BERLIN- Kryeministri Edi Rama ka falenderuar kancelarin gjerman, Olaf Scholz për udhëheqjen e tij, me rastin e Kongresit të Partisë Social Demokrate që po zhvillohet në Berlin. 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se procesi i rinovuar i Berlinit është vetëm një nga shumë sukseset e miqve dhe aleatëve në Berlin. Rama shkruan se Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit.

“Me rastin e Kongresit të SPD në Berlin, ju falënderoj sinqerisht Olaf Scholz për udhëheqjen e tij. Procesi i rinovuar i Berlinit është vetëm një nga shumë sukseset e miqve dhe aleatëve tanë në Berlin. Shqipëria do të mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj këtij procesi si platforma kryesore për bashkëpunimin e nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Rama.

Ndërkohë, në Berlin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka zhvilluar një takim 'kokë më kokë' me Olaf Scholz.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:22
Kurti takohet me Scholz në kongresin e SPD-së: Nënvizuam fuqinë e marrëdhënieve tona dypalëshe

Olaf Scholz dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, gjatë kongresit të Partisë Socialdemokrate. Kurti tha se takimi me Scholz ishte i frytshëm, teksa shprehu kënaqësinë e tij që po merr pjesë në kongresin e SPD-së gjermane.

“Kënaqësi të marr pjesë në kongresin e partisë SPD në këtë vit, ku pata një takim të frytshëm me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ku nënvizuam fuqinë e marrëdhënieve tona dypalëshe dhe vizionin tonë të përbashkët si socialdemokratë që nxisin drejtësinë, përparimin dhe prosperitetin për qytetarët tanë”, shkroi Kurti.

Sipas kryeministrisë, Kurti do të qëndrojë për vizitë në Gjermani edhe nesër, ku do të takohet me emigrantët e Kosovës.