...
Rama thyen tabune, pershendet statusin me urimin per Muajin e Ramazanit
Kryeministri Rama ka thyer një tabu, teksa e ka nisur fjalimin përshëndetëse në festën e statusit, me urimin e të gjithë besimtarëve për Muajin e Ramazanit. Një tabu kjo, për shkak se pjesa më e madhe e Evropës janë katolike dhe nuk kanë një qasje fort pozitive ndaj vendeve muslimane. Megjithate kreu i qeverisë u kujdes të veçojë faktin se Shqipëria sipas tij është një vend europian. Fjala e plotë e kryeministrit Rama
Rama: nese Europa nuk sheh drejt Ballkanit, e nesermja mund te jete fatale!
Kontributi 20-vjeçar që kanë dhënë shqiptarët për paqen në rajon, meriton më shumë respekt nga Bashkimi Evopian. Ka qenë kjo kryefjala e fjalimit të kryeministrit Edi Rama, në ceremoninë festive organizuar në Pallatin e Brigadave, për hapin e rëndësishëm që hodhi Shqipëria në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, siç është marrja e statusit të vendit kandidat.
“Ky vend meriton të respektohet shumë më tepër se ç’është çmuar deri më sot atë që i kanë dhënë Europës në 20 vjet për kontriburtin që i ka dhënë për paqen në rajon. Duhet që paqja e shumëkërkuar të mos tretet në lumenjtë e varfërisë dhe injorancës që janë rritur në këtë rajon të paragjykuar në mes të Europës së bashkuar. BE për rimëkëmbjen e ballkanit, BE nuk duhet të harrojë se paqja nuk erdhi nga ndonjë proces magjik i udhëheqësve të Ballkanit, këtë paqe e siolli aspirata europiane që i thithi vendet në Europë. Nëse Europa nuk do të shohë drejt Ballkanit, e nesërmja mund të na rezervojë një rikthim fatal të së shkuarës pa paqe, me pasoja që s’mund t’i mendojmë dot. Por ndryshimi mes BE dhe rajonit është çka na duhet. Një ndër pikat kryesore të axhendës sonë diplomatike do të jetë dhe rritja e rolit të Shqipërisë në rajon”, tha Rama.
Rama: Sot mbaron epoka e pushtetit te fodullekut provincial
Mes politikanëve, ambasadorëve, përfaqësuesve të medias, artit, kulturës e botës akademike, shefi i mazhorancës, në mungesë të opozitës dhe Presidentit Bujar Nishanit, të cilët kishin marrë ftesën e tij, tha se kjo festë, do t’i japë fund kremtimeve provinciale të deritanishme.
“Pavarësisht se jo të gjithë iu përgjigjën ftesës, nga sot mbaron epoka e pushtetit të fodullëkut provincial. Askush pas nesh kur të vijë dita e ndërrimit të qeverive s’do kthetht dot mbrasht nga kjo festë përbashkuese”, u shpreh kreu i qeverisë.
Rama: Mund ta bëjmë Shqipërinë vend që Evropa mund të bie në sevda
Rama tha në fjalën e tij, se shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë një vend që të qesh, të jetë i gëzueshëm, me të cilin Europa “mund të bie në sevda”.
Rama: Europa, një e tatëpjetë, që s’ngjitet siç merret një diplomë në universitetet tona private
Rama tha se rruga drejt Europës nuk është e lehtë, dhe zgjodhi të bëjë një krahasim të tillë: Kemi përpara një të tatëpjetë të lartë që s’do na hedhë dikush një litar për të na marrë lart. Është njësoj si t’i kërkonim BE-së të sillej me ne si në një nga universitetet private këtu, që të na jepte një diplomë fiktive”.
Për kryetarin e parlamentit Ilir Meta, dhe ambasadorin e BE-së, në Tiranë, Clive Rumbolt, tashmë Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të përpjekjve për t’u anëtarësuar në BE.
Rama: Të zhbëjmë legjendën urbane se vendlindja e krimit është në Shqipëri
"Shqiptarët asociohen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, ka marrë përmasat e një legjende urbane në dëm të emrit tonë. Janë probleme të rënda për ne, por zhbërja e atij refleksi të kushtëzuar që lidh emrin e shqiptarit me këto sëmundje turpëruse për një vend a thua se kjo tokë është vendlindja e krimit".
Meta: Mazhoranca e dha dje mesazhin e saj, edhe opozita t'i pergjigjet ne menyre te mencur
Meta iu referua pjesmarrjes se mazhorances dje ne konferencen e opozites per Reformen Territoriale, si mesazh te mencur qe duhet ta marre edhe opozita per te sfiduar bashkepunimin politik qe i duhet vendit per anetaresimin ne BE. “Kemi hyrë në një fazë të re, të kërkesave më të larta, që do të thotë të përpjekjeve dyfish më shumë të të gjithë institucioneve dhe hallkave, në mënyrë që të mos vonohemi drejt destinacionit tonë të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Do të apeloja për një bashkëpunim më të ngushtë për të fituar kohën për të ecur më shpejtë që është edhe sfida jonë kryesore për anëtarësimin në BE. Dje u dha një mesazh i mençur nga përfaqësuesit e mazhorancës duke marrë pjesë në konferencën e opozitës për reformën territoriale, besoj se në mënyrë të mençur do të përgjigjet edhe opozita në të ardhmen”, tha kryeparlamentari Meta.
Rumbolt: Statusi, me shume mundesi per Shqiperine, konsolidoni reformat
“Të qenurit një hap më pranë Bashkimit Europian, është shumë i jashtëzakonshëm. Shqipëria duhet të konsolidojë qasjen e sistemit me reforma. Shqipëria është mirëpritur për përpjekjet që ka bërë në luftën kundër drogës dhe Bashkimi Europian vlerëson standardet, të cilat nuk janë të lehta të arrihen. Unë besoj se dhënia e statusit kandidat do i japë mundësi më të mëdha Shqipërisë. Me përpjekjet e përbashkëta, me angazhimin e përbashkët, Shqipëria do të di ta përballojë sfidën”, u shpreh ambasadori i BE- në Tiranë.
Ne feste, edhe Behgjet Pacolli dhe Rexhep Mejdani
Ceremoninë festive për marrjen e statusit të vendit kandidat e ka hapur ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ndërsa e ka përshëndetur edhe ministri i jashtëm, Ditmir Bushati. Në kremtimin e qeverisë për statusin ishte i pranishëm edhe zv.kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli si dhe ish presidenti Rexhep Mejdani.
Ministrja e Integrimit Klajda Gosha hapi e para fjalën në pritjen e organizuar për statusin. Ajo shprehu domosdomshërinë e shikimit të statusit si një moment reflektimi për sfidat e mëtejshme që i duhen vendit në procesin e integrimit.
“Kur nisa detyrën si ministre e dija që do të kisha një punë të vështirë. Sot ndihem mirë, sepse jam pjesë e një arritje të madhe. Të qenurit zyrtarisht vend kandidat duhet të jetë për ne moment i mirë reflektimi për t’i shkuar deri në fund reformave. Rrugëtimi 23-vjeçar ka kaluar përmes përpjekjeve të mëdha. Procesi i integrimit nuk përfundon me kaq, pasi kemi një punë të vështirë për të arritur deri tek fundit. Marrja e statusit na çon drejt dhe më par, me ritme. Në 24 qershor Shqipëria ja doli. Statusi duhet të shihet si një shtysë e madhe, që të vijojë me sukses, pasi Evropën s’do të na e dhurojë askush, pasi duhet ta ndërtojmë atë brenda vetes. Të gjitha këto do duhet t’i bëjmë vetëm ne”, tha Gjosha.
Bushati: Pas statusit, përgjegjësi e jona që të përmbushim detyrat
Kryediplomati Ditmir Bushati deklaroi mbrëmjen e të shtunës se “përgjegjësia e Shqipërisë, pas marrjes së statusit të vendit kandidat është të përmbush detyrat që e persin për të nisur negociatat për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”.
Gjatë fjalës përshëndetëse në ceremony festive, organizuar nga qeveria në Pallatin e Brigadave, Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se “dhënia e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë është një lajm i mirë për Ballkanin perëndimor. Sfidat me të cilat është përballur Ballkani janë më të vështira se ato që përballet zgjerimi.
“Një falënderim të veçantë do i shkonte Austrisë, dhe shumë vendeve të tjera, si Bullgarinë, Rumaninë, ashtu siç bënë dhe vendet e Evropës Iberikë, vendet Skandinave. Secili në mënyrën e tyre, si promotor i kauzës tonë. E gjithë kjo nuk do ishte e mundë nëse nuk do e kërkonte populli shqiptar, ndaj përgjegjësia jonë është të përmbushim besimin dhe detyrat ndaj tyre” përfundoi fjalën e tij Bushati.
Rama: Kremtim gjitheperfshires per statusin
“Në 20:00 live tv kremtimi gjithëpërfshirës për marrjen e Statusit në parqet e Pallatit të Brigadave”, shkruan kreu i qeverisë Rama në rrjetin social Tëitter, ku dhe ka postuar dy foto nga përgatitjet e kësaj ceremonie.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)