Rama shtron darkën e iftarit! Me fjalë nga Kurani mesazh Bashës: S'duhet devijuar nga shtegu i Zotit

Në natën e Kadrit, kryeministri Edi Rama ka shtruar darkën e iftarit. Ajo që bie në sy është se përveç përfaqësuesve të besimtarëve muslimanë dhe të kabinetit qeveritar, janë edhe familjarët e tre dëshmorëve të kombit Klodjan Tanushi, Ibrahim Basha dhe Artan Cuku.

Në fjalën e tij në darkën e shtuar në ambientet e kryeministrisë, Rama i ka dërguar edhe një mesazh për kundërshtarin e tij politik, Lulzim Basha, i cili prej muajsh ka lënë mandatet dhe proteston në rrugë. Duke cituar pjesë nga Kurani, kreu i qeverisë flet për betejën mes të mirës dhe të keqes, sipas së cilit gjithmonë është ajo e para që del e fituar.

Në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, Rama i drejtohet Bashës duke i thënë se duhet të vazhdojë të luftojë për atë kauzë që mendon se është e drejta, por nuk duhet t'i largohet shtegut të Zotit. Në një paralelizëm me atë që ka ndodhur në protestat e opozitës, kryeministri e mbyll fjalimin e tij duke thënë: Pushtete ndërrohen, por shtegu i arsyes mbetet dhe kush prej tij devijon humb pushtetin mbi vetveten.
 

1559330623_iftar2.jpg
Foto nga darka e iftarit e shtruar nga Kryeminstri Rama

Deklarata e plotë

Dëshiroj t’i uroj një mirëseardhje të veçantë zotërinjve Basri Tanushi, Osman Basha dhe Rakip Cuku, baballarë dhe vëllezër të Dëshmorëve të Atdheut, Klodian Tanushi, Ibrahim Basha dhe Artan Cuku! Ndihemi të nderuar dhe të prekur që ju kemi këtu mes nesh! I përjetshëm dhe i paharruar kujtimi i bijve tuaj dhe Dëshmorëve të Atdheut tonë të përbashkët!

Përjetimin e kësaj Nate të Mirë të Kadrit e bën më të ndjerë kumbimi i hijshëm i zërit të ezanit, i cili paqësisht, qetësisht, qartësisht thërret prej shembullit të përulësisë personale forcën e lutjes së përbashkët. Sipas traditës islame, i pari që e lartësoi ezanin ishte një skllav, Abisinasi Bilal, i emancipuar mbi nënshtrimin dhe përbuzjen nga mëshira e Ebu Bekrit. Ky i fundit shok i armëve dhe i lutjes së profetit më tepër nga forca e shembullit të Bilal etiopasit, sesa nga shembulli i forcës që mishërojnë ata që kalëronin krah tij dhe kryqëzonin shpatën me armikun.

Është gjë e ndjerë dhe e bukur kur, kinse për ta respektuar zërin paqeprurës që vjen nga shkretëtirat dhe nga tutjetëhutë e kohërave, edhe vetë adhuruesit e forcës e reshtin poteren, i squllin flakadanët dhe ulen në sofër, siç thonë ata, në respekt të besimtarëve.

Po më pas kur ezani hesht çfarë bëhet me poteren? Ç’bëhet me flakadanët? Po për besimtarët kush mendon me respekt? A thua se ku shkon lutja shkon edhe shembulli dhe mbetet ndasia dhe vazhdon jeta sikur asgjë të mos kishte ndodhur! Megjithatë në sofrën e iftarit ka vend për të gjithë, edhe për hipokritët, për të cilët i shenjti Kuran dëshmon që janë kureshtarë.

“Sa keq, - thotë Libri i Shenjtë, - sa herë që robi bëhet kryeneç, sapo i duket që i ka të ngrohura shpatullat dhe se mund të mjaftohet e të vetëmjaftohet në përdhunën e tij, për të përligjur forcën hipokritët përpiqen t’i afrohen forcës që mbart shembulli, ta shpërdorojnë e ta transformojnë”. E megjithatë, më të fortë se shembulli i pararendësve nuk ka. Tu përngjash atyre është veçse virtut. E në Librin e Shenjtë na tërhiqet të gjithëve vëmendja kur shkruhet, “çka na duhet kur lutesh, apo nuk na lutesh, - iu përgjigjën dikur profetit, - sjellja jonë është si e pleqve tanë, askush s’ka ç’na bën dhe përnjëmend si e plakut të tyre”.

Në Kuran vazhdojmë lexojmë, “ka njerëz, fjala e të cilëve tek ujdis përditshmërinë të pëlqen e marrin Zotin për dëshmitar të zemrës së tyre, por në të vërtetë janë sherrxhinj dhe të pandreqshëm. Në mundshin të shkretojnë tokën, të mbjellat, të korrat , bagëtinë dhe bujqësinë”. Lidhur me ta, Kurani porosit, “mos qenë e thënë t’i bësh më të voglin dëm myslimanit, por dhe kujtdo besimtari tjetër, klithma e të cilit prej arrogancës tënde vjen te unë pa dallim dhe vjen si të thuash gjithmonë një kohë kur e mira dhe e keqja që ecin ashkë krah për krah, duke iu fshehur njëra-tjetrës përplaset. E mira, shpesh herë duket e dobët. E keqja rëndom duket e fortë, por në përplasjen mes tyre më shpesh triumfon e para sesa e dyta.”

Kurani i shenjtë është një udhërrëfyes shumë bujar dhe ndihmon këdo që i drejtohet, besimtar, ose jo besimtar. I thotë, mos hidh në rrugë hapa pafytyrësie. Dheun nuk e çan dot më dysh dhe as malit majën dot nuk ia prek. Sado që të përplasësh këmbët mbi dhe nuk e ke në dorë në zemër t’i futesh dhe aq ë pak mbi të t’i lësh gjurmë tjetrit.

Ç’janë këto orvatje këto mundime, këto gjeste pa kuptim? Nëse duhet të ecim përpara dhe të bëni përpara luftoni për kauzën tuaj, por bëjeni atë në shtegun e Zotit dhe sipas udhërrëfyesit të tij. Kurani nuk i përjashton kundërshtarët, i nënkupton si pjesë e jetës por thotë luftoni, luftoni kundërshtarët, por pa dalë nga shtegu i Zotit. Mos u bëni faqezinj dhe bukëshkalë, se Zoti nuk i do bukëshkalët. Lufto pra vetë në shtegun, fundja përgjegjës je vetëm për vetveten dhe sjelljen tënde dhe shtegu i Zotit për ata që s’besojnë është ai i arsyes.

Zoti ndihmon këdo që në shtegun e arsyes kërkon ndihmë dhe i ndriçon arsyen kujtdo që atij i drejtohet pa i diktuar se çfarë duhet të besojë dhe kë duhet të besojë. E në fund fare, dua t’ju falënderoj të gjithëve për praninë tuaj në këtë sofër tradicionale tanimë për ne. Ne jemi këtu të rrethuar nga mure që rrezatojnë histori pushtetesh dhe që na mësojnë nëse kemi vesh t’i dëgjojmë që pushtetet ndërrohen, por shtegu i arsyes mbetet dhe kush prej tij devijon, humb pushtetin mbi vetveten.

Qoftë edhe kjo banesë meditimi sot e kthyer në e tillë për shkak të sofrës së iftarit një shëmbëlltyrë për përulësi dhe për paqe dhe dashtë Zoti rrezatoftë edhe më gjerë. Por, në fund fare, siç thotë fjala në Kuran, këtë banesë të mbrame ua japim atyre që nuk duan të jenë kryeneçë dhe marrin njerëzit në qafë. Gjithçka në fund u përket atyre që u ka përkitur gjithmonë. Janë ata që i frigohen Zotit.

Ju qoftë i lehtë dhe i pranuar agjërimi të gjithë besimtarëve myslimanë këtu të pranishëm dhe ata që mbase na ndjekin përmes kamerave, të gjithë juve dhe të gjithë atyre që mu sipas fjalëve të shenjta janë në besë dhe gjithë sa janë i përngjiten paqes, larg ecejakeve të dasibërësve, zullumqarëve të pandreqshëm.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • yp xhixhi: 01/06/2019 02:25

    Edvin Rama shtron iftar ne Naten e Kadriut. Marshallah!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha

Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria, Hasani: Puna vijon, kemi plane konkrete me ministrin Hoxha