TIRANË- Vaksinat anti-COVID të Pfizer ruhen në depon qendrore të ISHP-së në kushte të larta sigurie, me policë në derën kryesore, në frigoriferë -80 gradë celcius të mbyllur me çelës dhe në ambiente të monitoruara me kamera sigurie.

Në ditën e tretë vaksinimit anti-COVID në vend, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektuan sot frigoriferët në ISHP ku ruhen vaksinat. Një përgjigje për skeptikët, tha Rama, që kanë hedhur në opinionin publik teori të ndryshme konsiprative mbi mënyrën sesi ruhen vaksinat në Shqipëri. Rama tha se nëse nuk do të ishte kjo qeveri, “sot vaksinat anti-COVID do ishin në dorë të Zotit”.

“Vaksinat do ishin në dorë Zotit, por të kishim ato depo. T’ia tregojmë dhe njerëzve se konsipracionet bëjnë punën e vet”, tha Rama.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur me shifra sa i përket kapaciteteve frigoriferike që ka Shqipëri për mbajtjen e vaksinave anti-COVID të kompanive të ndryshme.

 

“Jemi në Depon Farmaceutike të QSUT, ku tashmë janë instaluar edhe frigoriferët -70°C që i kemi patur, i kemi kualiduar dhe janë gati për të pritur serinë e vaksinave. Aktualisht vaksinat e Pfizer që kemi janë në Institutin e Shëndetit Publik. Edhe aty ruhen në kushte të standardeve ultra të ftohta -70 °C - -80 °C. Ndërkohë që këtu janë kapacitetet e tjera që ne kemi. Në tërësinë e këtyre kapaciteteve, kapacitetet aktuale për temperaturën -70 °C janë për 250 mijë doza vaksine, në mënyrë të menjëhershme, për vaksinën e Pfizer. Dhe sigurisht dhe për llojet e ndryshme të vaksinave. Për ato të Modernës nëse do të na vijë -20 °C, kemi kapacitetet për të pritur 950 mijë doza njëhkohësisht. Ndërsa përsa i përket kapaciteteve që kemi frigoriferike për vaksiant e llojeve të tjera, pra ato që kërkojnë 2-8 °C kemi kapacitet për të pritur 7 milion doza”, tha Manastirliu.

Ndërkohë, Rama bëri me dije se shumë shpejt do të nisë puna që laboratorët dhe frigoriferët për ruajtjen e vaksinave do të nxirren në një godinë të veçantë! Për këtë, ministrja Manastirliu tha se projekti është gati. 

Shqipëria nisi vaksinimin anti-COVID më 11 janar! 975 vaksinat erdhën si dhuratë nga Gjermania, ‘shteti mik’ për të cilën Rama zgjodhi të mos e thoshte emrin. Ndërkohë, pritet të mbërrijnë 500 mijë vaksina që shteti ynë i ka blerë nga kompania Pfizer. Si fillim, vaksinimi ka nisur me bluzat e bardha që shërbejnë në 4 spitalet COVID, teksa paralelisht po e bëjnë dhe epidemiologët si edhe do shtrihet edhe te shtëpia e të moshuarve, si grupe të riskut. Vaksina është falas dhe jo e detyrueshme.

1610538792_vaksina.JPG

Frigoriferët ku ruhen vaksinat anti-COVID të Pfizer