Edvin Prençe, kreu i Shoqatës Pro Export Albania, ka treguar teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, çfarë përfitimesh sjell për bizneset dhe punonjësit platforma ‘Export On’ që kryeministri Edi Rama prezantoi ditën e djeshme.

Prençe tha se platforma ‘Export On’ është në vetvete një pikë informacioni, ku sipas tij, mblidhen informacione nga sektorë të ndryshëm eksportues dhe nga grupet e interesit.

Ai shtoi se më pas këto informacione do të shpërndahen automatikisht sipas ministrive përkatëse dhe do të shikohet mënyra e aktivizimit ose mënyra e zgjidhjeve të këtyre problematikave.

Edvin Prençe foli edhe për sektorin e prodhimit të kapucëve, apo siç quhen ndryshe fasoneri, teksa tha se kanë kërkuar një status special nga qeveria për këtë sektor.

Prençe tha se kryeministri Rama duhet të paktën të tregojë sesi do të jetë ecuria e këtij sektori, në mënyrë që biznesmenët të jenë të informuar.

Ai kërkoi edhe shtrirjen e sektorit të manifakturës së prodhimit të këpucëve (fasonerive) edhe në zonat rurale, më qëllim që t’i japë më shumë frymëmarrje ekonomisë dhe të krijojë mundësi të shumta punësimi.

“Është për t’u kuptuar në 2 aspekte. Platforma në vetvete është një pikë informacioni, ku mblidhen të gjitha informacionet nga sektorë të ndryshëm eksportues dhe nga grupet e interesit. Pastaj këto do të shpërndahen automatikisht sipas ministrive përkatëse dhe do shikohet mënyra e aktivizimit ose mënyra e zgjidhjeve të këtyre problematikave, ose ndërhyrjeve që janë të nevojshme.

Në aspektin e biznesit dhe atë që u perceptua, nëse nga njëra anë përgëzohet për këtë iniciativë institucioni AIDA, nga ana tjetër është për t’u parë sesa e efektshme dhe sesa të mundura mund të bëhen këto ndërhyrje, ose më saktë kërkesat që i bëhen nga grupet e interesit. Përsa i takon sektorit tonë manifakturë për veshjet e këpucëve, ne e kemi përshkruar me një kërkesë të parë, e cila është kërkesa e një statusi special për sektorin tonë. Çfarë do të thotë kjo? Meqënëse kemi pasur dhe kemi eksperienca të parqeve industriale të shumta në Shqipëri që janë bërë inovative, mendojmë që ka ardhur momenti që kjo mënyrë tipologji ndërhyrjeje të bëhet tashmë edhe për sektorin tonë që ka tashmë vite të shumta që po vuan nga agonitë që ne pak a shumë i kemi përmendur.

Që të kuptohet, parqet industriale në vetvete kanë njohjen ose uljen e taksave, uljen e tatim-fitimit, koston e trajnimeve, koston e investimeve dhe ka një kthim mbrapsht të investimeve. Pra janë të gjitha ato gjëra që ne i kemi bërë kërkesë qeverisë, por që për fat të keq nuk na kanë dëgjuar. Nuk ka të bëjë me negociatat, por me krizën që sektori është në fundin e tij. Dhe si e tillë është e detyrueshme që të bëhet një gjë e tillë. Por më kryesorja është që ne nuk kemi nevojë të jemi të dislokuar në të njëjtin vend, pra mund të bëhet edhe sipas kodit identifikues që është mënyra më praktike dhe e thjeshtë. Këto metodologji ndërhyrje nuk është se po i kërkojmë ne, por janë gjëra që janë aktivizuar me vite të tëra edhe nga vende të tjera europiane.

Ky status special do të bazohen në kriteret funksionale. Në kriteret prodhuese, në kriteret eksportuese dhe në kriteret e punësimit. Janë pikërisht këto kritere shumë të rëndësishme dhe duke pasur parasysh edhe objektivat e hapjes së kapitujve, për të përgatitur bizneset drejt një tregu të përbashkët europian. Në situatën e sotme që ne jemi, përveç krizave që ne i kemi përmendur, si kursi i këmbimit, rritja e kostove, humbja e konkurrueshmërisë, mendoj se ka ardhur momenti që qeveria shqiptare të tregojë nëse e ka ndërmend një strategji, a e ka ndërmend ta mbështesë këtë sektor, apo mendon që është drejt fikjes. Të paktën bizneset të jenë të informuara për këtë situatë.

Por mos të harrojmë që shtrirja në zonat më rurale të Shqipërisë, do të sjellë edhe një impakt special. Janë bërë investime në fasoneri në zonat rurale, por nëse deri më sot hamendësohej se turizmi do të ishte përthithësi kryesor i punonjësve tanë, kjo tabu ka rënë. Nëse mendonim që ky personel që është trajnuar brenda ambienteve të punës do të drejtohej drejt një sektori tjetër, edhe kjo tabu ka rënë. Nga ana tjetër, ne jemi forca më e madhe përsa i takon edhe përqindjes së eksporteve. Dhe po të bie kjo gjë, absolutisht është dëmi ekonomik, dëmi social, por edhe Made in Albania që… Ne e kemi pasur ndër vite numrin më të lartë të të punësuarve dhe jemi sot në rreth 65 mijë të punësuar dhe mendoj se pas sektorit publik dhe bujqësisë që nuk dihet numri i tyre, mendoj se jemi sektori i parë përsa i takon punësimeve…”, tha mes të tjerash Prençe.

Ndërsa teksa foli për marrjen e punonjësve të huaj në sektorin e fasonerive, Prençe tha se ka burokraci të shumta për realizimin e kësaj gjëje, si dhe shpenzime të shumta nga ana e sipërmarrjeve.

“Prurja e punonjësve të huaj është një tematikë tjetër, pasi mbart në vetvete një burokraci të fortë përsa i takon arritjes së marrjes së vizave për prurjen e këtyre njerëzve. Por mbart edhe një kosto për pagesën e vizave dhe gjërave të tjera. Por një nga pikat e tjera që ne kemi kërkuar, përtej Export On, një tjetër gjë që ne kemi kërkuar tashmë me rritjen e pagës minimale, rritja e taksimit ose të famshmes siç e quajmë ne TAP-in, e cila duhet të rritet në vetvete barriera. Taksimi në rast se tani paga minimale është 500 mijë lekë të vjetra, të shkojë edhe taksimi të paktën në 65 mijë lekë, flasim të ardhurat personale të personave. Dhe kjo do të ishte gjëja më e mirë, pasi ne po bëjmë një politikë me impakt social që punonjësit të kenë sa më shumë lekë, kjo do të sillte”, shtoi Prençe.