Kompania kineze e rrjetit social, TikTok thotë se do të kërkojë 'sqarime urgjente nga qeveria shqiptare” lidhur me vendimin për mbylljen e platformës TikTok për një vit në Shqipëri, shkruan  Associated Press. 

Sipas vendimit të bërë të ditur dje nga kryeministri Edi Rama prej janarit të 2025 platforma e TikTok nuk do jetë e aksesueshme në territorin e Shqipërisë nga asnjë moshë,  si pjesë kjo e një plani për rritjen e sigurisë në shkolla. Rama tha se vendimi erdhi pas një muaj konsultimesh mes zyrtarëve të arsimit me prindërit pas vrasjes me armë të ftotë të  14 vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës 'Fan Noli', gjatë një konflikti me një tjetër nxënës po i kësaj shkolle, ndodhur më 18 nëntor 2024.

Platforma fajësohet për nxitje të dhunës dhe bullizmit, veçanërisht midis fëmijëve.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse TikTok ka një kontakt në Shqipëri, shkruan AP duke publikuar dhe një përgjigje me email, ndaj një kërkese për koment nga kompania kineze e cila informoi se do të kërkojë  “qartësi urgjente nga qeveria shqiptare” për rastin e adoleshentit të vrarë me thikë.

Në një reagim për Associated Press kompania e rrjetit social, TikTok tha se "nuk kishte gjetur ndonjë provë që autori ose viktima të kishte llogari TikTok dhe se raportimet e shumta kanë konfirmuar se videot që çuan në këtë tragjedi ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok."

Fëmijët shqiptarë përbëjnë grupin më të madh të përdoruesve të TikTok në vend, sipas studiuesve vendas.

Përmes një postimi në facebook kryeministri Edi Rama thotë se vendimi u nxorr si konkluzion "pas 1300 takimeve të organizuara në të gjithë territorin e vendit nga Ministria e Arsimit, ku morën pjesë 65.000 prindër, si edhe nga anketimi i bërë ku mbi 90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në platformën Tik Tok në Shqipëri"

Gjatë takimit përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësues e prindër,  kreu i qeverisë bëri të ditur dje se përgjatë vitit të aplikimit të masës do të shihet se si veprojnë vende e tjera dhe nëse do vendosen filtra në rrjetin social.

"Është rrugaçi i lagjes që ne kemi frikë që fëmija të shoqërohet me të kur del nga shtëpia. TikTok do ta mbyllim për një vit. Kemi bërë hulumtime dhe do të na duhen 6-8 javë duke filluar nga fillimi i janarit dhe për 1 vit plotësisht për të gjithë. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do ketë. Gjatë atij viti do shohim si do veprojnë vendet, çfarë do nxjerrë teknologjia për filtra, si do reagojë vetë TikTok", tha Rama në takimin e fundit përmbyllës të konsultimit publik", u shpreh kryemimistri Edi Rama.

Ka pasur shqetësime në rritje nga prindërit shqiptarë pas raportimeve të fëmijëve që marrin thika dhe sende të tjera në shkollë për t’i përdorur në grindje ose raste ngacmimi të nxitura nga historitë që ata shohin në TikTok.

Kryeministri tha se promovon vetëm dhunë, krime e llum, në ndryshim të përmbajtjeve që shfaqen në Kinë, vendi mëmë i kompanisë.

”TikTok në Kinë, ku është kompania e tij mëmë, janë të ndryshme, duke promovuar si të studiojmë më mirë, si të ruajmë natyrën … e kështu me radhë”, sipas Ramës.

Shqipëria është një vend shumë i vogël për t’i imponuar TikTok një ndryshim të algoritmit të tij në mënyrë që të mos promovojë “riprodhimin e ferrit të pafund të gjuhës së urrejtjes, dhunës, bullizmit e kështu me radhë”, shkruan zyra e Ramës në një përgjigje me email drejtuar kërkesës së Associated Press për koment.

Zyra e Ramës tha se në Kinë TikTok “parandalon fëmijët që të thithen në këtë humnerë”

Mbyllja e Tik Tok-ut pritet të shoqërohet nga vendosja e kamerave brenda dhe përreth shkollave, rregulla të reja mbi telefonat celularë gjatë orëve mësimore, me dyfishimin e oficerëve të sigurisë nëpër shkolla, si dhe me koordinim më të fortë mes tyre dhe policisë së shtetit e  programe trajnimi dhe bashkëpunim më të ngushtë me prindërit.

Por jo të gjithë ishin dakord me vendimin e Ramës për të mbyllur TikTok.

“Vendimi diktatorial për mbylljen e platformës së mediave sociale TikTok … është një akt i rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë”, ka thënë Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike për AP

“Është një akt i pastër elektoral dhe abuzim me pushtetin për të shtypur liritë”, shtoi ajo për Associated Press

Shqipëria mban zgjedhjet parlamentare vitin e ardhshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:19
Mbyllja e TikTok, Bardhi: Modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Edi Ramës

1733995050_gazmentbardhi.png

Gazment Bardhi

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok për një vit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thotë përtej ndikimit që mund të kenë rrjetet sociale, shkaku i vërtetë i keqformimit të fëmijëve dhe të të rinjve, sipas tij, është “mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale”.

“Modeli dhe ndikimi më i keq tek fëmijët është qeverisja e Edi Ramës!

Ajo i jep modelin fëmijëve se:

nëse vjedh bëhesh ministër;

nëse vret apo trafikon drogë bëhesh deputet;

nëse dhunon dhe bashkëpunon me bandat bëhesh drejtor policie;

nëse je arrogant bëhesh kryetar bashkie;

nëse je militant partie bëhesh drejtor shkolle; apo

nëse je bandit emëron drejtorë dhe fiton tendera.

A nuk është më e shëndetshme për fëmijët dhe garanci më e madhe për mirërritjen e tyre që të mbyllim qeverinë e Edi Ramës?! Sigurisht që PO!

Boll është boll, 12 vjet keqqeverisje dhe gjithmonë një alibi e gatshme që faji është diku tjetër. E vërteta është që faji është tek papërgjegjshmëria e Qeverisë së Edi Ramës, tek mungesa e politikave të duhura në arsim, tek shndërrimi i shumicës së mësuesve në trupë elektorale”,- shkruan Bardhi.

Ora 15:20
Mbyllja e Tik Tok, Berisha: Edi Rama vendosi ta ndalojë, aksionet e tij kanë rënë në mediat sociale! Do hapet pas zgjedhjeve, vazhdoni postoni

 

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar lidhur me mbylljen e plaformës Tik Tok të lajmëruar më herët prej kryeministrit Rama dhe ministres Manastirliu. Sipas Berishës, i cili mesazhin e dha pikërisht në këtë platformë që po mbyllet, ky akt u ndërmor jo për shkak të vrasjes së Martin Canit, 14 vjeçar te shkolla Fan Noli një muaj më parë.

Sipas tij, mbyllja e tiktok është një akt censure i Edi Ramës, pasi nuk do që të denigrohet puna e qeverisë së tij në këto platforma të cilat nuk kontrollohen dot.

'Në një akt ekstrem censure, Edi Rama informoi dje se ka vendosur të bllokojë plotësisht platformën e Tik Tok-ut. Sipas tij, ishte ky një shkak madhor i vrasjes së nxënësit në shkollë.

Mirëpo, kompania e Tik Tok informoi se, as i ndjeri Martin, as dhe vrasësi i tij nuk kishin llogari në këtë platformë.

Çfarë del? Kësaj i thonë njëlloj sikur, për të mos patur aksidente, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo të ndalojmë përdorimin e rrugëve dhe këto janë absurditete.

E vërteta është se, Edi Rama vendosi ndalimin e platformës së Tik Tok-ut vetëm e vetëm se, aksionet e tij në mediat sociale kanë rënë përtokë, siç dëshmojnë të gjitha sondazhet.

Së dyti, ai nuk i blen dot këto platforma, siç blen media tjera në Shqipëri.

Dhe së fundmi, jemi në prag të zgjedhjeve dhe nuk toleron dot negativitetet e pasqyruara nga qytetarët në këto platforma.

Duke ju garantuar se, platforma e Tik Tok-ut do të hapet menjëherë pas zgjedhjeve, ju ftoj të dashur miq, të postoni në llogaritë tuaja të Tik Tok, por edhe rrjeteve tjera sociale, statuse në mbrojtje të kësaj platforme dhe në dënim të censorit ekstrem, narkodiktatorit Edi Rama', tha Berisha në Tik Tok.

Ora 10:43
TikTok do 'sqarime urgjente'? Reagon Braçe: Qetësohuni e po deshët sillni variantin kinez të TikTok-ut tuaj

Tirane- Deputeti socialist Erjon Braçe ka reaguar lidhur me qëndrimin e kompanisë kineze lidhur me vendimin e qeverisë për të mbyllur TikTok për një vit.

Në një reagim me email që kjo kompani i ka drejtuar Associated Press kompania thotë se do të kërkojë sqarime urgjente nga qeveria shqiptare lidhur me këtë qëndrim.

 Braçe e quan të drejtë vendimin e qeverisë duke argumentuar se ndryshe nga algoritmet që kjo kompani ofron në plaftormën e tyre në Kinë, algoritmet në Shqipëri promovon dhunë e bullizim.

TikTok do “sqarime urgjente”?? Kush janë këta? Dëgjoni kënget tuaja kuruese, qetësohuni dhe po deshët sillni variantin kinez të tik tokut tuaj!! Kjo arma që keni hedhur edhe këtu, thjesht asgjësohet!!' shkruan Braçe.

Ora 10:17
Mbyllja e TikTok, ish ambasadorja e BE-së mbështet nismën: Shqipëria s' ka frikë, nuk qenka kaq e vështirë, Europë

Ish ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin, ka vlerësuar nismën e qeverisë shqiptare për të ndaluar TikTok për një vit.

Në një reagim në rrjetin X, Vlahutin shkruan se Shqipëria ka treguar se nuk ka frikë të ndërmarri veprime të tilla.

“Po! Para disa ditësh, Presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa u u dha të gjithë liderëve të BE librin “Freedom” (Liria) të shkrimtares Lea Ypi. Tani Shqipëria po tregon rrugën edhe në TikTok. Shqipëria po vepron përtej pritshmërive. Pse? Sepse nuk kanë frikë”, shkruan Vlahutin në rrjetet sociale.

"Nuk qenka kaq e vështirë, Europë' shkruan në një tjetër postim Vlahutin.

Lajmin për mbylljen e TikTok për një periudhë 1-vjeçare, kryeministri e konfirmoi dje në takimin përmbyllës të këshillimit kombëtar me mësuesit e prindërit për masat ndaj TikTok dhe sigurinë e fëmijëve në tërësi

Ora 08:38
Shqipëria do të mbyllë TikTok për 1 vit, Rama: E duan 90% e prindërve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe një herë sot lidhur me vendimin e qeverisë për të mos e bërë të aksesueshme platformën e Tik Tok në Shqipëri për një vit duke nisur nga janari 2025.

Përmes një postimi në facebook kryeministri Edi Rama thotë se vendimi u nxorr si konkluzion "pas 1300 takimeve të organizuara në të gjithë territorin e vendit nga Ministria e Arsimit, ku morën pjesë 65.000 prindër, si edhe nga anketimi i bërë ku mbi 90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në platformën Tik Tok në Shqipëri"