Javën e ardhshme pritet Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE! Propozimi i Macron në Shkup, Rama thirrje qeverisë maqedonase: Pranojeni

TIRANË- Javën e ardhshme pritet të mbahet Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian! Lajmi është dhënë nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në sallën e Kuvendit, i cili e quajti një moment historik për Shqipërinë. Ai shtoi se tashmë është arritur dakordësia politike mes palëve, duke konfirmuar se Konferenca e Parë Ndërqeveritare do të mbahet javën që vjen, por pa dhënë një datë konkrete.

Një gjë e tillë vjen pas ngërçit të zgjidhur me Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku “çelësi” ka qenë propozimi i presidentit francez Emanuel Macron. Në ditën e fundit të Presidencës franceze të Bashkimit Evropian, në tryezën e qeverisë së Shkupit mbërriti sot zyrtarisht propozimi francez për zgjidhjen për heqjen e vetos bullgare me garancinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Macron u shpreh në një konferencë për mediat, se ka marrë dakordësinë e kryeministrit dhe presidentit të Bullgarisë për propozimin francez, dhe pret që diskutimet në qeverinë e Shkupit të jenë pozitive. Në Maqedoninë e Veriut pritet të nisin konsultimet e gjera në qeveri dhe partnerët e koalicionit, presidentin, parlamentin, opozitën dhe me shoqërinë civile. Për këtë ka pasur edhe një lutje nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili iu kërkon maqedonasve dhe shtetasve shqiptar në Maqedoninë e Veriut që t’i thotë “po” këtij propozimi.

Këto sinjale, vijnë pas samitit jo shumë pozitiv të BE-së në Bruksel që  mbajti peng integrimin nga refuzimi i Bullgarisë, duke hapur një debat të gjerë për ndryshimin e rregullave të integrimit, dhe heqjen e vetos. Por më tej, Parlamenti i Bullgarisë hoqi veton për Maqedoninë e Veriut duke hapur rrugë shprese për një vendim të afërt të BE-së për  të përcaktuar një datë për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe fqinjin tonë lindor. Nga e premtja, presidencën e BE-së e merr Çekia.

Cili është 'Propozimi francez'?
Drafti tashmë i miratuar parashikon që së pari të garantohet hyrja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe. Kusht tjetër është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së "gjuhës maqedonase". Duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij. Në kuadër të procesit negociator duhet të paralajmërohet edhe rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë me Republikën e Maqedonisë Veriore.

Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t'i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi "merr parasysh" synimet e të dyja palëve për të lëshuar "deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase", me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:28
Çfarë do të thotë Konferencë e parë Ndërqeveritare, nis ‘vrapimi’ i fundit i Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë

Sot kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla tha se javën e ardhshme do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare! Megjithatë,  çfarë do të thotë kjo për vendin tonë?

Konferenca e parë Ndërqeveritare nis zyrtarisht edhe bisedimet për anëtarësim të një vendi në Bashkimin Evropian. Në konferencë mblidhen përfaqësues të qeverisë dhe përcaktohen kornizat themelore. Këto korniza përcaktojnë udhëzimet dhe parimet që rregullojnë negociatat e anëtarësimit me çdo vend kandidat. Komisioni do të fillojë menjëherë punën e nevojshme përgatitore. 
Negociatat zhvillohen midis ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet konferencë ndërqeveritare.

Faza e parë përfshin shqyrtimin rigoroz të legjislacionit të vendit kandidat; negociatat pastaj vazhdojnë në mënyrë metodike përmes një sërë legjislacioni të BE-së, të cilin vendi kandidat duhet të miratojë, zbatojë dhe zbatojë. Negociatat shtrihen edhe në të drejta dhe detyrime të tjera që të gjitha Shtetet Anëtare duhet të pranojnë - këto njihen si Community acquis.
Negociatat e anëtarësimit duhet të përfundojnë përpara se një shtet i ri anëtar të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Reformat politike dhe ekonomike të kryera nga vendi kandidat monitorohen dhe vlerësohen rregullisht dhe ritmi i negociatave përcaktohet nga rezultatet. Vetëm kur të gjitha palët janë të kënaqura, procesi përfundon me nënshkrimin dhe ratifikimin e një Traktati të Aderimit. Gjatë procesit të negociatave për anëtarësim, kandidatët dhe vendet kandidate potenciale mund të marrin mbështetje përmes Instrumentit për Asistencën e Para-Aderimit (IPA). Kjo përfshin një sërë programesh ndërkufitare me shtetet anëtare të BE-së, të cilat pasqyrojnë nga afër funksionimin e fondeve strukturore. Negociatat e anëtarësimit janë aktualisht në vazhdim me Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë. Negociatat janë hapur edhe me Islandën, por aktualisht janë në pritje.

Elementët e negociatave për çdo kapitull
Screening – Komisioni bën një ekzaminim të detajuar, së bashku me vendin kandidat për secilin kapitull për të përcaktuar sa është përgatitur vendi në këtë fushë. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni ia paraqet vendeve anëtare në formën e një raporti analizues. Konkluzioni i këtij raporti është një rekomandim i Komisionit për të hapur direkt negociatat apo për të vendosur disa kushte të caktuara – fillimisht duhen arritur “standardet e hapjes” ose siç quhen opening benchmarks.

Pozitat e negociimit – para se negociatat të nisin, vendi kandidat duhet të tregojë pozicionin e tij dhe Komisioni duhet të përcaktojë ose të përshtasë një qëndrim të përgjithshëm. Për shumicën e kapitujve Komisioni do të vendosë standarde përfundimtare të cilat duhet të arrihen patjetër nga vendi kandidat që negociatat të konsiderohen të përfunduara. Në rastin e Shqipërisë, mendohet të jetë një start i mirë fakti që është bërë një punë paraprake sa i përket Screening (analizës) me kapitujt që do të hapen të parët, 23 dhe 24 dhe që përfshijnë gjyqësorin dhe reformën nëdrejtësi.

Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformave dhe përafrimi i legjislacionit të vendit me atë të BE-së. Edhe pse nuk ka një publikim institucional sa i përket përafrimit të legjislacionit tonë me atë të BE-së, mendohet që kjo shifër të mos e kalojë 30%. Duhet marrë parasysh që kur një kapitull të konsiderohet i mbyllur, legjislacioni i asaj fushe duhet të jetë përafruar 100%.

A përfitohen fonde?
Nëse Shqipëria hap negociatat, a përfiton fonde shtesë me qëllim përgatitjen për negociatat e anëtarësimit? Strategjia e Zgjerimit 2018 e KE-së parashikon natyrisht burimet financiare për një anëtarësim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit. Instrumenti i Paraaderimit (IPA) është instrumenti që u vjen në ndihmë financiarisht këtyre vendeve në përgatitet e tyre për anëtarësim dhe lehtëson bashkëpunimin rajonal dhe ndërkufitar.

Gjatë viteve 2007-2017, KE ka investuar më shumë se 8.9 miliardë euro në rajon nëpërmjet IPA-s. Duke iu referuar përvojave të mëparshme të anëtarësimit, një zhvendosje graduale nga etapa e para-anëtarësimit tek ajo e të qënit vend anëtar, duhet të jetë e mirëparashikuar, në mënyrë që të mundësojë zhvillimin kapaciteteve për të përthithur fonde. Pra, e thënë shkurt, nëse hapat e Shqipërisë në periudhën e negociatave do të jenë të qarta dhe të sigurta, edhe mundësitë për të përthithur më shumë fonde, do të rriten. Gjithçka varet nga ecuria e reformave dhe përmbushja e kritereve të anëtarësimit.

