1782384257_WhatsAppImage20260625at12.30.06.jpeg

Kryeministri Edi Rama e shfrytëzoi fjalën e tij në sesionin e dytë plenar të Konferencës për Rindërtimin e Ukrainës për të përcjellë mesazhin se rindërtimi i vendit nuk mund të presë fundin e luftës. Ai tha se Ukraina po rindërtohet ndërsa njëkohësisht mbron veten, ndërsa theksoi se Shqipëria mbështet idenë që paqja duhet të sigurohet me të njëjtën vendosmëri me të cilën mbrohet liria.

Rama shtoi se rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi europian i Ballkanit Perëndimor janë procese që përforcojnë njëri-tjetrin, duke e cilësuar rindërtimin jo si bamirësi, por si strategji për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme.

"Jam i sigurt se kontributi më i mirë që prisni nga unë është një fjalë e shkurtër, këtë do të bëj. Besoj se koncepti i këtij takimi është shumë i thjeshtë: nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë. Dhe pikërisht për këtë arsye jemi sot këtu. Ndërkohë, Ukraina po rindërtohet, ndërsa njëkohësisht mbron veten. Ky është kuptimi i madh i kësaj konference. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj. Nga ana tjetër, ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja kanë të bëjnë me plotësimin e Europës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe uljen e cenueshmërive strategjike. Natyrisht, rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, europiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke treguar se e gjithë Europa është e aftë ta bëjë këtë. Dhe, në përfundim të kësaj fjale të shkurtër, të cilën jam i bindur se do ta vlerësoni, Ukraina po rindërton guximin e Europës. Europa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës. Ju faleminderit shumë!” tha Rama