Dy të rinj shqiptarë injoruan urdhrin e policisë italiane për të ndaluar duke nisur një arratis të çmendur me makinë, e cila përfundoi me ndjekje policore dhe një sërë kallëzimesh ndaj tyre. Ngjarja ndodhi në kufirin mes San Mauro Pascoli, në zonën e Cesena-s, dhe Bellaria Igea Marina, në zonën e Riminit.

Rindërtimi i ngjarjes

Pak ditë më parë, efektivët lokalizuan një makinë Peugeot me ngjyrë të zezë, për të cilin dyshonin se përdorej për shpërndarjen e drogës.

Ndërsa policët po i afroheshin makinës për të kontrolluar personat që ndodheshin brenda dhe, mbi të gjitha, për të verifikuar nëse kishin drogë me vete, shoferi i dha gaz duke tentuar të arratisej dhe të humbiste gjurmët nëpër rrugët e San Mauro Mare. Një patrullë policie e priste në një postbllok.

Arratia e çmendur rrezikon këmbësorët dhe një grua shtatzënë

Efektivët e patrullës, kur panë Peugeot-in që po vinte me shpejtësi drejt tyre, i dhanë drejtuesit urdhër të ndalonte. Por ai iu shmang policëve që e ndoqën nëpër rrugët midis San Mauro Mare dhe Bellarias.

Shoferi po e drejtonte mjetin duke mos i përfillur të tjerët që kalonin në rrugë, mes tyre edhe familje që po shkonin drejt plazhit.

Gjatë arratisjes, disa këmbësorë, pasi dëgjuan zhurmën e motorëve dhe sirenat e makinave të policisë, u larguan të frikësuar drejt anës së rrugës, duke marrë fëmijët pranë vetes dhe duke u përpjekur t’i mbronin nga frika se mos goditeshin.

Edhe një grua shtatzënë, kur pa se makina e të arratisurve po vinte në drejtim të saj, arriti të shmangte përplasjen vetëm duke përshpejtuar hapin dhe duke vrapuar, megjithëse ndodhej mbi vijat e bardha të kalimit për këmbësorë.

Meqenëse mënyra e drejtimit të automjetit nga shoferi i ndjekur po krijonte një situatë konkrete rreziku për sigurinë e drejtuesve të tjerë të automjeteve dhe të këmbësorëve, policët ngadalësuan ndjekjen.

Më pas, ndërhyrja e koordinuar e disa makinave të Policisë së Shtetit me shërbim në Cesenatico bëri të mundur ndalimin e Peugeot 208 dhe arrestimin e dy të rinjve.

Dy të rinjtë shqiptarë u akuzuan për shkelje të legjislacionit mbi armët, për posedimin e dy shkopinjve me maja të mprehta, mbajtja e të cilëve jashtë banesës pa një arsye të justifikuar është e ndaluar.

Drejtuesit të mjetit, 25 vjeç, iu hoq patenta dhe leja e qarkullimit. Ai rezulton klandestin në Itali pasi verifikimet treguan se i ishte refuzuar rinovimi i lejes së qëndrimit.