Ora 17:00
Integrimi i Shqipërisë në BE/Balla: Javën e ardhshme mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare

Javën e ardhshme mbahet konferenca e parë ndër qeveritare. Lajmi u bë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

"Kërkova fjalën për të ndarë një lajm të rëndësishëm sa i përket rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE që ka të bëjë me faktin se ka një dakordësi të plotë mes 27 endeve anëtare të BE për të mbajtur javën e ardhshme Konferencën e Parë ndërqeverisë mes Shqipërisë dhe BE. Është një moment i rëndësishëm, kjo pas komunikimeve të disa orësh të parlamenteve anëtare. Sapo është larguar edhe ambasadori i Çekisë me të cilin pata mundësinë të zhvilloj një komunikim. Dakordësia politike tashmë është arritur dhe mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare tashmë javën e ardhshme është fakt", tha Balla. 

Ora 16:53
Propozimi i Macron/ Rama: Vëllezërve maqedonas dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut pranoje

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përshëndetur propozimin e Presidentit francez, Emmanuel Macron, për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtarë ngërçit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së veriut. Rama ka pasur edhe një lutje për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, që ta pranojnë këtë zgjidhje.

"Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari,i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Europian! Vëllezërve maqedonas&shqiptarë në MV u them: Pranojeni!", shkruan Rama. 

Ora 16:42
Propozimi francez, reagon Kovaçevski: Do kalojë në proces të gjerë konsultimi! I shpreh mirënjohjen time Presidentit Macron

Pasi propozimi francez mbërriti në Maqedoninë e Veriut ka reguar kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski i cili u shpreh se kjo çështje do të kalojë në proces të gjerë konsultimi.

'Sot nga Presidenca Franceze në Qeveri është pranuar një propozim me ide që kanë të bëjnë me qëndrimet dhe qëndrimet tona të shprehura publikisht në lidhje me kontestin me Republikën e Bullgarisë.

Ky propozim, përgatitja e të cilit merr parasysh qëndrimet dhe kërkesat tona, do të kalojë në një proces të gjerë konsultimi. Konsultimet në ditët në vijim do të mbahen në Qeveri, parti politike, president të shtetit, Parlament, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend. Vendimi në lidhje me propozimin do të merret pas këtyre konsultimeve.

Ashtu siç premtuam dhe kundër spekulimeve të opozitës, vendimin për të ardhmen tonë do ta marrim bashkërisht sipas interesave strategjike të vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë.

I shpreh mirënjohjen time Presidentit Macron dhe Presidencës Franceze për përpjekjet e tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të ruajtur besueshmërinë evropiane në Ballkan.'

Ora 16:18
Propozimi i Macron për zgjidhjen e krizës shkon në tryezën e qeverisë së Maqedonisë, reagon kreu i KE: Tani është koha për të thënë po

1653510569_Capture.JPG

Në një kohë ku propozimi i presidentit francez Emmanuel Macron, për të zgjidhur krizën ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë e Veriut, janë tashmë në tryezën e qeverisë që Maqedonisë së Veriut, ka ardhur reagimi i presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel.

Sipas Micjel, zgjidhja adreson shqetësimet e shprehura, ndërsa shton se tashme është koha për të thënë po.

‘Mirësevjen ‘Europë 2022 France’, zgjidhje për një marrëveshje që do të hapte rrugën për hapjen e bisedimeve për anëtarsimin në BE me Maqedoninë e Veriut. Zgjidhja adreson shqetësimet e shprehura. Ne jemi më të afërmit që kemi qenë ndonjëherë: tani është koha për të thënë po.’- shkruan Michel.

Ora 16:10
Propozimi i Macron mbërrin në Maqedoninë e Veriut, Qeveria: Vendimin për të ardhmen tonë do ta sjellim bashkërisht, në mënyrë meritore

Pasi propozimi francez nga presidenti Macron ka mbërritur në Maqedoninë e Veriut, ka ardhur edhe një njoftim nga qeveria ku thuhet se është një çështje e cila do të vendoset bashkërisht.

'Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë për Punë të Jashtme, nga presidenca franceze me BE-në, ka mbërritur propozimi me ide që kanë të bëjnë me pozicionet dhe qëndrimet, siç thuhet, publike dhe të qarta të vendit tonë. Kjo, siç thuhet në komunikatën e Qeverisë, paraqet bazë për hapjen e një procesi të gjerë konsultativ në Qeveri dhe partnerët e koalicionit, e më pas edhe me Presidentin e vendit, Parlamentin dhe opozitën, si dhe me sektorin qytetar dhe opinionin e ekspertëve në vend.

Ashtu siç kemi premtuar, vijon komunikata e Qeverisë, vendimin për të ardhmen tonë do ta sjellim bashkërisht, në mënyrë meritore, konform interesave strategjike të vendit dhe qytetarëve.

Qeveria e RMV-së, falenderon Presidentin Macron dhe presidencën franceze, për përpjekjet e tyre që të tejkalohen pengesat dhe të ruhet kredibiliteti evropian në Ballkan.'- thuhet në njoftim.

Ora 16:09
Negociatat e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Macron: Jam i bindur se do të ketë kompromis! Pala bullgare konfirmoi propozimin francez

Presidenti francez, Emanuel Macron ka bërë të ditur zhvillimin e mëtejshëm të negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në një deklaratë për shtyp në samitin e NATO-s, Macron sqaroi se në diskutimet serioze të dy ditëve radhazi, është i bindur se është gjetur një kompromis, në interes të të dyja palëve.

Presidenti francez, shtoi se do të ketë diskutime të mëtejshme në ditët në vijim në Shkup.

'Sa i përket Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ka pasur diskutime serioze natën mes të martës dhe të mërkurës.

Në bazë të këtyre diskutimeve, jam i bindur se është gjetur një kompromis që plotëson ndjeshmëritë e të dyja palëve. Besoj shumë se është në interes të të dyja palëve, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, është e pranueshme për të gjithë dhe shpresoj që në ditët në vijim të dyja palët ta konfirmojnë. Në fakt, presidenti dhe kryeministri i Bullgarisë, konfirmuan se janë dakord me këtë propozim iniciativë franceze dhe se do të ketë disa diskutime të mëtejshme në ditët në vijim në Shkup.

Kjo do të sjellë sigurinë, parashikueshmërinë dhe durimin që e kaluara mund të kapërcehet. Ky është shumë trajtim i frymës evropiane dhe shpresoj shumë që kjo të na mundësojë të punojmë të ardhëmn evropiane.'

 

Ora 14:43
Rama paralajmëroi lajm të mirë për negociatat, reagon Tabaku: Rrofsh sa malet o shoku Edi! Mos i harro festat e kaluara

Me ironi e ka pritur lajmin e dhënë nga Rama se sot mund të kemi një vendim të mirë sa i përket negociatave nga Brukseli, deputetja demokrate Jorida Tabaku. Teksa i drejtohet me ironi ‘Shoku Rama’, Tabaku i kujton edhe herët e tjera kur vendi sipas saj ka festar por lajmi s’ka ardhur.

 “Lideri na ka njoftuar se mbase do kemi një lajm të mirë! Rrofsh sa malet o shoku Edi po atë lajm shqiptarët që ikin sot nga vendi, duhet ta kishin marrë kur ishin ende të vegjël! Megjithatë ishalla ke qëlluar në shenjë kësaj radhe, se ke festuar shpesh po lajmi s’ka ardhur”, ka shkruar Tabaku në Twitter.

K.T./Sh.Sh/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Drogë me postë nga Kalifornia në Tiranë, dy të arrestuar! Sekuestrohet 3.2 kg kanabis

Drogë me postë nga Kalifornia në Tiranë, dy të arrestuar! Sekuestrohet 3.2 kg kanabis