Rama:Të shkrihen drejtoritë e
Bujqësisë,duhen zyra informimi

Rama:Të shkrihen drejtoritë e<br />Bujqësisë,duhen zyra informimi<br>
Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për shkrirjen e drejtorive të bujqësisë në vend dhe zëvendësimin e tyre nga struktura informimi reale. Nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, kryeministri Rama tha se në strukturat shtetërore informimi nuk funksionon, ndërsa ju bëri thirrje studentëve të mësojnë sa më shumë në fushën e bujqësisë.

Sipas tij, sa më shumë dije, aq më shumë fitim, duke shtuar se për këtë arsye vendet më të përparuara kanë më shumë, pasi dinë më shumë.

“Siç është biznes, është edhe dije. Sa më shumë të dish, aq më shumë mund të fitosh në tokën me punën në fshat. Ky është një element shumë problematik, ndaj ju duhet të konsideroni seriozisht faktin se çfarë keni futur në kokë në këtë universitet është një kapital, që të tjerët nuk e kanë dhe përmes të cilit ju mund të fitoni shumë më tepër.

Kapacitetin evropian e kanë më të madh vendet më të përparuara dhe më të vogël vendet më në nevojë. Vendet më të përparuara kanë më shumë, sepse dinë më shumë. Ne duam të rrisim kapacitetin e dijes, që t’iu themi fermerëve ‘ja ku i keni fondet, hajdeni e merrni’. Ata nuk i marrin dot, nëse nuk dinë. Struktura shtetërore e informimit nuk funksionon. Ndaj duhet të shkrihen drejtoritë e bujqësisë dhe të zëvendësohen nga struktura informimi reale pranë fermerëve.

Në Korçë ka problem, ka mbiprodhim të patates dhe nuk ka treg. Të gjithë shikojnë nga shteti, a thua se është qeveria që duhet t’iu blejë patatet. Duhet të heqim dorë nga mbjellja e patates dhe të mos mendojnë që ajo nuk shitet, sepse shteti nuk është në gjendje të mundësojë shitjen e saj. Duhet të heqin dorë nga patatja dhe të kalojnë te mollët. Për këtë duheni ju, që të shtojmë forcat dhe të jemi në fazën e aplikimeve në të gjithë territorin, ku ne synojmë të rrisim eksportet dhe të përcjellim mesazhin e qartë se çfarë janë skemat e reja”, tha Rama. 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama
Faleminderit për praninë tuaj dhe për gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij procesi! Pak a shumë, ju jeni të informuar me detaje, sepse paraprakisht keni bërë dhe një trajnim me AZHBR-në, por edhe ministri i vuri në dukje disa elementë kyçë të këtij procesi dhe mua s’më mbetet vetëm se të përpiqem të bëj një përmbledhje të arsyeve pse jemi këtu sot. Njëkohësisht, edhe të përpiqem t’u them se për këdo nga ju që dëshiron të vazhdojë në rrugën e nisur, përmes studimeve dhe të fitojë më shumë sesa një rrogë shteti, ky është fillimi i një jete të re me fshatin, sepse, për fat të keq, për një periudhë të gjatë kohe është krijuar ideja dhe jo gabimisht, por sepse e tillë ka qenë e gjithë qasja ndaj fshatit, se bujqësia është një sektor thjesht për të mbijetuar, se kush merret me tokën dhe kush merret me përpjekjen për të jetuar përmes tokës, thjesht mbush barkun me bukë.

Aq e vërtetë është kjo, saqë kur mua më ndodh të gjendem në fshat dhe të bëj një vizitë në një shtëpi që transmetohet edhe në atë dritaren e vogël të Facebook-ut tim, shumica dërrmuese e atyre që komentojnë, thonë “i le pa bukë”. Domethënë, shkova unë për drekë dhe ata, gjithë çfarë kishin për të ngrënë gjatë vitit i nxorën në tavolinë, sipas perceptimit. Ndërkohë që realiteti është krejt i ndryshëm dhe mund të jetë 100% i ndryshëm nga sa është. Nuk ka fermerë të varfër në Europë. Nuk ekziston në Europë, ideja që kush jeton në fshat, kush punon tokën, kush prodhon ushqim, të jetë në kufijtë e mbijetesës. Përkundrazi, është biznes si të gjithë të tjerët.

Ne jemi në një fazë që shkojmë drejt kësaj, por jemi ende larg për njëmijë e një arsye. Nga ana tjetër, siç është biznes, është edhe dije. Sa më shumë të dish, aq më shumë mund të fitosh me tokën, me punën në fshat. Ky element është një element shumë problematik në realitetin tonë të sotëm. Edhe kjo për njëmijë e një arsye. Kështu që ju do të konsideroni seriozisht faktin se çfarë keni futur në kokë këtu në këtë universitet është një kapital që të tjerët nuk e kanë dhe përmes të cilit, ju mund të fitoni nesër shumë më tepër, sesa thjesht një rrogë në një punë shteti.

Sot, ne jemi këtu për të shfrytëzuar dijen dhe pasionin tuaj për këtë sektor, në funksion të një procesi që është jo i thjeshtë, për të çuar paratë që kemi në dispozicion për zhvillimin bujqësor dhe rural në duart e fermerëve. Do thoni ju, çfarë problemi ka, paratë i keni, çojini. Po nuk ndodh kështu. Mjafton t’ju them se, nëse do shikojmë sesi shpenzohet në vite fondi i Bashkimit Europian për mbështetjen në bujqësi, do shikojmë që kapacitetin thithës të fondeve të Bashkimit Europian e kanë më të madh vendet më të përparuara, jo vendet që kanë më shumë nevojë. Vendet që kanë më shumë nevojë e kanë më të vogël kapacitetin thithës, për një arsye shumë të thjeshtë, se vendet më të përparuara, si Franca, Gjermania e me radhë, nuk janë më të përparuara se kanë më shumë, janë më të përparuara se dinë më shumë. E pikërisht pse dinë më shumë, kanë më shumë. Vendet më pas, që kanë nevojë për më shumë, në fund marrin më pak, jo se janë më të dobëta, por sepse dinë më pak.

Ky është një proces ku ne duam të rrisim kapacitetin e dijes në këtë moment, që t’ju themi fermerëve, ja ku i keni fondet, ejani merrini. Nuk i marrin dot, nëse nuk dinë sesi merren, sepse, së pari, duhet të informohen. Mënyra si është e organizuar prej shumë kohësh struktura jonë shtetërore e informimit nuk funksionon. Prandaj unë kam qenë dhe mbetem i paduruar që të shikoj të shkrihen drejtoritë e bujqësisë dhe të zëvendësohen nga struktura informimi reale, që janë pranë fermerëve.

Po ju marr një shembull, besoj e keni dëgjuar. Në zonën e Korçës ka një problem, ka mbiprodhim të patates, nuk ka treg. Të gjithë shikojnë nga shteti, a thua se është qeveria që duhet të shkojë t’u blejë patatet. Në një treg të lirë, ku ka konkurrencë të hapur dhe ku nuk mund të shkosh pas berihait, me idenë që ta prodhoj njëherë, pastaj me siguri do e shes. Ka disa arsye, pse ata që kanë mbjellë patate në atë zonë, duhet të heqin dorë nga mbjellja e patates dhe nuk duhet të mendojnë se patatja nuk u shitet, ngaqë shteti nuk është në gjendje të bëjë të mundur shitjen e saj. Por ka disa arsye; është një patate e bardhë që, së pari, është më pak e preferueshme se patatja e verdhë e Kukësit, së dyti, del në momentin kur del patatja e dytë e Divjakës. Kështu që janë të dënuar ta mbajnë pataten nëpër stoqe. Ndaj ajo që duhet të bëjnë është se të ndërrojnë lojën. Duhet të heqin dorë nga patatja dhe duhet të kalojnë tek pemëtaria, tek mollët.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë informim, do të thotë që ne të kemi kapacitetin që në sa më shumë shtëpi dhe në sa më shumë veshë fermerësh që jetojnë e punojnë me tokën të çojmë informacionin e duhur, që çfarë është më e mira të bëhet në atë zonë për të marrë mbështetje. Nëse dikush ka pasion pataten, deri në pikën që të mos e shesë, por ta mbajë në shtëpi, le të mbjellë patate. Është i lirë ta bëjë. Nëse dikush ka pasion që të mbjellë banane në Alpe, le ta bëjë, por nuk mund të kërkojë asnjë mbështetje financiare nga ne dhe nuk mund të kërkojë asnjë llogari, pse nuk i funksion patatja në shtëpi apo banania në Alpe. Për këtë duheni ju, që të shtojmë forcat dhe të jemi në këtë fazë përpara aplikimeve në të gjithë territorin ku ne synojmë të rrisim eksportet dhe të përcjellim mesazhin e qartë se çfarë janë skemat e reja, si mbështeten ato dhe si bëhet një aplikim.

Ka dy programe. Njëri është programi i qeverisë shqiptare, që është më i thjeshtë. Tjetri është programi i Bashkimit Europian, që është më i vështirë, sepse duhet të ulesh dhe të shkruash një projekt bindës për të marrë para. Ndryshe nuk mjafton të thuash që unë jam popull, ndihmoni popullin, se ngelëm pa bukë. Ky është muhabet. Bashkimi Europian, çdo para që të vë në dispozicion, të bën ta paguash me mund dhe me djersë për ta marrë. Nuk e merr dot se ke nevojë. Kaq nuk mjafton. E merr duke pasur kapacitetin të shpjegosh pse ke nevojë dhe pse me ato para do bësh sukses. Kjo e dyta kërkon dije. Për këtë arsye, ju duhet ta konsideroni si një front pune dhe fitimi për ju. Në vend që të mbaroni masterin e të rrini te kafja e të prisni punë shteti, apo të shkoni në ndonjë parti që t’u japë ndonjë punë, të shikoni në këtë hapësirë që ka mundësi që ju të specializoheni në këtë fushë dhe të bëheni të aftë që, duke mbështetur, ndihmuar si konsulentë fermerët për shkrimin e projekteve, të merrni ju pjesën tuaj të fitimit nga projekti fitues.

Ky është momenti i parë i lidhjes tuaj me AZHBR-në. Ne duam që kjo lidhje të mos jetë e përkohshme, por të vazhdojë dhe ju të jeni një rrjet bashkëpunëtorësh të AZHBR-së. Kur të mbaroni studimet, të jeni ju të parët kandidatë për t’u bërë pjesë e AZHBR-së, qoftë brenda si specialistë, qoftë jashtë si bashkëpunëtorë të jashtëm, në mënyrë që kjo punë që fillon sot, me njohjen tuaj direkte me fermat, me njerëzit, me zonat, të pasohet më pas nga përfshirja juaj në asistencën e fermerëve për atë që ju e dini më mirë se ata, që është letrat, si shkruhet një projekt, çfarë kushtesh ka një aplikim dhe çfarë fazash duhen ndjekur për të marrë fondin. Njëkohësisht, duke qenë atje, të mësoni atë që ata e dinë më mirë se ju, që është i gjithë procesi i prodhimit.

Unë jam besimplotë se kush do ta kapë këtë moment, do të hapë një rrugë suksesi në karrierën e vet dhe kush do të dëshirojë të vazhdojë të punojë ngushtësisht me ne, për ta çuar përpara këtë proces, do të ketë shumë punë për të bërë. Ne folëm me rektorin edhe me pedagogët për të ndërtuar një urë në vazhdimësi, kështu që mos mendoni se jeni ju vetëm dhe s’keni të tjerë. Vitin tjetër do vijnë të tjerët pas jush, kështu që do rritet zona e konkurrencës, prandaj kapeni këtë moment që jeni të parët dhe mos e lëshoni. Na duheni si rrjet dijeje dhe ju duhet rrjeti i dijes si mundësi fitimi, që ju të jeni në gjendje të punoni me këtë punë që keni dëshiruar dhe të fitoni më shumë se rrogën, më shumë se të drejtën apo mundësinë për të shkuar në një punë shteti dhe për të lozur me letra në kompjuter gjatë kohës që je në zyrë e për të dalë jashtë e për t’u marrë me politikë në pjesën tjetër të kohës dhe për të mbetur pastaj komplet dru, që nuk prodhon asgjë kur ju shkon mosha 40 vjeç.

Për skemat jeni trajnuar. Për si do funksionojë kjo punë jeni informuar. Mos harroni, lumturia është fjalë e madhe, por lumturia në fund të fundit është të bësh punën që pëlqen dhe të jetosh me punën që pëlqen. Ky është një moment që jo të gjithë arrijnë. Ju keni mundësi ta arrini, të bëni punën që ju pëlqen dhe të jetoni mirë me punën që ju pëlqen. Mos e lëshoni këtë mundësi. Bashkërisht, hap pas hapi të shikojmë sesi do zhvillohet ky proces. Por si fillim do shkojmë në këto zona. Ministri i Bujqësisë, drejtoresha e AZHBR-së, zv/ministri, rektorët do merren me pjesën e punës tuaj. Unë jam angazhuar me pjesën e argëtimit tuaj. Unë jam përgjegjës për mikpritjen, për sistemimin, për festat e mbrëmjes. Pastaj, nga ora 05:00 e mëngjesit, kur gdhihet, deri kur ngryset e keni me këta. Faleminderit!​

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024