I pyetur mbi refuzimin e kryeministrit për tu ulur në tryezë në zgjidhjen e “Fierit”, Rama u shpreh se Berisha nuk i ka sytë nga integrimi i vendit por nga zgjedhjet e ardhshme, të cilat sipas tij pretendon t’i fitojë siç ka marrë të tjerat paraardhëse.
Kryesocialisti komentoi edhe çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, ku theksoi se nëse Ina Rama largohet nga detyra atëherë ky do quhej shkarkim direkt i saj.
Gjatë intervistës kreu i Partisë Socialiste foli dhe për situatën e CEZ-Shpërndarje, borxhin e qeverisë, festimet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, por ndër të tjera njoftoi se PS ka gati programin e 100 ditëve të para të qeverisjes, ku nënvizoi se do të rishikojë kthimin e pronave.
I pyetur nëse ka dyer të mbyllur PS për LSI-në Rama tha PS e ka derën hapur për këdo që do të bashkohet me PS për rotacionin politik të domosdoshëm të vitit 2013. "këdo por sigurisht që nuk mund të bashkohemi me të, nëse LSI apo çdo parti tjetër që sot është në koalicion dëshiron të braktisë anijen që qeveris, ne kemi pjesën tonë në qendër të frontit dhe nuk bëjmë kompromis me programin që ne duam të jetësojmë."
"100-VJETORI I PAVARESISE NE VLORE, JO ME PARADEN E IMAMIT"
Kreu i Partisë Socialiste, pyetjes se ku do të festojë për ditën kur shënohet plot 100 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, tha se do të jetë aty ku do të “është ngritur flamuri dhe ku do të ngrihet flamuri”, duke iu referuar qytetit të Vlorës. “Ne kemi një program bashkë me kryetarin e Bashkisë së Vlorës, i cili nuk është kompatibël me paradën e ushtrisë së Arben Imamit në Tiranë. Janë ushtarë shqiptarë të cilët kanë rënë sot në kastën e një dore të korruptuar.”
"BERISHA DIZINFORMON, FIERIN E MBAN PENG PER QELLIME ELEKTORALE"
I pyetur nga gazetari dhe drejtuesi i emisionit Ilir Babaramo për Fierin, “se përse do të diskutojë në tryezë politike një çështje gjyqësore”, Rama shprehet se ky është një dizinformim nga ana e qeverisë. Kryesocialisti sqaron se kjo është një çështje e mbyllur, pasi gjykata e ka dhënë vendimin e saj. “E dua në tryezë Fierin sepse është politika që nuk zbaton vendimit, është një çështje e mbyllur, ndaj do e diskutoj politikisht. Është shumë e nevojshme që të ketë durim për të treguar se moszbatueshmëria e një vendimi gjyqësor është një shkelje dhe pengesë ndaj procesit të integrimit. Fieri është marrë peng për një qëllim të qartë elektoral. Saliu dhe Partia Demokratike nuk kanë fituar ndonjëherë shumicën e votave të popullit shqiptar dhe e vetmja rrugë që kanë është të përpiqen me makinerinë e vjedhjeve, që e përsëris do ja bëjmë cop-cop në zgjedhjet e ardhshme.”, tha Rama. Ai shprehet se ftesa e përsëritur për dialog nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse zgjidhjes në mënyrë paqësore. “Ne do të vazhdojmë ta kërkojmë me këmbëngulje dhe në zgjedhjet e ardhshme do të fitojmë në të gjithë Shqipërinë, që Shqipëria të marrë frymë lirisht”, -u shpreh kryesocialisti.
"NUK E VOTOJ LIGJIN PER GJYKATEN E LARTE, PA FIERIN"
Kryetari i Partisë Socialiste thotë se nuk do të votojë p/ligjin për “Gjykatën e Lartë”, një nga tre ligjet që presin miratim në Parlament, nëse më parë nuk zbatohet vendimi i saj për çështjen e Fierit. Ndërkaq, me një qëndrim tjetër shprehet për Rregulloren e Parlamentit, për të cilën thotë se nuk ka asnjë kundërshti për ta votuar. Megjithatë thekson se edhe këtë rregullore e mban peng kryeministri sepse nuk respekton fjalën e opozitës në Kuvend. “ Nuk kërkojmë kohë të barabartë, por trajtim të barabartë, kur flet kryeministri kreu i opozitës duhet të ketë të drejtën të replikojë”, tha Rama.
"PROKURORI I PERGJITHSHEM, NISHANI PO SHKARKON INA RAMEN"
Lidhur me çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Rama tha se nëse Ina Rama, kryeprokurorja aktuale largohet nga detyra atëherë ky është një shkarkim. Duke iu referuar deklaratës dhënë sot nga presidenti i republikës Bujar Nishani se mandati i saj mbaron në nëntor, Rama tha se kjo nuk është e vërtetë. “në kohën kur ajo është emëruar mandati i saj ka qenë pa afat dhe rrjedhimisht koha e qëndrimit në këtë post duhet të fillojë nga muaji maj, atëherë kur u vendos në Kushtetut afati për këtë pozicion.
(Në foto, Edi Rama dhe gazetari Ilir Babaramo në studion e emisionit "5 Pyetje nga Babaramo" në TV A1Report)
"QEVERIA BASHKEPRONARE NE CEZ, E ZHYTI VENDIN NE KRIZE"
Lidhur me kompaninë çeke energjetike CEZ-Shpërndarje, e cila operon në Shqipëri dhe borxhin e krijuar ndaj qeverisë shqiptare, por edhe mbi situatat e krijuara në vend pasi CEZ ndërpreu energjinë elektrike në disa ujësjellës në vend, Rama akuzon në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverinë si bashkëpronare në CEZ. Kryesocialisti thotë se ndërhyrja e qeverisë shqiptare ndaj këtyre situatave duhej të ishte bërë që në ditën e parë. “Qeveria si bashkëpronare në CEZ po i hap një gropë shumë të madhe popullit shqiptar, duke vazhduar ta zhysë në borxh gjithë sistemin”, -u shpreh kreu i opozitës.
"BORXHI I QEVERISE TEJKALON CDO KUFI, PS DO SJELLE ZGJIDHJE"
Vendi është në kthetrat e një krize që bazohet në tejkalimin e kufirit të borxhit, përtej çdo lloj fuqie që ka Shqipëria për ta mbajtur. Kështu deklaron kryesocialistit Rama gjatë intervistës, duke theksuar se një situatë e tillë nuk është më tabu në vend, kur “në vend as zgjedhjet e lira nuk janë tabu, as borxhi nuk është tabu, as korrupsioni, kapja e pushtetit dhe shkarkimi i kryeprokurores në mënyrë të jashtëligjshme.” Sipas Ramës, kjo është Shqipëria e kryeministrit Berisha, dhe duke iu bazuar një vendi normal, Rama tha se Partia Socialiste “do i japë Shqipërisë e shqiptarëve atë që i nevojiten.”
INTERVISTA
Ftesa e refuzuar e zotit Berisha për t’u ulur për të diskutuar për integrimin, pse dështoi kjo tryezë?
Më vjen shumë keq që ndodhi kështu. Është e qartë për këdo, se kryeministri s’është i shqetësuar për të bërë gjithçka për procesin e integrimit, por është i fokusuar tek zgjedhjet e ardhshme që mesa duket synon t’i fitojë siç fitoi ato të shkuarat. Marrja peng e Qarkut të Fierit është pjesë e këtij synimi, pasi dihet mirë sesi zgjedhjet e shkuara u fituan nga ne dhe për t’u zgjedhur u zgjodhën ata, dhe dihet me çfarë mjetesh. Duke e konsideruar qarkun si pjesë të mekanizmit tërësor të shtetit.
Vjedhja e votave që ju pretendoni ç’lidhje ka me Qarkun e Fierit?
Në 2013 do i fitojmë zgjedhjet, por unë jam fatkeqësisht si të gjithë njerëzit që arsyetojnë, që refuzimi tre herë rresht i Apelit për t’u ulur në tryezë lidhet me rëndësinë që ka Qarku i Fierit për ministrin që mesa duket është më e madhe për procesin e integrimit.
Berisha thotë që nuk do të ulemi për Qarkun e Fierit?
Nuk mund t’i thuash palëve që do të ulesh në tryezë se çfarë do të thotë në tryezë. Tryeza duhet bërë për të dalë nga kjo situatë e për t’i hapur rrugë votimit të tre akteve. Por se çfarë do të thotë në këtë tryezë secila palë nuk mund ta kushtëzosh paraprakisht, pasi për kryeministrin këto tre akte nuk kanë lidhje me bllokimin e procesit në Fier. Për ne kjo është edhe arsyeja pas nuk i japim dritën jeshile këtyre akteve, madje këtyre dy ligjeve sepse për rregulloren kemi qëndrim tjetër, kjo është për t’u diskutuar e ballafaquar. Frika nga ballafaqimi është vetëdije se nuk ekzistojnë argumentet për ta mbrojtur këtë pozicion që ka qeveria, e cila ka marrë peng Qarkun e Fierit dhe nuk zbaton vendimet e gjykatave. Duam të zbatohet një vendim i Gjykatës së Lartë, që lidhet me 300 mijë njerëz dhe me opozitën. Çfarë kuptimi ka të vazhdojmë të miratojmë ligje që nuk zbatohen.
Pse nuk prisni të mbarojë procesi gjyqësor, pasi ende nuk është gjykuar në themel?
Me vendim të formës së prerë të Gjykatës është hedhur poshtë oferta e kryeministrit për të bërë mocionin çdo këshill komune e bashkie dhe këshilltarët e PS kanë në dorë vendimin që e bën të palëvizshëm pozicionin e tyre në qark nuk ka asnjë lloj diskutimi për këtë. 3 këshilltarë presin përfundimin e procesit. Ne e kemi shumicën. Nuk është në proces, është vendim i formës së prerë.
Zoti Ndreka nuk shkon në gjyq?
Është e para çështje, ajo çështje ka rënë Gjykata e Lartë është shprehur dhe vendimi është i formës së prerë.
Zoti Berisha ju ofroi një zgjidhje politike, mocionin?
Ne kërkojmë të dialogojmë për të zgjidhur këtë moment duke vendosur qartësisht në tavolinë argumentet që bazohen te vendimet e gjykatave, ç`ka ka shkruar e zeza mbi të bardhë. Nëse kemi vendime gjykate që nuk zbatohen kjo vjen sepse kryeministri nuk do të zbatojë vendimet e gjykatave.
Si lindi ky kazus i Fierit? Janë këshilltarët shitur rrugës?
Nuk është shitur askush. Kazusi lindi kështu. Ne fituam zgjedhjet, u konstituua qarku, u bënë votimet me një kandidat nga PS e një nga PD, fitoi kandiat i PS dhe u zgjodh kyetar i qarkut, filloi puna narmalisht. Papritur pasi gjithçka ishte normale filloi ndërhyrja nga ana e prefektit e pastaj e gjithë pushtetit duke shkuar në këshillat e komunave dhe bashkive dhe duke kërkuar ribërjen e mbledhjeve për të ndryshuar këshilltarët, të cilët u vënë në presione të tmerrshme e këtu filloi historia e gjykatave. Ne për të mos e cenuar procesin e sapofutur të ligjeve me 3/5 dhe të një komunikimi të brishtë në parlament vendosëm t`i drejtohemi gjykatës e ndoqëm rrugën ligjore e sot jemi me ligj në të drejtën tonë të themi e fituam qarkun me votat, e fituam çështjen në gjykatë e përsëri na refuzohet e drejta të qeverisim qarkun, kjo është e patolerueshme.
Ju keni vënë kusht për qarkun e Fierit?
Nuk ka qenë trysnia e ndërkombëtareve që ka vendosur se çfarë kemi bërë ne. Ne nuk kemi vënë kushte të natyrës ultimative, asnjëherë, opozita mban qëndrime, përcakton pozicione, bën kërkesa dhe i vë publikut alternativë të gjendjes reale. “Hap kutitë ose largohu” është kërkesa dhe komunikim me publikun për të ngritur problemin, pikërisht që ishte ajo rezistencë opozitar u rrit sensibiliteti ndërkombëtar. Është momenti ku shterojnë mjetet me të cilat demokracia i rregullon marrëdhëniet mes palëve dhe institucioneve.
Pse kërkoni ta zhvendosni në tryezë?
Është qeveria që nuk zbaton vendimin, është në çështje gjyqësore e mbyllur e është shumë e nevojshme që të ketë dialog, ballafaqim, durim për të agumentuar se moszbatueshmëria e një vendimi gjykate është një atentat i rëndë ndaj lirive, të drejtave të qytetarëve dhe procesit të integrimit. Fieri është marrë peng për një qëllim të qartë elektoral, sepse dihet mirë që Saliu e PD nuk kanë fituar dhe nuk fitojnë dot shumicën e votave të popullit shqiptar dhe e vetmja rrugë është të vazhdojnë të përpiqen me makinerinë e manipulimit të zgjedhjeve që do i bëjmë copë-copë në zgjedhjet e ardhshme. Është një çështje që duhet zgjidhur në rrugën paqësore, ne nuk kemi asnjë qëllim përveç zgjidhjes në rrugë paqësore, demokratike të vendosjes së ligjit në vend dhe zbatimit të vendimeve të gjykatave, ne do vazhdojmë ta kërkojmë me këmbëngulje e paqësore, dhe në zgjedhjet e ardhshme do të fitojmë dhe do krijojmë kushtet që institucionet të fillojnë të marrin frymë lirisht. S’votohet ligji për Gjykatën e Lartë nëse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë. Për rregulloren e Parlamentit e kemi thënë nuk është pjesë e këtyre dy ligjeve, është rregullore që ne e kemi punuar me palën tjetër dhe ekspertizën ndërkombëtare e mban të bllokuar kryeministri, manipulon opinionin publik. Nuk kërkojmë kohë të barabartë, por trajtim të barabartë, kryetari i opozitës nuk mund të replijkojë më shumë se dhjetë minuta dhe më shumë se 20 minuta, por duke i njohur të drejtën jo vetëm kur bëhet diskutimi në parim i një ligji.
Si do të dilet nga kjo?
E kam bërë apelin tim dhe vazhdoj të besoj se ka vetëm një rrugë mes palëve për të çuar përpara këtë proces, është rruga e komunikimit e ballafaqimit pa kushte, lojëra fjalësh e pa hilera që synojnë manipulimin e opinionit, jemi gati të ulemi në tryezë e të diskutojmë hapur përpara opinionit publik. Në tryezë me të gjitha partitë diskutojmë se cili paraqet argumentet e vet për tre ligjet e më pas gjykon publiku dhe ndoshta zgjidhet dhe kjo.
Raportet me kreun e LSI, Ilir Metën?
Është parti në koalicion me PD i kemi përballë si kundërshtarë e do i mundim të dy bashkë e bashkë me të tjerët.
Ka dyer të mbyllur PS për LSI?
PS e ka derën hapur për këdo që do të bashkohet me PS për rotacionin politik të domosdoshëm të vitit 2013, këdo por sigurisht që nuk mund të bashkohemi me të, nëse LSI apo çdo parti tjetër që sot është në koalicion dëshiron të braktisë anijen që qeveris, ne kemi pjesën tonë në qendër të frontit dhe nuk bëjmë kompromis me programin që ne duam të jetësojmë.
Pse është shprehje e Kushtetutës prokurori i ri?
Pesë vjet nga muaji maj i 2008 i bie nëntor i 2012. Mandati i kryeministrit ka qenë i përcaktuar në Kushtetutë, afati i përcaktuar nga nisur nga momenti kur ka marrë mandatin. Mandati i prokurores së përgjithshme në ndryshimet e 23 maj të 2008 u vendos afati që nga ai moment fillon, po të ishim në një shtet të së drejtës kushtetuese do të duhej të pritej të largohej njëherë kjo prokurore e pastaj kur të vinte një prokuror tjetër, por ne nuk po i hyjmë deri këtu se është vërtet të kërkosh diçka që nuk ka asnjë lloj mundësie në këtë mjedis, por thjesht e qartë 23 maj 2008 ka filluar numërimi i ditëve në detyrë të prokurores së përgjithshme. 23 maj i 2012 është dita kur duhet të zëvendësohet prokurorja e përgjithshme.
Pse nuk i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese?
Kemi një vendim gjyakate në dorë që nuk zbatohet nuk kemi ndërmend të humbasim asnjë energji duke iu drejtuar gjykatës për çështje që është e qartë si drita e diellit edhe pse prokurorja nuk duhet të lëvizë deri në maj edhe pse duan ta lëvizin një orë më parë pasi nuk arritën dot ta gjunjëzojnë me joshje korruptive. Flas në parim dhe po them se ky pushtet ka dy mënyra, presionin, kërcënimin dhe paranë.
Do i jepni kritere Presidentit?
Po shkel Kushtetutën e Republikës. Nuk jemi as të surprizuar, as të befasuar sepse Presidenti, zotëria është ministër i qeverisë në institucionin e Presidentit të Republikës është formalisht President. Sot president është Sali Berisha.
Raporti me deputetin Arben Malaj pas mbledhjes së grupit?
Të gjithë deputetët dhe deri tek anëtarët e thjeshtë të PS po punojnë të gjithë për fitoren. Unë nuk flas kurrë për emra të veçantë deputetësh, të gjithë janë njësoj në misionin tonë. Nuk flas për deputetët e grupit, janë pjesë e shtëpisë sonë.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)