Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim me sipërmarrës të përpunimit të vajit të ullirit në Berat, nga ku, për herë të parë, foli edhe heqjen e subvencioneve të naftës për fermerët.
Kreu i qeverisë tha se sipas analizave dhe përllogaritjeve të bëra nga autoritetet përkatëse, subvencioni i naftës për 60 mijë fermerë më parë, jo vetëm që nuk ka ndikuar në rritjen e parametrave të prodhimit, por është abuzuar nga ana e përfituesve. Sipas Ramës, shumica e naftës së subvencionuar nuk përdorej për destinacionin e dhënë, por për “makina në qytet”.
“Kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që fuqia prodhuese, baza prodhuese e madhe apo e vogël, nuk e ka këtë lloj proporcioni. Nuk kanë 60 mijë njësi prodhimi dhe në këtë sens ne nuk kemi hequr mbështetjen për asnjë që ka nevojë për naftë, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk kanë lidhje me bujqësinë.
Shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve kanë qenë të detyruar të marrin naftën dhe t’ua japin të tjerëve, sepse është dhënë për sipërfaqe dhe sipërfaqja është në emrin e dikujt tjetër. Ai person tjetër mund të ketë një makinë në qytet dhe merr naftën nga ai që punon tokën.
Dhe e treta, nuk ka rezultuar që kjo formulë ka ndikuar në rritjen e parametrave të prodhimit dhe as që dalja nga kjo formulë do të sjellë ulje të prodhimit”,- tha Rama.
Kryeministri vlerëson edhe bashkimin e 70 njësive të përpunimit të vajit të ullirit në Berat, në një konsorcium të vetëm. Kjo ‘koperativë kapitaliste’, siç e quajti Rama, i garanton sipërmarrësve që produkti të shitet plotësisht, më shpejt dhe me një çmim që sjell fitim të kënaqshëm për secilin prej atyre që është përshirë në konsorcium.
“Në fund u krijua një model shembullor i bashkimit që bën fuqinë kur vjen puna te shitja. Në prodhim rrini veç, por në shitje sa më shumë të bashkoheni, aq më shumë do të çoni në shtëpi nga fitimi.
Jeni 70 e ca aktorë në fushën e prodhimit të vajit të ullirit. Nëse keni 70 e ca dyqane ku secili shet vajin e vet, jeni më të dobët në shitje, i keni kostot më të larta për të shkuar te blerësit dhe nuk keni kapacitet të negocioni çmime me ata që duan të eksportojnë vajin tuaj. Ata mund t’jua marrin për një çmim shumë të ulët.
Ndërkohë që duke krijuar këtë konsorcium, ju ulni kostot, krijoni masë kritike për negocim dhe eksportoni ose nxirrni në treg këtu me një çmim që ju sjell vlerë të shtuar. Kaq e thjeshtë është kjo.
Ne do t’i mbështesim edhe më shumë në vazhdimësi këto nisma dhe ju keni filluar ndërtimin këtu të pikës që do të jetë pika fundore e trajtimit. Por, siç thotë populli, oreksi vjen duke ngrënë dhe do doni të rriteni e të shtriheni më shumë. Kjo është arsyeja pse ne kemi vendosur mbështetje të posaçme për shoqëritë e bashkuara bujqësore, që në fakt janë kooperativa kapitaliste”,- tha Rama.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, zhvilluan këtë të premte një takim me përpunuesit e vajit të ullirit në Berat.
Në fokus të takimit ishte rritja e pagave në sektorin bujqësor, investimet në agropërpunim, lehtësimi i barrës fiskale dhe forcimi i skemave mbështetëse për fermerët dhe përpunuesit.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Salla theksoi rëndësinë e modelit të bashkëpunimit të ndërtuar në Berat, duke e cilësuar atë si një shembull konkret për t’u shtrirë në të gjithë vendin.
“Është një model që kemi krijuar me bashkinë e Beratit dhe me fermerët e përpunuesit e vajit të ullirit, të cilin do ta zgjerojmë në të gjithë territorin, në mënyrë që të krijojmë një ekonomi më të madhe bashkëpunimi mes fermerëve,” u shpreh ai.
Ministri nënvizoi se përmes këtyre modeleve synohet rritja e vlerës së prodhimit dhe përpunimit vendas.
“Në përllogaritjet tona, këto modele krijojnë 25 deri në 30% më shumë vlerë, për shkak të përpunimit dhe organizimit të fermerëve,” tha Salla.
Ai bëri të ditur se mbështetja për sektorin do të vijojë përmes skemave kombëtare dhe fondeve të agropërpunimit, si dhe përmes programeve të Bashkimit Europian.
“Janë rreth 50 milionë euro të dedikuara për agropërpunimin, të cilat do të shtrihen në të gjithë territorin, duke ndërtuar modele konkrete në çdo bashki,” theksoi ministri.
Në vijim, Ministri Salla u ndal te ndikimi i sektorit bujqësor në punësim dhe rritjen e pagave, duke evidentuar progresin e viteve të fundit.
“35% e të punësuarve në vend janë në sektorin bujqësor. Nga një pagë minimale prej 40 mijë lekësh në vitin 2024, në vitin 2026 kemi një pagë mesatare mbi 50 mijë lekë. Ky është një progres që duhet ta mbështesim më tej,” deklaroi ai.
Komente











