TIRANË – Tirana nuk mund të drejtohet me ‘telekomandë apo delegim’. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, në takimin në njësinë 3 në Tiranë, teksa komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese në favor të Erion Veliajt, duke rrëzuar shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut nga Këshilli i Ministrave dhe dekretin për zgjedhjet. Rama tha se nuk ka arsye që të besojë se Kushtetuesja nuk ka bërë politikë me vendimin e marrë, por me lënien në detyrë të Veliajt, duhet që të gjejë zgjidhjen për ta rikthyer në zyrë.

“Asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë apo delegim. Pavarësisht punës së madhe të Anuelës me nënkryetarët, qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që ta drejtojë atë.”, tha Rama.

“Vendimin e gjykatës ne e respektojmë. Madje nuk kam asnjë arsye të besoj se Gjykata Kushtetuese ka bërë politikë në këtë rast. Kam arsye të besoj se Gjykata ka menduar ndryshe, por mendimi ndryshe i gjykatës të çon në konkluzionin kur kryetari i bashkisë shkon atje për të kërkuar për ta kthyer në zyrë, duhet ta kthejë në zyrë sepse vetë ka thënë që nuk mund të bëhen zgjedhje në Tiranë se ai është i zgjedhur”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë konfirmoi se Ogerta Manastirliu, të cilën e prezantoi si kandidate për Tiranën në shtator kur u mbajt Asambleja e PS, do të jetë kandidatja e tyre kurdo që të mbahen zgjedhjet për qytetin.

“Jemi sot këtu, së bashku me Ogertën që ishte dhe mbetet kandidatja jonë për të drejtuar Tiranën”, tha Rama.

Nuk kurseu ironinë për PD-në, teksa tha se nuk ndodh në asnjë vend që një parti, që pretendon se është alternativë për qytetarët, të “arratiset” nga zgjedhjet dhe të mbështesë disa persona, që ai i cilësoi si “pseudo kandidatë të pavarur”. Për Florjan Binajn, që ka shprehur kandidaturën për Tiranën dhe që mbështetet nga PD, Rama tha se është një “aktor që luan rolin e kandidatit të pavarur”.

“Është e pandodhur të paktën me aq sa e njoh unë politikën evropiane, në histori, që një parti, që pretendon të jetë alternativa e qeverisë të arratiset nga zgjedhjet dhe të fshihet pas disa pseudo të pavarurve dhe madje për kryeqytetin të nxjerrë një aktor që luan rolin e kandidatit të pavarur. Është e paparë.”, shtoi Rama.

Nuk la pa përmendur as Berishën, teksa tha: “Është një e keqe e madhe që nuk i është ndarë këtij vendi, ajo frymë. Është çështja tek një kënetë e madhe, ku ai është bufi i madh, por aty ca nuk ka.“ Teksa po fliste për projektin e sistemit me kamera inteligjente, përmes të cilit do të monitorohet vendi, Rama tha se edhe atentati pranë Aeroportit të Rinasit, ku u vranë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, mund të ishte parandaluar. Rama tha se ky projekt do përfundojë brenda mandatit. 

“Ajo ngjarja e Rinasit që ndodhi do ishte zbardhur kohë reale. Në momentin që ai sistem funksionon, parandalon në mënyrë jashtëzakonisht efikase, të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë, respektimin e rregullave, nga rregullat e qarkullimit, tek rregullat e bashkëjetesës në një lagje. Brenda këtij mandati do ta kemi këtë sistem”, tha Rama.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:51
Rama batuta: Si mund t’u thuash vlonjatëve respektoje planin dhe mos u sill si vetë zot e shkop, mbret apo kryeministër

 

Duke folur për çështjen e mbetjeve dhe pastrimit, kryeministri Edi Rama nuk kurseu batutat për vlonjatët, teksa tha se s’i mund t’ju thuash atyre që të respektojnë planin dhe të mos sillen si vetë “zot e shkop”.

“Ça plani t’u bësh vlonjatëve dhe t’u thuash shiko se duhet të respektosh këtë plan dhe nuk duhet të sillesh si vetë zot, shkop, kryeministër, mbret vetë president dhe zoti në tokë. E pamundur, atëherë kjo do të na ndihmojë të ndajmë ata që janë qytetarë të përgjegjshëm dhe ata që fshihen pas emrit të vlonjat që bëjnë ça të duan e sjell si shembull se meqë kam një pejsë andej i bie edhe vetes me këtë rast dhe nuk me thonë dot ça ke me ne.”, tha Rama.

Ora 11:44
Rama ironizon sërish PD: Nuk bëhen gjërat me humor, aktorë e të shara! E mori për 4 vjet një nga ata bashkinë e Tiranës, dhe gjërat u kthyen mbrapsht

 

Kryeministri Edi Rama, duke folur për Tiranën, vijoi sërish duke ironizuar opozitën teksa tha se nuk bëhen gjërat me humor e aktorë. Po ashtu duke iu referuar edhe Lulzim Bashës, tha se kur drejtoi bashkinë, “e pamë ku shkoi Tirana”.

“Nuk janë gjëra që bëhen me humor, me aktorë, me të shara e shamatara, sepse pastaj kur të bien në dorë që t’i bësh e sheh mirë se si është puna. Nuk bëhen dot nga klubet e natës që mblidhet ata derrat e kënaqur të Migjenit dhe diskutojnë për të zezat e Shqipërisë sot, e provuam njëherë që na erdhi njëri atje në bashki 4 vjet, dhe e pamë se ku shkoi Tirana. U kthyen të gjitha gjërat mbrapsht.”, tha Rama.

Ora 11:31
Drejtësia e re/ Rama: Nuk e lufton SPAK korrupsionin, por PS edhe me koston e paguar në lëkurën e vet! Prandaj njerëzit na mbështesin ne, jo lloj lloj karagjozësh

 

Kryeministri Edi Rama komentoi edhe drejtësinë e re teksa tha se është PS ajo që e bëri të mundur këtë gjë. Në bisedimin me qytetarët në njësinë 3 në Tiranë, kryeministri theksoi se nuk është SPAK që po lufton korrupsionin por vullneti i partisë që ai drejton, që po e mbron edhe me koston në lëkurën e vet, duke iu referuar mbajtjes në paraburgim prej shkurtit pa gjyq të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Është hera e parë nga 1912, që në Shqipëri luftohet pa parë majtas e djathtas, pavarësisht të gjitha problematikave e historive që janë të lidhura me një sistem drejtësie të ri që ka shumë probleme, pavarësi shumë e re. Të flasësh sot për drejtësinë e pavarur është si të flasësh për Shqipërinë e pavarur 60-70 vjet pasi u pavarësua. Por ama nuk është luftuar kurrë korrupsioni si sot. Nuk e lufton SPAK, por vullneti i kësaj force politike që i dha pavarësinë e drejtësisë dhe që e mbron edhe me koston e paguar në lëkurën e vet. Çfarë është mbajtja e kryetarit të bashkisë atje brenda pa gjyq, është kosto. Nuk hyj fdare unë të drejta apo jo ato që thuhen, ai është procesi ligjor, gjyqësor dhe e bën gjyqi. Por deri më sot gjyq nuk ka, ka një njeri në burg, është kosto. Ama ne as nuk bëjmë protesta, as nuk ngremë zërin jo se jemi budallenj, por sepse është mendje e ndarë. Çdo ngacmim që i bëjmë SPAK apo sistemit që lufton me korrupsionin, është ngacmim që i bën dëm vendit për të nesërmen. Nëse u deshën 100 e ca vjet që të fillonte kjo luftë, nëse fillojmë e ngacmojmë do ta shtyjmë edhe 20 vjet të tjera dhe ta harrojmë që të ulemi në tryezën e BE. Për vite e kishim damkën në ballë, ishim ne në qeveri, të shkruar në raportet e BE, kultura e pandëshmueshmërisë. “, u shpreh Rama.

Më tej, Rama tha se nata ka kaluar në Shqipëri dhe prandaj qytetarët mbështesin PS dhe jo “lloj lloj karagjiozësh rrugëve”.

“Njerëzit edhe kur nuk meren gjithë ditën siç merremi ne me këtë punë kanë mjaftueshëm logjikë për të parë dritën dhe errësirën, të mirën e të keqen dhe pavarësisht se ne nuk jemi sot në diell të plotë si vend, por nuk diskutohet që nata në Shqipëri ka kaluar. Dielli ka lindur dhe nuk diskutohet që ai diell do të ngrojë edhe më shumë. Këtë njerëzit e kuptojnë këtë dhe prandaj mbështesin PS dhe jo lloj lloj karagjozësh rrugëve.”, shtoi Rama.

Ora 11:30
Ironizon Rama: S’ka më të mirë se ne, të tjerët janë kashtë dhe...! Për Tiranën, nxorrën një aktor që luan rolin e kandidatit të pavarur

 

Në takimin që po mban me qytetarët në njësinë numër 3 në Tiranë, kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën, teksa tha se nuk ka ndodhur asnjëherë që një parti politike si PD, që pretendon se është alternativë, të “arratiset” nga zgjedhjet dhe të mbështesë disa persona, që i cilësoi si pseudo kandidatë të pavarur. Shënjestroi edhe Florjan Binajn që shpalli kandidaturën për Tiranën, duke thënë se është një “aktor që luan rolin e kandidatit të pavarur.”

“Kam që në 2009 që nuk i shoh por hera herës edhe shfaqen nëpër këto telefonat që por nuk ka asnjë shans që ata dhe askush që realisht nuk di nga brenda se çfarë bëjmë ne për të marrë mbështetjen e njerëzve që të kuptojë se si qëndron realisht puna. Dhe mbi të gjitha se kush thotë, siç thonë ata që Shqipëria është më keq, më e korruptuar, më e varfër, dhe nuk ka asnjë shans që të jetë as pjesë e shumicës, as që të mendojë atë që mendon shumica dhe madje as të kuptojë se si e mendon shumica këtë punë se jam i bindur, nga anketimet që bqjmë, që shumica nuk na voton ne se jemi më të mirët, por se nuk ka më të mirë. Të tjerët janë kashtë e k*qe që nuk i duhen dreqit. Është e pandodhur të paktën me aq sa e njoh unë politikën evropiane, në histori, që një parti, që pretendon të jetë alternativa e qeverisë të arratiset nga zgjedhjet dhe të fshihet pas disa pseudo të pavarurve dhe madje për kryeqytetin të nxjerrë një aktor që luan rolin e kandidatit të pavarur. Është e paparë. Dhe natyrisht kjo është sfidë më shumë për ne, se kur ke përballë rivalo-oponentë, kundërshtarë që nuk të sfidojnë me argumente, mençuri apo vision, me aftësi, por të sfidojnë me muskulaturë, sharje, fyerje e dhunë është e vështirë që të sfidohesh dhe të përmirësohesh. Duhet të gjesh forca brenda vetes.”, tha Rama.

Ora 11:15
Rama: Pastërtia varet edhe nga disiplina e qytetarëve! Bizneset, problem numër 1! Shqiptarët bëjnë foto nga deti, por shishen e ujit e hedhin atje

 

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj një banori të njësisë 3 në Tiranë, i cili shprehu kritika për plehrat dhe pastërtisë së qytetit, duke e krahasuar me vendet evropiane. Rama tha se në këtë pikë, përtej rregullave të vëna nga autoritetet, duhet të ketë disiplinë edhe nga qytetarët dhe bizneset, teksa këta të fundit i cilësoi si ndotësit më të mëdhenj. Rama tha se ndjen turp kur sheh nëpër rrugët kombëtare të mbushura anash, që sipas tij, një gjë e tillë, shkaktohet nga vetë shqiptarët që nga njëra anë duan të bëjnë foto duke treguar bukuritë e vendit, dhe nga ana tjetër, e ndosin duke hedhur mbeturina.

“Meqë u bë krahasim me qytetet evropiane. Të gjithë kemi parë qytete evropiane, të ndryshme, dhe ka qytete evropiane që është ashtu fiks siç u tha, dhe ka që nuk është ashtu. Pse? Sepse aty ku është gjithçka pastër nuk është thjesht bashkia që pastron por cdo qytetar që nuk ndot, por respekton një sistem shumë rigoroz rregullash të vendosura për oraret kur hidhen mbetjet, ndarjen e tyre në burim etj, gjë që le të jemi të vërtetë ne jemi vite dritë larg nga pikëpamja e ndërgjegjes qytetare dhe kontributit që duhet të hapë gjithsecili duke mos ndotur në radhë të parë. Ju me të drejtë folët për Tiranën por nuk ka ndjenjë më të rëndë turpi, për mua personalisht, kur gjatë sezonit turistik të verës, ecën nëpër rrugët kombëtare dhe shikon plehra të hedhura nga makina ose pika ku grumbullohen plehra që hidhen nga ata shqiptarë që dalin të bëjnë foto me detin pas dhe shishen eujit që kanë e hedhin atje. Këtë nuk e shikon në shumë vende turistike por në disa. Në jugun e Italisë psh. Varet shumë nga disiplina jonë, bizneset janë problemi numër 1 sa i takon ndotjes. Nuk kanë asnjë lloj disipline dhe për këtë duhet ndërtuar një plan i përbashkët. Ne mund të bëjmë plane sa të duam por si zbatohen. Unë besoj që ne jemi në rrugën e zgjidhjes së këtij aspekti me projektin e ri që më në fund do të nisim ta zbatojmë pas një zvarritje të gjatë burokratike, nuk po i ankohem askujt, por po them se për shkak se jo të gjitha gjërat bëhen në kohë apo si duhet brenda sistemit të qeverisjes apo institucioneve tona humbet kohë. Projekti me kamera është projekt strategjik për sigurinë, pastërsinë dhe qetësinë e prindërve për sigurinë në shkolla.”, theksoi ai.

Ora 11:14
'Brenda mandatit sistem me kamera inteligjente', Rama: Atentati në Rinas do ishte parandaluar

Kryeministri Rama komentoi për herë të parë atentatin e Rinasit gjatë një takimi me banorët e njësisë 3 në Tiranë. Sipas tij, ngjarja do të ishte parandaluar nëse në zonë do të kishte kamera inteligjente, projekt të cilin premtoi ta finalizojë brenda këtij mandati.

“Ajo ngjarja e Rinasit që ndodhi do ishte zbardhur kohë reale. Në momentin që ai sistem funksionon, parandalon në mënyrë jashtëzakonisht efikase, të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, qetësinë, respektimin e rregullave, nga rregullat e qarkullimit, tek rregullat e bashkëjetesës në një lagje. Brenda këtij mandati do ta kemi këtë sistem”, tha Rama.  

Ora 11:02
Rama: Ogerta Manastirliu do të vazhdojë të jetë kandidatja jonë për Tiranën kur të mbahen zgjedhjet

 

Kryeministri Edi Rama tha se Ogerta Manastirliu do të mbetet kandidatja e PS për të drejtuar bashkinë e Tiranës, kurdo që të mbahen zgjedhjet. Manastirliu u prezantua si kandidate për Tiranën në shtator kur u mbajt Asambleja e PS-së, dhe që prej atëherë ka vijuar fushatën, pavarësisht pezullimit të dekretit për zgjedhjet në kryeqytet.

“Njerëzit që jetojnë në këtë qytet duan shërbimet, rrugën, kopshtin, çerdhen, pastrimin etj, gjë që ne duhet të bëjmë çmos t’i kenë dhe duke vlerësuar maksimalisht rëndësinë e kësaj detyre, jemi edhe sot këtu, së bashku me Ogertën që ishte dhe mbetet kandidatja jonë për të drejtuar Tiranën kur të vijnë zgjedhjet së bashku me Delinën, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit që ka barrën e drejtimit politik të skuadrës së deputetëve apo të përfaqësuesve të PS në këtë njësi dhe natyrisht së bashku me ju.”, theksoi Rama.

Ora 10:54
‘Kam vite që s’i përmend as emrin’, Rama ironizon Berishën: Opozita kënetë, ai është bufi i madh

 

Kryeministri Edi Rama ironizoi opozitën në takimin me banorët e njësisë 3, ku zhvilloi një dëgjesë për projektbuxhetin 2026. Një banor e pyeti mbi bonusin e fundvitit, duke i thënë se ‘tellalli’ Berisha thotë që s’do kenë rritje pensionesh.

Me ironi Rama i tha se përmendi një emër, të cilin ai prej vitesh nuk e përmend më, por merret me të vetëm gjatë fushatës. Rama tha se opozita është një kënetë e madhe, ku Berisha është bufi i madh.

“Merrem me të vetëm kur ka fushatë, se jam i detyruar se aty jemi në arenë dhe duhet me u marr, ndryshe as nuk e dëgjoj ca thotë, as nuk e llogaris, a është apo nuk është. Është një e keqe e madhe që nuk i është ndarë këtij vendi, ajo frymë. Është çështja tek një kënetë e madhe, ku ai është bufi i madh, por aty ca nuk ka. Fjalët që unë them dhe ne themi, njerëzit kanë të thjeshtë ti vërtetojnë, se kur ne themi që do jepet bonusi, njerëzit kanë mundësi ta vërtetojnë do jepet apo s’do jepet. Të njëjtin bonus do ta merrni edhe në dhjetor njësoj, nga 100-150 euro.

Dhjetori vjen për pak javë, do ta vërtetoni vetë dhje kur ta vërtetoni do kuptoni se kë duhet të dëgjoni e kë s’duhet të dëgjoni. Ju i dëgjoni të tërë se jeni të vëmendshëm, por shumë kush nuk e beson vërtetë, e kam thënë dhe më parë, unë nuk lexoj portale, marr herë pas herë, që mi çojnë këta që kam rreth e rrotull. Nuk kam lajme shqip në shtëpi, nuk shoh debate sepse jam në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit, ndjekim opinionin me anketat e brendshme që bëjmë. Për ata që kanë thënë se bonusi i dhjetorit do ndahet vitin tjetër, ja erdhi dhjetori dhe do shihni do merrni apo jo. Pastaj do dini vetë ç’të mendoni për ata që ju fusin xixat duke luajtur edhe më këto gjëra të jetës së përditshme që për ju kanë rëndësi të veçantë”, tha Rama.

Ora 10:45
Vendimi i Kushtetueses/ Rama: S’kam arsye të besoj se gjykata mori vendim politik! Ta kthejë Veliajn në zyrë, Tirana s’mund të drejtohet me telekomandë dhe delegim

 

Kryeministri Edi Rama komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë Erion Veliajt dhe rrëzoi vendimin e qeverisë për ta shkarkuar nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës dhe dekretin e presidentit për zgjedhjet. Rama tha se gjykata, pas lënies në detyrë të tij, duhet të gjejë edhe zgjidhjen për ta kthyer në detyrë.

Për kreun e qeverisë, asnjë qytet, e sidomos kryeqyteti, nuk mund të drejtohet me delegim.

“Duhet të ishte kryetari për të prezantuar buxhetin, por e dini situatën. Është për të ardhur keq, por ka shumë gjëra për të ardhur keq. Por përfundimisht nuk ka ca na vjen keq por të shohim përpara. Çfarë unk thuhet në këtë vend por nuk ëshë vetëm ky vend. E gjithë bota jeton në një atmosferë nga dhjetërat e titujve në sekondë nëpër faqet e botës dixhitale dhe ndër 100 tituj që lexoni, ju siguroj, për sa na takon, 95% janë ose gjysmë të vërteta ose komplet rrena. E solla këtë në vëmendje se kur kryetari i bashkisë u mor nga zyra për tu mbyllur në qeli pa gjyq, atëherë për herë të parë e ngrita zërin lidhur me një proces të drejtësisë duke thënë se është disproporcionale për faktin se cilado qoftë arsyeja pse drejtësia heton kryetarin e bashkisë, janë të pamjaftueshme nuk di arsye për sa kohë nuk ka vrarë njeri dhe nuk është kapur në flagrancë duke bërë krim, për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie të zgjedhur. Gjithsesi pavarësisht se ca themi, drejtësia është e pavarur. Falë një hapi të jashtëzakonshëm që ka bërë PS për ta pavarësuar drejtësinë në Shqipëri pas 100 e kusur vitesh shtet shqiptar. Pastaj në të gjithë shkallët ku kryetari kërkoi hetimin në gjendje të lirë e humbi, dhe kur u ezauruan të gjitha shkallët ishte gjëja më normale të mendohej për qytetin e njerëzit që kanë edhe ata një të drejtë shumë të madhe themelore, për t’u qeverisur nga të zgjedhurit e tyre. Për këtë ndërmorëm hapin tjetër, që të hapim rrugën e zgjedhje në bashki. Jo për të fajësuar kryetarin e bashkisë dhe as i lidhur me faktin se mungonte në detyrë se kishte arsye të vetat, por i lidhur me faktin që kryetari në pamundësi për të kryer detyrën të mos kthehej në një problem gjithmonë e më të madh për qytetin. Asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë apo delegim. Pavarësisht punës së madhe të Anuelës me nënkryetarët, qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që ta drejtojë atë. Pavarësisht përpjekjes që bëmë nuk ia dolëm se Gjykata Kushtetuese refuzoi t’i hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë duke pamundësuar e kryetarit të bashkisë për të qenë në detyrë dhe duke përcaktuar që nuk është e drejta e këshillit bashkiak dhe qeverisë që të hapin rrugën e zgjedhjeve duke e larguar kryetarin për sa kohë ka munguar se nuk i është dhënë mundësia që të vijë. Vendim që gjykate që ne e respektojmë, madje nuk kam asnjë arsye të besoj se GJK ka bërë politikë në këtë rast. Kam arsye të besoj se Gjykata ka menduar ndryshe, por mendimi ndryshe i gjykatës të çon në konkluzionin kur kryetari i bashkisë shkon atje për të kërkuar për ta kthyer në zyrë, duhet ta kthejë në zyrë sepse vetë ka thënë që nuk mund të bëhen zgjedhje në Tiranë se ai është i zgjedhur. Atëherë ta kthejë në zyrë që të normalizohet një situatë që është çdo ditë e më e vështirë për kryeqytetin.”, tha Rama.

Ora 10:38
Rama: Ka nisur puna për ngritjen e Institutit Kombëtar për Tumoret! Partneritet me spitalin ‘San Raffaelo’ të Milanos për transformimin e QSUT-së

 

Kryeministri Edi Rama thotë se ka nisur puna për ngritjen e Instituti Kombëtar për Tumoret, siç e kanë shumë vende të Europës. Në një dëgjesë me banorët e njësisë numër 3 në Tiranë për pr.buxhetin 2026, Rama tha se për herë të parë është caktuar fond për të përballuar nevojat për barnat te Onkologjiku.

Rama foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara me Italinë pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive. Kryeministri tha se me këtë marrëveshje i hapet rrugë edhe partneritetit mes QSUT dhe spitalit ‘San Raffaelo’ të Milanos. Rama tha se deri në fund të mandatit, QSUT do të kthehet në pikë referimi në të gjithë Ballkanin.

“Do ngremë Institucion Kombëtar të Tumoreve, siç e kanë shumë vende të Europës. Kemi nisur punën edhe për këtë. Ishim në Itali, kemi firmosur një sërë marrëveshjes shumë të rëndësishme, dhe një nga pikat që kemi në marrëveshjen kuadër që firmosa me Melonin, është bashkëpunim strategjik edhe në funksion të shëndetit dhe kjo pikë e i hap rrugë edhe partneritetit strategjik që kemi lançuar përpara dhe që u përfol si shfaqje fushate, për të sjellë në QSUT si partner që do marrë pjesë në procesin e administrimit dhe shkëmbimit të dijes dhe në procesin e vizitave të punës së mjekeve, spitalin ‘San Raffaelo’ të Milanos që është një nga ekselencat e shëndetësisë evropiane. Me planin që kemi, në fund të këtij mandati, QSUT do jetë një nga spitalet që do jetë pikë referimi në të gjithë Ballkanin”, tha Rama.

Xh.D/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 16/11/2025 04:14

    Nuk po e lufton SPAK korrupsionin,por PS dhe me koston e vet.-thote Rama! Ku ke pare o Rame,jo ne Shqiperi,por ne bote,qe nje i korruptuar te beje doreheqje kur ja ndjen eren e organeve te drejtesise qe i vijne rrotull?! Ku ke pare ne bote o Rame qe nje parti,qe mund te dije,ose te kete degjuar dicka per njerezit e vet,t'ju kerkoje te bejne doreheqje,apo t'ua dorezoje org.te drejtesise,perpara se keta te kete hapur hetime,apo te kete thene emra?! Vertet PS po paguan nje kosto,por asnje prej atyre qe u kane dale emrat,nuk kane menduar se kane bere ndonje gje gabim,perkundrazi. PS vertet po paguan kosto,por kjo vetem pasi hyn SPAK ne loje,jo perpara.Tani ne lidhje me kerkesen tuaj per gjykaten ne lidhje me Veline,une e quaj presion te hapur ndaj drejtesise,nen masken se Tirana s'na beka dot pa te.Veliaj nuk eshte i perjetshem ne ate detyre,cdo te beni pas tij,do te vije fundi i botes,fundi i Tiranes?! Pastaj c'eshte kjo mbajtja e Manastirliut kandidate me force per Tiranen,nuk paskan te drejte te tjere nga PS te kandidojne aty,nuk ka te drejte dega e PS/Tirane t'a zgjedhe vete kandidaturen?! Po Veliaj si t'a lexoje kandidaturen e Manastirliut qe i ri si shpate Damokleu perhere mbi koke edhe pse fitoi te drejten e te qenit bashkiak ne gjykate? Si do te ndjehej jo vetem Veliaj,por cdo kush tjeter,ne cfaredo profesioni, qe do te trajtohej keshtu nga eprori,qe do t'i kujtonte vazhdimisht se :/Shiko ti vazhdo punen e mire qe po ben,por ama ne e kemi kurdohere gati kandidatin qe te te zevendesoje ne rastin me te pare!/?! Z.Rama,ju po i trajtoni nepunesit tuaj si aktore dhe aktore zevendesues roli ne teater.Per ju rendesi ka vetem show e asgje tjeter.

    Përgjigju
  • tajar: 15/11/2025 15:02

    POPULLI E DO NE BURG ERION VELINE DHE CILIDO QE VJEDH....PO DEL KUUNDER POPULLIT EDI RAMA.....

    Përgjigju
  • Tironci: 15/11/2025 13:36

    Ta kthejë në zyrë???!!! Pra e keni patur lojë gjithë këtë allishverishin e zgjedhjeve në Tiranë. Po si more ta kthejë Gjykata Kushtetuese në Bashki? Çështja në Gjykatë ishte për shkarkimin që i bëtë ju, jo për themelin e problematikave që ka Veliaj me drejtësinë!! Mos i ngatërroni gjërat e të na bëni për budallenj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?