Rama: Për herë të parë do të
regjistrojmë emigrantët tanë

Rama: Për herë të parë do të<br />regjistrojmë emigrantët tanë
TIRANË - Për herë të parë Shqipëria do të regjistrojë emigrantët, një proces i vlerësuar "fatkeqësisht" historik nga kryeministri Edi Rama për shkak se shteti sipas tij duhet t'i kishte regjistruar shumë vite më parë. Nga janari i vitit të ardhshëm, çdo shqiptar që jeton jashtë kufijve do të ketë mundësinë të regjistrojë online banesën e tij duke përfituar kështu nga dhjetëra shërbime të munguara nga vendi i tij, vetëm për shkak se nuk i dihej adresa. Zyrtarisht në Shqipëri janë të mbi 4.4 milionë banorë të regjistruar në gjendjen civile në vendin tonë, por ajo që nuk dihet është se sa prej tyre jetojnë dhe punojnë nëpër botë.

Ndërsa prezantoi projektligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë” shefi i qeverisë tha se mungesa e sistemit të adresave është shëmbëlltyrë e mungesës së shtetit, ku për 25 vite Shqipëria ende nuk ka një shifër të saktë për shqiptarët në emigrim, edhe pse jo zyrtarisht mendohet që numri i tyre të jetë në mbi 1 milionë. 

Fjala e plote e Rames në prezantimin e projektit

slide regjistrimeve

“Sipas shifrave janë mbi 4.4 milionë shqiptarë, por ne nuk dimë sa janë këtu dhe ku dhe sa janë jashtë dhe ku. Dimë që shteti e ka të vështirë t’u shkojë pas për të bërë detyrën e vet, të japë shërbime me cilësi për ata që jetojnë këtu dhe jashtë Shqipërisë. Është një proces fatkeqësisht historik, edhe për faktin se jemi i vetmi vend i Evropës dhe besoj nga të paktët vende të botës, pa sistem adresash, me një sistem ku tjetërkund je, tjetërkund banon dhe tjetërkund shfaqesh. Kjo është shëmbëlltyrë e mungesës së shtetit, që nuk di ku ka njerëzit e vet dhe t’ju mundësojë shërbimet që meritojnë. Shqipëria, për shkak të mungesës së një shteti serioz, ka 25 vjet që këtë pasuri të paçmuar e ka lënë jashtë inventarëve dhe shqiptarët jashtë atdheut i ka trajtuar si shtetas të huaj Emigrantët e dinë se çfarë kanë hequr për të marrë një certifikatë", - tha Rama.

Me përmbylljen e këtij procesi - tha Rama - vihet në vend e drejta kushteuese e votës. 

“Me këtë projektligj ne i hapim rrugë pas 25 vjetësh, si një vend që bashkëjeton me emigracionin, mundësisë së çdo shqiptari, jo vetëm brenda por edhe jashtë, për ta trajtuar atdheun në radhë të parë si hapësirën ku secili ka të drejtën kushtetuese për të vendosur me votën e tij. Na duhet t’i bëjmë gjërat me themel dhe kjo kërkon kohë. Po bëjmë një proces që brenda dy vjetësh vendi ynë të bëhet një shtet që ka të regjistruar çdo individ, që ka çdo adresë për çdo frymë të gjallë, brenda dhe jashtë vendit. Dhe kjo sigurisht është ekonomi, veç të tjerave, sepse bën kapërcim epokal me një kohë tjetër, ku detyrimet që shteti merr janë të barabarta dhe ku barra ndahet mes të gjithëve. Sjellja e shtetit ka qenë e si spektatorë që e shohin nga jashtë realitetin.  Nuk ka pasur asnjë përpjekje për të regjistruar shqiptarët me banim jashtë vendit. Ky është një trup që do ta mbajnë ata që e kanë, e patën mundësinë për të qeverisur vendin, edhe nga shqiptarët që erdhën nga jashtë shtetit me autobusë dhe që kurrë ndonjëherë nuk u panë si shqiptarë, por thjesht si numra dhe u harruan si të huaj pas zgjedhjeve. Fli gjumë, rri kot dhe je njeriu më i pagabueshëm në botë. Ne jemi të vetëdijshëm për domosdoshmërinë për tu progresuar përditë", - theksoi kryeministri.

slide regjistrimeve 

Sipas tij, detyra më parësore e një shteti është ta dijë ku i ka njerëzit e vet dhe t’u japë shërbimet e merituara.

Kudo në botën normale, e cila rëndom propagandohet gabimisht se ne i përkasim, ata që emigrojnë në kërkim të një ëndrre për të realizuar një shpresë, janë një pasuri që asnjë shtet dhe asnjë shoqëri nuk ka luksin t’i lërë jashtë inventarëve”, theksoi Rama.

Shqiptarët jashtë vendit do të kenë mundësinë të regjistrohen nga interneti në një portal të blinduar për nga pikëpamja e sigurisë që po ndërtohet vetëm më këtë qëllim. 

Drafti për regjistrimin e emigrantëve, është hartuar nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me dikasteret e tjera të kabinetit qeveritar. Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri e quajti "një kontratë të re patriotike me emigrantët" këtë hap, ndërsa  shtoi se "është detyrë e shtetit që të garantojë shërbime në shtëpinë e tyre për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit"

tahiri

"Po e nisim nga themeli: regjistrimi i njerëzve aty ku banojnë. Në qoftë se je emigrant që do të shërbehesh nga shteti yt, regjistro adresën ku banon, sepse shteti ka detyrimin të të shërbejë. Mendojmë që borxhi që u kemi emigrantëve në mbi dy dekada, është t’u shërbejmë emigrantëve në shtëpinë e tyre. Të bëjmë regjistrimin e tyre dhe mbrapsht t’u japim shërbimet në shtëpinë që banojnë, kudo qoftë kjo. Ky është detyrimi ynë patriotik për çdo shqiptar. Është një sipërmarrje që kthen pas borxhin që u kemi emigrantëve. Kjo sipërmarrje ndryshon menjëherë marrëdhënien tonë me emigrantët”, u shpreh ministri Tahiri.

Prezantimi i projektit nga ministri Tahiri
 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë