Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund në mënyrë të pakthyeshme, u shpreh kryeministri Rama. ai  tha se reforma e drejtësisë, merita e së cilës i takon vetëm atij dhe PS, ishte dorëzim i shpatës së drejtësisë te pushteti i gjyqësorit.

Sistemi po shfaq aftësi vetëpastrimi, vijoi Rama dhe ky është suksesi më i madh.

“Koha kur në këtë vend drejtësia ishte një derë e mbyllur sa herë trokiste e drejta dhe e hapur kur e keqja donte të ulej këmbëkryq për Pazar, nuk vjen më. Nuk kthehet më koha kur pushteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë. Ka ikur ajo kohë sepse unë dhe PS i hymë detit me këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë dhe të dhimbshme, aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë nga duart e pushtetit politik në duart e drejtësisë të çliruar dhe të pavarësuar. E bëra unë, jo se isha naiv, as se nuk e dija që do të kërkonte koka, por sepse ishte imja, jona barra e asaj sakrifice të madhe politike. Sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar është vetë sistemi që po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë. Kjo është arritje e madhe, autopsinë e së cilës nuk e negocioj me askënd. Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli, nuk e solli as koha, as SHBA dhe as Europa. Ata ndihmuan, por pa ne do të kishin bërë një Noc Rrok. Nuk e solli pavarësinë e drejtësisë sorrat e korbat që bërtasin “korrupsion” dhe shikojnë SPAK-un si armë kundër meje, që i kam mundur dhe i mund në çdo zgjedhje sa herë u bie mendja se më zunë ngushtë dhe më bënë gropën. Nuk është mundja e tyre ajo që më prish gjumin dhe as fryrja e pulëkakarisja e tyre. Kjo lidhet me çfarë po ndodh, me korrupsionin dhe drejtësinë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Vlora Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet