Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, situata e biznesit të vogël në vend është në krizë të thellë dhe shteti nuk i jep asnjë ndihmë. Këtë deklaratë Basha e bëri gjatë vizitës që zhvilloi në një biznes të vogël në Tiranë.
Basha nënvizoi se kjo duhet të ishte periudha kur qeveria duhej ta ndihmonte biznesin shqiptar, ashtu siç qeveria e Kosovës apo qeveritë e tjera të rajonit ndihmuan bizneset e vendit të tyre.
"Kryeministri merret nga mëngjesi deri në darkë me sulme politike, me shpifje, me trillime. Këto as ju ndihmojnë ju, as e ndalojnë krizën, vetëm e thellojnë krizën. Prandaj të jesh i sigurt që së bashku do t’i japim fund kësaj. Duhet t’i kthejmë shpresën Shqipërisë. T’i japim një shpresë të re Shqipërisë”, tha kreu i PD-së.
Ndërkohë që në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë edhe foto nga takimi, Basha i cilëson cicërima me gënjeshtra thirrjet e Kryeministrit Rama për të sqaruar pozicionin e tij dhe rolin në hetimet për krime lufte në Kosovë.
"Ndërkohë që Rama shpenzon të gjithë kohën duke cicëruar gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë po falimenton.
Të dhënat krahasimore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dëshmojnë se Shqipëria është ekonomia më e nënfinancuar e Ballkanit Perëndimor.
Për 7 vite rresht Rama e ka shkatërruar ekonominë. Mijëra dyqane dhe njësi shërbimi si biznesi i Artan Muratit po vuajnë rënien e fortë të xhiros. Bizneset e vogla po marrin kredi për të mbaJtur hapur derën. Prej muajsh nuk nxjerrin asnjë fitim. Vendet e punës i kanë shkurtuar. Komunitetet rreth tyre janë varfëruar më shumë.
Kanë pritur që qeveria t’i ndihmojë një herë të vetme, siç kanë paguar taksat rregullisht. Por Edi Rama nuk ka kohë për problemet e shqiptarëve që e nxjerrin vetë bukën e familjeve të tyre. Edi Rama nuk ka as para për bizneset që mbajnë me bukë familjet e komuniteteve të tyre. Sepse taksat që mbledh prej tyre, Edi Rama i ndan me miqtë e tij.
Kjo është arsyeja pse Rama nuk u jep ndihmë financiare qytetarëve që po vuajnë nga kriza e COVID-it.
Ne do ta ndryshojmë këtë gjendje. Ne do të kujdesemi për biznesin, do të kujdesemi për të vetëpunësuarit, do të kujdesemi për të gjithë qytetarët dhe do të japim ndihmë financiare për çdo qytetar. Ne do të sjellim shpresë për Shqipërinë", shkruan Basha në Facebook.