Kryeministri i vendit Edi Rama me të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara është ndalur në zonën e Sukth Katund i Ri në Durrës, e cila është prekur nga përmbytjet e 24 orëve të fundit. Rama pasi ka parë nga afër shtëpitë dhe tokat e përmbytyra është shprehur se kjo është fatura nga ndërtimet e projektet kuturu.

“Mobilizimi i të gjithëve ka qenë maksimal dhe efektiviteti ka qenë maksimal, por nga ana tjetër duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm që këto janë fatura që i paguajmë dhe do vazhdojmë t’i paguajmë prej një zhvillimi kaotik, pa plan, pa rregulla, pa disiplinë, me ndërtime kuturu, me projekte kuturu. Ne kemi bërë një punë të madhe në këtë periudhë 2-vjeçare për pastrimin e kanaleve," është shprehur Rama teksa ka deklaruar se ka një angazhim maksimal të të gjitha strukturave për përballimin e situatës. 

rama

Rama po ashtu tha se në Sukth do të investohen 25 mlilionë dollarë për pastrimin e kanaleve dytësore. "Kemi përsëri një projekt të madh që do e financojmë me 25 milionë dollarë, në bashkëpunim me pushtetin vendor, për të pastruar të gjitha kanalet dytësore. Ndërkohë që, me ristrukturimin e bordeve të kullimit do vazhdojmë edhe për magjistralet dhe argjinaturat e me radhë. Mobilizimi dhe efikasiteti ka qenë, besoj unë, në nivel maksimal dhe më mirë sesa edhe herët e shkuara, për shkak se i kemi kushtuar shumë rëndësi emergjencave civile dhe do vazhdojmë t’i kushtojmë rëndësi dhe për ta fuqizuar flotën e emergjencave civile, " tha kryeministri, ndersa shtoi se një nga masat më të para të këtij viti do të jetë vendosja e Moraturiumit 10 vjeçar për mbrojtjen e pyjeve, si nje nga faktoret qe favorizojne permbytjet.

eskavator

“Sjellja jonë barbare me natyrën, pyjet, lumenjtë, veprat mbrojtëse që janë prishur për të ndërtuar shtëpi ka një kosto. Hapi i parë i madh që do bëjmë që në fillim këtë vit është Moratoriumi i Pyjeve. Do ndalojmë në mënyrë drastike prerjen e pyjeve për 10 vjet, për të krijuar një mundësi rikuperimi dhe për të rifituar një strukturë mbrojtëse nga erozioni, që nuk e zëvendëson dot asnjë kanal dhe asnjë ekskavator. Kemi kaq shumë kusure për t’i paguar të kaluarës 20 e kusur vjeçare që ka qenë një barbari dhe masakër e pashoqe. Nuk i është bërë Shqipërisë në 500 vjet, ajo që i është bërë në 20 e ca vjet, në kuptimin e shkatërrimit të natyrës dhe shkatërrimit të strukturave mbrojtëse që ka natyra, duke i prishur ekuilibrin dhe duke krijuar situata si këto. Edhe shembulli i kanalit që thoni ju, prapë është ajo që po them, janë kostot që i paguajmë historive pa kuptim. Është bërë një projekt mbrapsht është zbatuar mbrapsht dhe urdhëro rezultatin," shtoi Rama.

Mbi 80 familje janë evakuuar mbrëmjen e së mërkurës nga Emergjenca Civile, pushteti vendor dhe Forcat e Armatosura,  një pjesë e të cilëve janë strehuar tashmë në shtëpinë e pushimit të Ministrisë së Brendshme. Evakuimi është bërë me mjete lundruese, si dhe nga ajri me helikopterëve të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndersa sipas Drejtorit te Emergjencave Civile ne te gjithe vendin jane avakuuar rreth 250 familje.

edi rama

Masat e marra për përballimin e situatës janë vlerësuar edhe nga vetë banorët, të cilët i thanë kryeministrit se ndihma e strukturave të shtetit ishte e menjëhershme. Kryeministri Rama u ndal edhe në Shijak, aty ku shtëpitë janë ende nën pushtetin e ujit në zonën e njohur si ish liqeni i këtij qyteti.

 “Kjo ka qenë liqen përpara. Dikur ka qenë edhe fushë sporti e Shijakut, pastaj u bë liqen, por ka 30 vjet që nuk ka funksionuar si liqen,” shprehet një banor. Ndërsa një i moshuar thotë se e priste këtë që ndodhi, pasi defekti ka ardhur vit pas viti, që në fillim të pluralizmit. “Unë ua kam thënë atyre të tjerëve sa herë se do na merrni në qafë. A bëhet shteti me sustë? E kam përjetuar këtë dhe kam pas thënë se mjerë çdo na gjejë ne, se duke ardhur, duke u shkatërruar vit pas viti," tregon një banor.

Edhe në Shijak, kryeministri tha se përmbytjet janë kosto e shkatërrimeve të bëra në 25 vjet, ndersa premtoi mbeshtetje per banoret, duke iu referuar demshperblimeve te nje viti me pare.

“Si asnjëherë më parë, përmbytjet që ndodhën në fillim të vitit të kaluar, ne i kemi dëmshpërblyer plotësisht në të gjitha aspektet edhe për bagëtitë, shpendët, prodhimin. Plus, kemi likuiduar të gjitha detyrimet e prapambetura nga qeveria e mëparshme rreth 7milionë euro në Ultësirën e Shkodrës dhe prapë do bëjmë çmos që t’ju mbështesim. Ndryshimet klimaterike kanë sjellë kudo probleme të shtuara. Plus që ne kemi edhe koston e gjithë kësaj që kemi bërë 25 vjet; prit pyjet, shkatërro shtretërit e lumenjve, prish argjinatura, prish prita, prish ekuilibrin e natyrës dhe ndërto kuturu. Plus, projektet e bëra siç ishte rasti ku ishim më parë. Këto janë kostot. Kemi pastruar rreth 649 kilometra kanale që s’ishin prekur 20 e ca vjet, por ka akoma nevojë dhe do vazhdojmë këtë vit intensivisht me kanalet edhe për gjithë zonën e Durrësit, ku përfshihet edhe kjo zonë,” u shpreh Kryeministri.

sukth

sukth
Në zonat e prekura nga përmbytjet Kryeministri Rama shoqërohej nga ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, ministri i Mirëqenies Sociale dhe RinisëBlendi Klosi, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako si dhe kryetari i bashkisë së Shijakut Ardian Kokomani.

“Do të bëjmë edhe hartën e riskut. Pra, qytetarët ta dinë se banon këtu ku dikur ka qenë shtrati i liqenit, që ta dish se je i rrezikuar në shiun më të parë,” bëri të ditur ministri e Brendshëm Saimir Tahiri.
 
Po ashtu në Sukth, ka qenë edhe kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili tha në një postim të tijin në Facebook se niveli i ujit e kalon kuotën e 1.5 metrave, ku janë përmbytur 1200 familje.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)