Rama: Statusi kandidat, arritja më
e bukur e këtij viti për Shqipërinë

Rama: Statusi kandidat, arritja më<br />e bukur e këtij viti për Shqipërinë
TIRANE- Marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë për në BE në muajin qershor, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një nga ngjarjet me të bukura dhe më të rëndësishme për vendin tonë gjatë këtij viti. Në pritjen e organizuar në Sallën e Hartave në Kryeministri për Trupat Diplomatike në vendin tonë, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e integrimit europian të Shqipërisë dhe rajonit, ndërsa theksoi se edhe BE duhet të ketë më shumë në vëmendje Ballkanin Perëndimor.

Por ndërsa apeloi për marrëdhënie të ndërsjella BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Rama tha se Shqipëria është e gatshme të plotësojë detyrat e procesit të integrimit, dhe nuk kërkon favore. Fjala e Ramës në pritjen për ambasadorët e akredituar në vendin tonë

Më tej, shefi i qeverisë tha se viti 2014, solli raporte të reja të Shqipërisë me BE dhe rajonin.

“Ndihem i mbushur me entuziazëm pas këtij viti ku marrëdhëniet e Shqipërinë me rajonin dhe Evropën kanë qenë të veçanta. Falënderoj ministrin Bushati roli i të cilit ka qenë kyç në dinamikën e re që i ka dhënë integrimit të Shqipërisë. Po kështu falënderoj edhe ministren e Integrimit. Por puna e tyre është ndihmuar edhe nga puna e ministrave të tjerë për përmbushjen e prioriteteve kyçe për integrimit. Statusi i vendit kandidat për Shqipërinë, është arritje e bukur në këtë vit të parë të qeverisjes, është padyshim një hap i rëndësishëm i një pune të madhe. Një falënderim joformal për deputetet e komisionit të jashtëm dhe atij të integrimit që na kanë dhënë mbështetjen e tyre, bashkë me vërejtjet dhe kritikat", deklaroi Rama.

Në fjalën e tij para diplomatëve, kryeministri  Rama ka ritheksuar edhe njëherë gatishmërinë e qeverisë që ai drejton për të përmbushur kërkesat e opozitës, edhe pse nuk ka diçka konkrete të kërkuar nga PD. Kreu i qeverisë ndër të tjera është shprehur se mazhoranca është gatshme të bëjë gjithçka për kthimin e opozitës në Kuvend.
 
Ndërkaq, kryeministri Rama u shpreh se qeveria që ai drejton është e para në historinë e vendit tonë që i ka lënë hapësirë opozitës, ndërsa sa i takon Parlamentit tha se opozita aktuale ka konsumuar më shumë kohë në foltore sesa shumica
 
“Nuk dimë ç’të bëjmë më shumë për opozitën, por jemi gati të bëjmë gjithçka për kthimin e saj në Kuvend. Është qeveria që është marrë më pak me opozitën në historinë e këtij vendi. Jemi parlamenti i parë, që kur ka qenë në sallë opozita ka konsumuar më shumë kohë në foltore sesa shumica”, u shpreh kryeministri Rama.
 
Ndërkaq, duke u ndalur edhe tek presidenca italiane e BE-së, kryeministri Rama shprehur urimin që kryeministri Renci të jetë në vendin tonë qoftë edhe ditën e fundit të presidencës së Bashkimit Europian.

rama
 
Rama: Shqipëria dhe Kosova përballë sfidës së integrimit evropian
Tanimë sapo është mbyllur odiseja e qeverisë së re në Kosovë, dhe i uroj mbarësi në bashkëqeverisje. E pres me padurim takimin me kryeministrin e ri të Kosovës për të vazhduar rrugën e nisur në Prizren janarin e këtij viti, dhe duke çuar përpara procesin e bashkimit të forcave në fushën e bashkëpunimit ekonomik, të arsimit, turizmit, kulturës, shkencës, bashkimit doganor dhe evropian të dy shteteve tona. Shqipëria dhe Kosova janë sot përballë sfidës së re të një rajoni që ka gjetur më në fund paqen. I bashkohemi ëndrrës së vjetër të bashkimit kombëtar në sajë të integrimit të përbashkët evropian.

Rama: Serbia s’është armiku ynë, por fqinji ynë që duhet kthyer në partner
Synojmë të shohim progres në lidershipin e fqinjëve. Por urojmë që këtë standard ta shohim edhe në zbatimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.  Synojmë të mbajmë lart flamurin e paqes dhe dialogut me Serbinë. Serbia nuk është armiku ynë, por fqinji ynë që duhet kthyer në partner. Do të mbështetim Serbinë në presidencën e OSBE.

Raporti i CIA-s, Rama: SHBA na tregoi se çdo të thotë demokraci
Ndërsa theksoi se Shqipëria është me fat që është pjesë e projektit të BE, dhe pjese e NATO-s, kreu i qeverisë shqiptare u ndal edhe tek raportet e vendit tonë me SHBA. Duke u ndalur tek raporti i CIA-s i publikuar së fundmi, kryeministri Rama tha se SHBA treguar edhe njëherë se çdo të thotë demokraci, duke treguar edhe dobësinë, e jo vetëm fuqinë. Nisur nga kjo, kryeministri Rama ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Shqipërisë ndaj SHBA, si një aleate besnike.

“Jemi me fat që jemi pjesë e projektit të BE, ashtu si jemi me fat që një pjesë e botës së organizuar është nën ombrellën e NATO-s, si dhe jemi me fat që kemi një aleat si SHBA. SHBA na treguan edhe njëherë se çdo të thotë të jesh një demokraci, dhe të duash të jesh kështu, pavarësisht kostos që kjo ka. Sa di sa vende të tjera do të ishin të gatshme të tregonin dobësinë e tyre? Ne Shqiptarët morëm provën se jemi në anën e duhur të sigurisë, duke qenë besnikë të SHBA.  Jam krenar që gjatë këtij viti Shqipëria ka rritur figurën e saj në rajon dhe rolin e saj në NATO. Zëri ynë aty ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë për politikën e dyerve të hapura në raportet tona me aleancën. Mbështetim anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, ashtu si do të mbështesim edhe Maqedoninë. Shprehim falënderime edhe për mbështetjen që Italia i ka dhënë integrimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh kryeministri Rama.

Bushati: Kapitulli i ri me Serbinë i rëndësishëm për rajonin
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati është ndalur tek zhvillimet politike gjatë vitit 2014, dhe marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se viti 2014 ka qënë një vit i suksesshëm, e ndërsa sipas tij Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në rajon.

Sa i përket marrëdhënieve mes vendeve fqinjë, Bushati tha se janë ulur tensionet me Greqinë duke filluar një bashkëpunim i ri. Sfidë shefi i diplmacisë shqiptare cilësoi hapjen e kapitullit të ri të bashkëpunimit me Serbinë.


“Ne ketë vit e mbyllim me disa veprime konkrete sa i përket integrimit. Shqipëria në qershor morri statusin, duke bërë një hap përpara dhe duke marrë përgjegjësi të reja. U përfshimë në procesin e Berlinit, ku u dha një mesazh i qartë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Proceset e integrimit janë reflektuar me pozitivistet edhe për sa i përket politikës sonë në rajon. Përthyerja e krizave të ndryshme ndërkombëtare, e kanë kthyer edhe njëherë vëmendjen tek përgjigjja që i është dhënë në Ballkan. Shqipëria ka qenë në një linjë me SHBA dhe BE. Kemi një rivitalizim të marrëdhënieve me vendet tona fqinje, marrëdhënie të reja me Italinë, zgjidhëm disa probleme me Greqinë, nisëm një marrëdhënie të re me Turqinë. Është kapitulli i ri me Serbinë, i rëndësishëm për stabilitetin politik në rajon dhe procesin për anëtarësi në BE. Filluam ndërtimin një partneriteti të ri me Kosovën. Një dimension tjetër gjatë këtij viti ishin dhe çështjet e sigurisë, që konkludoi me samitin e NATO-s”, deklaroi Bushati.

Kreu i trupit diplomatik të Vatikanit: Statusi dhe vizita e Papës, dy ngjarje të mëdha
“Puna e qeverisë ka krijuar shpresë të re në Shqipëri”, vuri në dukje sot në mbrëmje Kreu i trupit diplomatik të Vatikanit, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglés.Në fjalën e tij, gjatë pritjes së fundvitit të organizuar në kryeministri për trupin diplomatik, Ambasadori i Vatikanit në vendin tonë vlerësoi se “paqja dhe stabiliteti në rajon, rritja e marrëveshjeve një palëshe dhe shumëpalëshe si dhe respekti dhe bashkëpunimi reciprok, kanë qënë një përpjekje konstante e qeverisë tuaj”. Në një kohë relativisht të shkurtër, në Shqipëri kanë ndodhur dy ngjarje të rëndësishme dhe të gëzueshme, tha më tej diplomati i Vatikanit duke veçuar marrjen e statusit të vendit kandidat dhe vizita e Papa Françeskut në Shqipëri më 21 shtator të këtij viti.

“Si përfaqësues i trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, ju falenderoj në emër të githë kolegëve të mi dhe përfaqësuesve të trupave diplomatike në Shqipëri për ftesën. Na u dha mundësia të mblidhemi këtu si një familje e madhe. Është me rëndësi t’u jepen të drejta të gjithë individëve, për këtë janë të ftuar të gjithë shqiptarët për të punuar së bashku për mirëqenie, paqe e stabilitet. Puna e qeverisë ka krijuar shpresë të re në vend. Paqja në rajon është një përpjekje konstante e kësaj qeverie. Ka ngjarje të bukura që i kanë ndodhur këtë vit Shqipërisë. Në qershor Shqipëria përmbushi aspiratën e saj të shumëpritur, duke u bërë një vend me statusin kandidat të BE. Edhe ne e ndajmë këtë gëzim të Shqipërisë, ishte rezultat i një pune të madhe e të vendosur të shumë aktorëve.

Sot shqiptarët janë krenare, pasi e shohin këtë si një njohje të shndërrimeve thelbësore që kanë ndodhur në vend, në një periudhë të shkurtër kohe. Është puna e përbashkët e bërë nga të gjithë, por mbeten ende sfida për të garantuar një qëndrueshmëri strukturore. Por megjithatë nevojitet konsensusi i nevojshëm për të ndërtuar Shqipërinë e re e cila është e gatshme për t’u integruar plotësisht në Evropë. Një tjetër ngjarje e rëndësishme që solli gëzim në Shqipëri, ishte vizita njëditore e Shenjtërisë së tij Papa Françesku, në 21 shtator në Tiranë, me ftesë të kryeministrit Rama, vizita e parë e Papës në një vend evropian. Papa erdhi në Shqipëri për të vizituar vendin që kishte vuajtur kaq shumë gjatë komunizmit. Ky realitet shqiptar është një realitet për botën dhe një dëshmi për të treguar se mund të jetojmë së bashku duke respektuar identitetin e veçantë. Unë kam detyrën t’u them edhe të tjerëve të ndjekin këtë shembull”.

Redaksia Online
(e.s/g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?