot 5.5 %. Në rajon kemi taksimin më të ulët të punës, 5.5%. Vitin që vjen janë 16 mijë të tjerë që do paguajnë afro 3 mln $ taksa më pak. Sot deri në 1.5 janë 90% dhe mesatarja është 5.5 % e taksimit. Nga 1 janari 91% e atyre që merren me biznes paguajnë vetëm 5% taksë është një taksë që nuk e ka asnjë vend i rajonit tonë.  Këto janë fakte. Në 1 janar nuk do ketë më taksë mbi vlerën e shtuar për të gjithë imputetet bujqësore”- tha Rama.

Ora 11:39
Ministrat e rinj, Rama: Janë më me eksperiencë se ata të 2013-ës

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe te profili i ministrave të rinj, duke theksuar se ata vijnë nga eksperienca të mirëfillta pune. Sipas tij, ata që u emëruan pak ditë më parë në Asamblenë e PS, janë më me eksperiencë se ministrat që morën detyrën në 2013. "Edhe në 2013-ën u kritikova për këtë profil të ministrave. Ministrat e rinj janë më me eksperiencë sesa ata që u larguan ishin në ditën e parë të qeverisë në 2013-ën. Sepse askush prej atyre nuk vjen nga bankat e opozitës, apo politikës, por nga eksperienca të mirëfillta pune. Kam shumë besim që puna do të tregojë dobinë e gjithë këtyre zgjedhjeve dhe padiskutim në çdo rast ata këshilltarët publikë do të bënin detyrat e tyre. Po të ishin të gjithë politikë do thonin ku janë ata njerëzit e ndryshimit, njerëzit pa parti. Të gjithë ata që janë zgjedhur për qeverinë e re janë njerëz që jo vetëm kanë kapacitetet e tyre të padiskutueshme, por kanë një sens përkatësie ndaj vizionit, programit dhe mënyrës së të qenit në PS, pavarësisht nëse kanë apo jo kartë anëtarësie".

Ora 11:28
Ndryshimet në Qeveri, Rama: Meta do marrë kohën e tij dhe do t'i dekretojë ministrat e rinj

Kryeministri Edi Rama u shpreh se është besimplotë se presidenti Ilir Meta do t'i dekretojë ministrat e rinj.

Presidenti do të marrë kohën e tij dhe do të dekretojë ministrat sikundër e kërkon kushtetuta. Por ky ngërç i vitit tëkaluar do të qartësohet në rrugën e duhur për të pasur një qartësi të plotë në raport me këtë institucion garant të kushtetutës së Republikës së Shqipëri. 

Edi Rama, kryeministër

Ora 11:24
Rama: Në 2018 u punësuan 34 mijë persona, ulëm papunësinë në 12.4%

Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit për mediat se gjatë 2018-ës u punësuan 34 mijë e 604 persona përmes Zyrave të Punës. Sipas Ramës, varfëria sot në vend është më e ulët se 5 vite më parë. Edhe sa i takon rritjes ekonomike Rama tha se Banka Botërore e konsideron Shqipërinë me rritjen më të madhe në rajon.

Gjatë 2018-ës në Zyrat e Punës, janë punësuar 34 mijë e 604 persona vetëm këtë vit. 262 mijë nuk janë 300 mijë për ata që thonë se ku janë 300 mijë punësimet, por këto janë shifrat ne kontributet e sigurimeve. Papunësia është ulur nga 18.2% në 12.4%, ulja më historike e papunësisë, është fakt. Varfëria është më e ulët se 5 vjet më parë. Banka Botërore konsideron rritjen ekonomike të Shqipërisë si më të lartën në rajon. Nuk dua të përcjell mesazhin që jam i kënaqur apo që ka ndodhur ndonjë mrekulli, por janë disa të vërteta të realitetit tonë.  

Edi Rama, kryeministër

Ora 11:15
Rama jep lajmin e mirë: Tremujori i 3-të, rritja ekonomike 4.5%, më e larta që nga 2011

Që në fillim të fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se lajmi i mirë është rritja e ekonomisë dhe konsumit. Ai deklaroi se rritja ekonomike e tremujorit te tretë ishte 4.5%, shifër kjo më e larta qe nga 2011. Ai u shpreh se konsumi i popullatës u rrit me 4% nërsa tha se ekonomia ka qenë më konkurruesja në pesë vitet e fundit. 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • mali: 31/12/2018 15:21

    Te vesh ne dyshim moralin e Rames dhe Tahirit nuk do te thite qe kemi vleresim apo dalin ne pah vlerat e Berishes dhe Metes. Te mos jemi kaq ordiner. Berisha eshte nje vrases, Meta nje hajdut. Berisha historine e vet e ka shkruar me gjak shqiptaresh. Ne rast se kemi pakenaqsi per njerin nuk justifikon qe te rikthejme Berishen Meten Lulin apo Moniken ne qeverisje. Prandaj le ti kthehemi argumentut Tahiri. Eshte e neveritshme qe nji funksionar si ai i ministrit te brendeshem ndersa kryen transaksione te dyshimta me trafikante droge ti kerkohet te falur. Ky eshte morali. Eshte e çuditshme qe ndersa kerkohet arrestimi i drejtuesve te policise se vlores ata arratisen, perse? A jane te ndershem?! Apo edhe atyre u duhet kerkuar te falur?

    Përgjigju
  • Raul: 31/12/2018 15:15

    Po zoti Rama do ta fitojmë mandatin e tretë dhe të katërt por pastroje administratën nga drejtorët me mbi 5 vjet dhe drejtorët e LSI që akoma janë në detyrë në Ost, Tatime, drejtori arsimore

    Përgjigju
  • fieri: 31/12/2018 14:56

    si nuk te ha mortja ty dhe sajmir tahirn kush ti kerkoj falje o nudist o legen o verem i popullit po ku krahasoehs ti me doktor berishen o verem

    Përgjigju
  • adi: 31/12/2018 13:56

    P**dh p**dh se lirohesh aaa mjere populli me kta maskarenj qe bejne monolog neper mediat e shitura..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin me sopatë, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja