Prezanton paketën e re të Prokurimeve Publike/ Pas kryebashkiakëve, Rama-ministrave: 70% e tenderëve 2020-21 me probleme! Nëse nuk reagoni, do ju çoj në SPAK

TIRANË- Pas kryebashkiakëve, ishte radha e ministrave që të merrnin mesazhin e kryeministrit Edi Rama se nëse do kishin abuzime me tenderat, ai vetë do i çojë në SPAK. 70% e tenderave të dhënë përgjatë periudhës 2020-2021 janë me probleme, tha Rama, por ajo që për të është një shqetësim më madhor është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve të Agjensisë së Prokurimeve Publike.

Nisur nga kjo neglizhencë dhe mospërfillje, siç kreu i qeverisë i cilësoi, Rama u kërkoi ministrave, drejtorëve të institucioneve, por edhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu që të reflektojnë, që të mos kenë të njëjtin fat si Fatos Tushe, kryebashkiakut të Lushnjes tashmë të arrestuar nga SPAK.

"E patolerueshme që rekomandimet e Agjensisë së Prokurimeve Publike të mos kenë asnjë përgjigje. Çdo rast i tillë do shkojë në SPAK nga kjo godinë. Indiferentët përkatës këtë çështje ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete", tha Rama ndër të tjera. 

Kreu i qeverisë Edi Rama prezantoi këtë të martë paketën e re të prokurimit publik, që synon sipas tij të kapërcejë sa më parë dhe sa më shpejt hendekun mes politikës dhe të ardhmes. Me paketën e re ligjore, Rama tha se ministrat, janë po njësoj përgjegjës si titullarët e Bashkisë për procedurat e tenderit, ku përfshihet numri i pjesëmarrjeve, vlera e kursyer në paratë e buxhetit të shtetit, nënshkrimi i kontratave, realizimi i tyre në terren si edhe kufizimi i tenderëve me negocim pa shpallje, që janë edhe 5 prioritetet e paketës së re të Prokurimeve. Nëse do të ketë abuzimeve në këto pika, Rama ua bëri të qartë se nuk do të ketë asnjë tolerim dhe se partia nuk do të jetë një mburojë për ta.  

"Me ligjin e ri, titullarët e autoriteteve kontraktore janë përgjegjës direkt për menazhimin e fondeve dhe numri i pjesëmarrësve për procedurë, vlera e kursyer, numri i procedurave për negocim dhe këtu ministritë kanë shembullin më domethënës të procesit, kjo tregon se ku ka vullnet, ka rezultat, edhe aty ku duket sikur janë të gjitha argumentet ku të duket që rezultati mos kërkohet sepse nuk arrihet", tha Rama.

Ky takim i Ramës vjen pas super operacionit të SPAK që çoi në pranga kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe si edhe zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, mes tyre edhe ish-drejtoresha e prokurimeve publike në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari, për abuzime me tenderët që i kanë shkaktuat një dëm shtetit me miliona lekë.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:50
Amendimi i Ligjit për Prokurimin Publik, disa nga ndryshimet e parashikuara për forcimin e kontrollit mbi tenderat

1. Konkurrimi dhe marrja e një tenderi bëhet më e vështirë për operatorët ekonomikë, që kanë abuzuar me një kontratë të mëparshme. Ndryshimet ne ligj rrisin transparencën dhe bëjnë të mundur garën reale.

“Skualifikim nga procedura bëhet kur operatori ekonomik është tërhequr nga nënshkrimi i kontratës në një procedurë të zhvilluar nga vetë autoriteti kontraktor. Skualifikim të operatorit kur nuk ka respektuar një kontratë të mëparshme. Përjashtim nga pjesëmarrja në procedurat e tenderimit për një periudhë 3 muaj deri në 3 vite nëse operatori ekonomik është tërhequr mbi 5 herë nga nënshkrimi i kontratës” .

2. Ndryshojnë edhe afatet kohore për pritjen e ofertave për procedurat e prokurimit ndërkombëtar dhe vendas, duke i shkurtuar ato.

“Është shkurtimi i afateve për periudhën e pritjes së ofertave. Nëse në ligjin aktual afati për pritjen e ofertave për procedurën e prokurimit ndërkombëtar është minimalisht 45 ditë, parashikohet afati minimalisht 30 ditë. Ndërsa për procedurat vendase do të jetë 15 ditë, ndërkohë që është 23 ditë”, 

3. Rritet transparenca në rastet e ankimimit nga operatorët teknikë. Tashmë nuk shpallet fituese thjesht oferta më e ulët, por ajo që është më e favorshme dhe efektive.

“Nëse në ligjin aktual ankuesi paraqet ankesën fillimisht në autoritetin kontraktor brenda 7 ditëve, autoriteti ka të drejt ta analizojë brenda 7 ditëve. Më pas ankuesi nëse nuk është dakord bën ankimimin brenda 10 ditëve në APP(Agjencine e Prokurimit Publik), pra një periudhë 24 ditë. Ligji i ri parashikon 10 ditë për t’u ankuar tek të dy autoritetet për procedurat ndërkombëtare dhe 5 ditë për procedurat e hapura. Si kriter për shpalljen e ofertës fituese me ndryshimet e reja parashikohet oferta ekonomikisht më e favorshme, e cila identifikohet në bazë të çmimit dhe kostos duke përdorur metodën e efektivitetit të kostos”.

4. Ligji u mirëprit nga OSBE. Zëvendëskryetari i prezencës se OSBE në Shqipëri, Robert Wilton u shpreh: “Korniza ligjore për prokurimin publik është pikënisja për rritjen e transparencës në këtë proces esencial. Është një shenjë e shëndetshme për përkushtimin e qeverisë për mirëfunksionimin e demokracisë dhe për mbajtjen e resurseve publike dhe të tatimpaguesve”

5. Korrupsioni dhe abuzimi me tenderat nuk zhduken, por minimizohen.

6. Shtohet elementi i konfliktit të interesit, ku asnjë individ nuk do të lejohet të marrë pjesë në vendimmarrje nëse në garë merr pjesë një operator ekonomik i lidhur me të.

7. Rritet monitorimi dhe kontrolli nga institucionet ndaj kontratave.

Ligji i Prokurimit Publik 23 dhjetor 2020

Ora 11:31
Rama-ministrave: Nëse nuk reagoni pas rekomandimit të Agjencisë së Prokurimit Publik do ju çoj në SPAK

 

Kryeministri Edi Rama u ka bërë të qartë ministrave se nëse nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre pas rekomandimeve të Agjencisë së Prokurimeve Publike për tendera me probleme, do i çojë në SPAK.

"Në një kohë të shkurtër, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër të nivelit të Prokurimeve Publike, në radhë të parë duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrak, dhe duke funksionuar kështu, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikim duhet të jetë 100% i garantuar. Rekomandimet e APP nuk janë as në Bibël e as në Kuran, edhe pse këto përsëri hanë diskutimet e tyre mes besimtarëve, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa të mos ketë fare përgjigje, a thua se kjo APP mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kryeministria, pastaj a është i qëllimshëm apo injorancë këtë çështje pastaj hane hetimet. Janë disa objektiva të realizueshëm, që afatet janë të padiskutueshme. Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet, tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive duhen marrë masa që të merren hetime administrative", tha Rama.

Ora 11:30
Rama: 30-50% e tenderave vetëm me një operator ekonomik, punonjësit e angazhuar nuk kuptojnë procesin

 

Kryeministri Edi Rama, para ministrave të kabinetit të tij, tha se 30-50% e tenderave janë vetëm me një operator ekonomik. Sipas Ramës, problem është 'qepja me dorë' e kritereve për kualifikimin që ndikojnë, sipas tij, në pjesëmarrjen dhe ngushtimin e konkurrencës së operatorëve. Po ashtu, një tjetër problematik, sipas kryeministrit, është edhe fakti se punonjësit e angazhuar në këto procese, kanë probleme në kuptimin e vetë procesit.

"Në problematikën e prokurimeve, armiku kryesor janë kriteret e qepura me dorë për kualifikim, që ndikojnë në uljen e pjesëmarrjes dhe në ngushtimin e hapësirës së konkurrencës së operatorëve ekonomik në procedurat e prokurimit publik. Janë asistuar nga APP 936 proceduara dhe nga këto, mesatarja e ofertave të kualifikuara është 2.56. Nga ana tjetër, analiza e të gjitha procedurave të zhvilluara nga institucionet, rezulton se nga 25, 21 prej tyre, 30-50% të procedurave i kanë vetëm me një operator ekonomik, pavarësisht se procedura është e hapur. Po ashtu, është me rëndësi për ta ditur q hetimet administrative të kryera nga Agjencia e Prokurimeve Publike, gjatë viti 2020 dhe 6 mujorit të parë të 2021 janë hetuar 57 procedura prokurimi. Rëndësi ka se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, kritere kualifikimi që nuk kanë lidhje fare me objektin e kontratës, shpallje fitues e operatorëve që nuk plotësojnë kriteret dhe për këtë janë dënuar me gjobë 41 punonjës, dhe masë disiplinore 91 punonjës. Në këtë moment është shumë e rëndësishme që të bëhet një analizë serioze e kapacitete njerëzore të angazhuara në këto procese sepse bie në sy niveli i ulët i kuptimit të vetë procesit, që pastaj krijon një efekt zinxhir dhe degradon procesin në rezultate të shëmtuara", tha Rama.

Ora 11:19
Rama: 70% e tenderave me probleme për hartimin e kritereve!

 

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se 70% e tenderëve të bërë kanë pasur probleme, ku pjesa më e madhe ka pasur probleme sa i takon hartimit të kritereve. Atë që sheh me problematikë, Rama tha se është mosreagimi i institucioneve pas rekomandimeve nga ana e Agjencia e Prokurimet

"Paketa e re adreson domosdoshmërinë për të rritur integritetin dhe përgjegjshmërinë e të gjitha palëve në këtë proces, për të forcuar mekanizmat monitorues dhe ndëshkues për shkeljet e konstatuara, prandaj dua që të bëj me shumë pak fjalë në mënyrë të përmbledhur një bilanc të cilin do t'ju inkurajoja që ta shikoni në mënyrë të specifikuar sipas fushave sepse ka të dhëna të rëndësishme. Janë asistuar 936 procedura të publikuara nga këto institucione, ndër to 70% e procedurave kanë rezultuar problematike në hartimin e kritereve dhe për këtë arsye institucioneve përkatëse janë dërguar rekomandime nga Agjencia e Prokurimet. 20% e institucioneve nuk janë reaguar dhe ose nuk kanë reflektuar ndaj rekomandimeve. Rekomandimet nuk janë të shkruara në gur, nuk janë të padiskutueshme, por është e padiskutueshme që mos reagimi ndaj tyre me shkrim për të vënë në diskutim me argumente është cënim flagrant i etikës shtetërore", tha Rama.

B.K./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ani: 13/07/2021 19:57

    O bablok, nese nuk e di (veshtire qe nuk e di), e ke te keqen brenda. Engjell Agaçi, Taulant Balla, Endri Fuga, jane strumbullaret e te gjjtha aferave, bashke me te gjithe Sekretaret e Pergjithshem, persa i perket tenderave e emerimeve ne vendet ku qarkullojne miliardat e lekeve. Mos bej sikur nuk i di se Shqiperia nje lagje eshte dhe merren vesh te gjjtha.

    Përgjigju
  • Vlera: 13/07/2021 11:43

    E Edo po te shkelin lejet e ndertimit ne mes te Tirones ke blloku, se ata te bashkise mbyllin nga nje sy

    Përgjigju
  • Tallje me Veten: 13/07/2021 10:48

    Po ca thua o i papergjeshem!!! Vet ligji i prokurimit publik i lejon hartimet e palocolliqeve te mbiquajtura specifikime dhe keto te paditur (mjeshtra)i bejn sipas rekomandimeve te fituesve te percaktuar ne tavoline apo urdherave te shefave. Duhet te mbaj pergjegjsi SP ose personi i deleguar me firme, Ministrat qe ne kohen e Sales nuk firmosin me( smbajne pergjegjsi)

    Përgjigju
  • Tutu: 13/07/2021 10:19

    Po cfare flet kuturu… po jane me probleme tenderat kane vjedhur , dhe duhet te pergjigjen para ligjit… o kryeminister maskara…po cflasim kot , ti bere çorap Vloren qe te vije ne krye te bashkise kryehajdutin e rrugeve Afrim Qendro…dhe ne te dhame voten me shprese…!!??

    Përgjigju
  • Arbri: 13/07/2021 10:12

    O Rame zhduki ministrat ke edhe ate Olti muzaken te financat qe mban miqt e vet drejtora ta Atk e FAF ka ankesa shume po ato i cojn ne kosh me porosi! pale punonjesit i heqin si u do qefi!

    Përgjigju
  • Tata: 13/07/2021 09:01

    Shkuan veç per qoka ppp-te,dhe pa asnje aspekt te nje burri shteti,kercenon me veprimet e spakut,kur ai vete drejton shtetin dhe strukturat e tij. Poqese ka humbur fuqine e ndeshkimit dhe kontrollit nepermjet shtetit,te tregohet i ndershem me vehten e vet e te kerkoje qeveri teknike gjer ne venien ne pune te gjith hallkave qeveritare,jo te bejne parada para skermave,por te kontrollojne strukturat nate e dite sepse ke ata çalon demokracia,atje nuk funksionon shteti ligjor. Ndjej veç keqardhje per kete vend,qe sdoli nje njeri ta qeverise me dashuri per te,per te paret,per gjakrat e derdhur,per jetet qe humbin.......

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE

Mero Baze: Mbi përballjen e socialistëve me drejtësinë dhe nevoja për administratën e Shqipërisë në BE