Rama: PD, si i dehuri i lagjes që shan 
 unë "komunisti" i dytë pas Saliut

Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën nga Shkodra, ku mori pjesë në ceremoninë e anëtarësimeve të reja të Partisë Socialiste, se përbalt qeverinë dhe reformat. Sipas tij, vendi sot vuan mungesën e opozitës, të cilët, tha Rama, ende s'janë zgjuar, edhe pse dy vite më parë kanë marrë goditjen me votë nga shqiptarët.
 
Kreu i qeverisë theksoi se sot PD ngjan me të dehurin në lagje, që shan dhe përbalt këdo që i vjen në mendje. Gjithashtu, kreu i qeverisë iu përgjigj me batuta edhe etiketimit të tij si komunisti parë që viziton Bashkinë e Shkodrës, vizitë kjo e zhvilluar disa ditë më parë. 

Sipas tij, komunisti i parë që ka hyrë në Bashkinë e Shkodrës ka qenë Berisha, ndërsa i dyti është vetë ai. Rama shoqërohej në takim nga deputetët e Qarkut të Shkodrës si Paulin Sterkaj, Namik Kopliku, Mimoza Hafizi dhe Pjerin Ndreu. 
 
Rama: Balta dhe shpifja, e vetmja gjë që PD i ofron popullit  
"I janë kundërvënë qeverisë dhe reformave. Por mos u shqetësoni, ata nuk janë opozitë, dhe kjo është mangësia më e madhe që ka Shqipëria sot, Shqipëria nuk ka opozitë. Por ka dy qeveri, një që nga rënë nga kali dhe një që bën detyrat. Akoma sot nuk është zgjuar pas goditjes që mori në qershorin e 2013-ë dhe goditjes që iu përsërit në qershor 2015. Ata janë thjesht qeveria e vjetër që jetojnë me idenë se në 2013-ën populli bëri një gabim të madh që i çoi nëpër shtëpia. Dhe dalin çdo ditë nga shtëpia që populli do e korrigjojë gabimin dhe do i fusë në zyrë, ndërkohë që e vetmja gjë që i ofrojnë popullit është balta dhe shpifjet. Vetëm përflasin dhe shajnë. Çdo lagje e ka një të dehur që e njeh e gjithë lagjja, që del nga shtëpia tapë dhe shan këdo që i shkon nëpërmend, njësoj si ky i dehur është edhe PD. Përballë nesh është një industri që prodhon baltë. Balta është prodhimi më i madh në një vend që bën reforma. Ata që bëjnë reforma në fillim përqeshen, thoshte Ghandi, dhe pastaj përbalten dhe nëse kanë vizion, vullnet, kurajo dhe aftësi, triumfojnë, dhe unë ju siguroj që ne do të triumfojmë", u shpreh Rama.
 
Kryeministri Rama garantoi se qeveria do të vazhdojë kursin e saj reformator për transformimin dhe modernizimin e vendit. Sipas tij, reformat e qeverisë po japin efekt dhe nëse këto reforma do të ishin bërë vite më parë nga atë sot akuzojnë, atëherë do të kishim një Shqipëri tjetër.   
 
"Unë besoj që ne sot jemi në kushtet kur mund të bëjmë një reflektim të gjithë së bashku si shoqëri dhe si njerëz të arsyeshëm, si individë, si familjarë, pavarësisht se jetojmë në Tiranë, Shkodër apo Vlorë. Po sikur reformat që po bëjmë të ishin bërë kohë më parë, si do ishte Shqipëria sot?
Ata që ne na kërkojnë llogari janë ata që patën mundësi t'i bëjnë reformat? Dhe nuk i bënë. Nuk i thanë shqiptarëve që dritat nuk vidhen dhe kush e konsumon energjinë do ta paguajë, sepse nga pagesa nuk varet thjesht funksionimi i sektorit energjetik por varet edhe arsimimi më i mirë i fëmijëve, shërbimi më i mirë shëndetësor, sjell rritjen e volumit të investimeve që mund të bëjmë nëpër komunitete. Nuk ua thanë këtë shqiptarëve por u shkelën syrin dhe i lanë ose ta vjedhin ose të mos e paguajnë energjinë. Ndërkohë që i lanë, borxhet vazhdonin të numëroheshin dhe të mblidhen si litar në fytin e atyre që jetuan sot për sot, jo për fajin e tyre, por për fajin e qeverisë që në fund të çdo viti merrte 150 milionë euro nga taksat dhe i çonte për të mbyllur gojën e hajnive dhe borxheve që krijoheshin nga mospagesa. Nëse ne do ta kishim bërë 20 vjet më parë këtë që kemi bërë në 2 vite, do t'i kishin thënë njëri- tjetrit stop, do të kishim patur mundësi të investonim në shëndetësi sa për 60 vjet, saç investon dhe ka investuar një qeveri shqiptare në 60 vjet. Sot s'do kishim shëndetësinë që kemi, spitalet që kemi, ambulancat që s'kemi, por një sistem shëndetësor shumë më dinjitoz. Nëse nuk do të kishim ndërmarrë këtë reformë, gjoja do të shkonim në kolaps, por nëse do e kishim ndërmarrë atëherë kur duhej, do kishim patur mundësi të investonim sa për 40 vjet në arsim. Sot s'do kishim mungesë për shkolla, nuk do kishte shkolla pa ngrohje, s'do mungonin as kopshtet e as çerdhet. Për bujqësinë, vetëm me ato para që janë treguar dhe i ka marrë lumi për të mbuluar hajnitë dhe borxhet, do kishim mundur të investonim në bujqësi sa për 30 vjet. Dhe sot s'do kishte asnjë fshat dhe asnjë m tokë që do vuante për pikën e ujit dhe s'do kishte asnjë zonë të përmbytur nga mungesa e infrastrukturës",
tha Rama.
 
Ai shtoi se i njëjti ritëm reformash duhet të ishte zhvilluar në të gjithë sektorët e vendit. Sipas kreut të qeverisë, vendi sot ka më shumë juristë sesa duhet kishte të arsimuar në shkollat profesionale.
 
Ai e ilustroi këtë me një batutë, kur sesi një kamarier me diplomë juridiku, pas një foto-selfie, i kishte kërkuar punë.  
 
"Kjo vlen vetëm për energjinë. Po sikur këto reforma të ishin bërë në të gjithë spektrin e jetës sonë, atëherë sot do të kishim një Shqipëri tjetër në arsim. sikur 20 vjet më parë qeveritë të kishin thënë që ne nuk prodhojmë më libra që nuk i merr vesh dreqi, e jo më prindi, nxënësi e mësuesi. sot kemi futur në arsimin parauniversitar librat e Universitetit të Oxfordit, Cambridge dhe që janë me cilësinë më të lartë europiane. Do të kishim 1.1 mln njerëz shumë më mirë të shkolluar dhe 440 mijë vajza e djem të sapo dalë nga universiteti në 5 vitet e fundit, që do të ishin një krah i kualifikuar shumë më cilësor. E njëjta gjë me universitet. Sikur të mos ishim bërë vendi më qesharak në Europë. 8 herë më shumë universitete se Britania e Madhe kishte Shqipëria. Sikur të mos i kishim thënë vajzave e djemve hajde se do iu bëjmë juristë, në vend që të hapnim shkollat profesionale. Nuk hipim dot në taksi se shoferi është jurist, kamerieri është jurist. Para ca kohësh më tha një kamarier, eja bëjmë një foto dhe na gjej një punë o burrë. Po ca shkolle ke bërë ti, e pyes, jurist më thotë, si të gjithë shqiptarët", theksoi ai.
 
Kreu i qeverisë u ndal edhe te reforma në Policinë e Shtetit. Sipas tij, ndryshimi në uniformat blu është i dukshëm dhe mjafton  ta konstatosh këtë qëkur sheh policët në rrugë.  
 
"Nëse Policia e Shtetit do të ishte ndërtuar si një institucion, që nuk do të ishte katandisur siç e gjetëm ne, një polici të plakur, me punonjës të pa shkollë. Me numrin më të vogël të të diplomuarve në shkollën e lartë, krahasuar me rajonin e jo më me Europën, e tradhtuar dhe e braktisur me paga qesharake dhe me një moral përtokë. Nuk kemi arritur akoma të bëjmë as atë që duhet të bëjmë plotësisht në furnizimin me energji, arsim, shëndetësi, polici, por me siguri që sot ka një ndryshim të madh, të dukshëm, mjafton t'i shohësh policët në rrugë dhe e ndjen ndryshimin. Shikon shifrat në luftën kundër informalitetit dhe e kupton ndryshimin", tha ai.
 
Duke komentuar situatën ekonomike, Rama tha se Shqipëria do të ketë rritje ekonomike gjatë vitit 2016-ë në shifrat 3.4%.  Ai theksoi se në vjeshtë të vitit 2013-ë, vendi ishte në prag të kolapsit financiar. 
 
"E di që ekonomia sot nuk është në ditët e veta më të bukura sipas asaj që presim dhe jo sipas asaj që kemi patur. Por ne morëm një ekonomi që ishte në prag të falimentimit. Dhe unë mund t'ju them se nëse ne nuk do të kishim bërë të mundur largimin  qeverisë së vjetër, së dyti, nëse nuk do të bënim të mundur ballafaqimin e drejtpërdrejtë me një mal borxhesh të fshehura, marrëveshja me FMN dhe marrja e borxhit të sigurisë për të përballuar atë situatë në fund të tetorit 2013-ë, shteti nuk do kishte mundësi të paguante më punonjësit e vet dhe Shqipëria do të përballej me një kolaps energjetik dhe financiar. Dhe ndërkohë unë e di shumë mirë se nëse ekonomia vitin e parë u dyfishua, në vitin e dytë 2.7%, këtë vit 3.4%, nuk është mjaft për t'iu thënë njerëzve se ekonomia juaj familjare është në rregull. Është mjaft për t'i thënë se ka vetëm një forcë që mund ta bëjë Shqipërinë Europiane dhe kjo është PS. Nuk ka një të dytë. Ne nuk jemi të përsosur por ne jemi si ajo reklama, "mbase nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka dhe fakti që ju keni ardhur kaq shumë këtu dhe fakti që kjo fushatë anëtarësimesh të reja na ka sjellë ne mijëra e mijëra vajza e djem, gra e burra, është prova më e mirë se më të mirët shkojnë tek më e mira", u shpreh Rama.
 
Gjithashtu, kreu i PS e komentoi përmes batutave edhe akuzave se ai është komunisti i parë që hyn në Shkodër, duke iu referuar një takimi në Bashkinë e Shkodrës me kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi. 

"Kur hyra në Bashki, më thanë që je i pari komunist që hyn në Bashkinë e Shkodrës. Por mendoj që jam i dyti, se i pari ka qenë Saliu…”, tha ai.
 
Duke iu përgjigjur akuzave të demokratëve se qeveria po diskriminon Bashkinë e Shkodrës, Rama tha se qeveria ka investuar 15 milionë euro, ndërsa theksoi disa nga veprat si rikonstruksioni i stadiumit, ndërsa premtoi ndërtimin e pallatit të Sportit.
 
Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se në ditën e Europës, 9 maj, do të inaugurohet muzeu i Marubëve.  
 
"Kryetarja e bashkisë nxori disa shifra sikur kemi diskriminuar Shkodrën. Por ne kemi investuar 15 milionë euro, për stadiumin e ri të Shkodrës dhe nëse ky quhet diskriminim, do të vazhdojmë diskriminimin. Do rindërtojmë pallatin e Sportit të Shkodrës, sepse Shkodra meriton një stadium të denjë, është qyteti i Vllazisë dhe ata që thonë jemi me Vllazinë, por e lan të luante në një fushë si fushë kooperative, e duan për fushatë. Ne e duam si krenari të sportit tonë dhe të traditës tonë. Dhe ata që mund ta kishin ndihmuar Vllazinën, përpara akoma s'e kanë marrë vesh që në Shkodër është luajtur edhe basketboll, edhe volejboll. Kam aptur fatin të luaj dhe të rrihem nga Sokol Kalaj e disa të tjerë. Ishin një fatkeqësi atëherë që partia e Saliut i quante me biografi të keqe e nuk i linte të luanin jashtë shtetit. Nëse ky quhet diskrinimin do të vazhdojmë ta diskriminojmë Shkodrën. Me rastin e festës së Europës, unë do vij në Shkodër, do e marr për dore ose do më marrë për dore, Voltanën, dhe do inauguroj muzeun e ri të Marubëve në shëtitoren e Shkodrës. Qeveria e mëparshme i la nëpër bodrume, por ne do t'i rikthejmë Shkodrës shkëlqimin si histori", deklaroi Rama. 

Regjisori dhe aktori, Bruno Shllaku, anëtarësohet në PS
Mes shumë anëtarëve të rinj që iu bashkuan sot Partisë Socialiste në Shkodër, ra në sy edhe emri i regjisorit dhe aktorit të njohur shkodran, Bruno Shllaku.

Në fjalën e tij, Shllaku tha se ndjehej i lumtur që i bashkohej PS-së në këtë moment dhe me kryetarin e zgjedhur, siç e cilësoi ai, kryeministrin Edi Rama.

Nga ana e tij, Rama tha se në PS ka vend për këdo.

"Është një kompliment për mua që në këtë valë prurjesh në PS, të të kemi një nga të rinjtë që na bashkohesh. Kam një vërejtje që ta heqësh këtë "zoti", sepse unë nuk jam "zoti" por jam Edi. Kryetarët shkojnë e vijnë, por poetët e shkrimtarët janë aty gjithmonë", tha Rama.
 
Hafizi: Kushdo në PS ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet
Deputetja e Qarkut të Shkodrës, Mimoza Hafizi, u shpreh gjatë ceremonisë së shpërndarjes së kartave të anëtarësisë, se të rinjtë vijnë në PS sepse besojnë se do të gjejnë një strukturë demokratike ku respektohen rregullat dhe normat.
 
Një nga deputetet e rreshtuara në krah të kolegut të saj, Ben Blushi, tha gjithashtu se kushdo që vjen në PS, ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet nga kryetari i organizatës bazë e deri te kryetari i partisë.
 
"Ju të rinj vini në PS për një karrierë të gjatë, të garantuar. dhe ju shpresoni që të mos shpërfilleni as ju e as shoqet tuaja. dëshiroj që të keni ardhur për të gjetur një strukturë demokratike, ku respektohen rregullat e normat. Ku secili prej jush ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet, nga kryetari i organizatës e deri te kryetari i partisë. Shpresoj se ju vini në PS për të sjellë një qeverisje më të mirë, kundër korrupsionit,  antishtetit, për kolegjialitet në PS, për respekt. Jam e sigurt që ju do të kërkoni t'i gjeni këto në PS. Dhe nëse është kjo, për një Shqipëri më të mirë, përmes një partie më të mirë, ardhtë sa më parë dita që kjo parti dhe fati i saj të jetë në dorën tuaj", u shpreh Hafizi. 

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin për anëtarësimet e reja në Shkodër 


Redaksia online
(L.Q/Shqiptarja.com)
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen