Rama tregon të vërtetën për 100 mln eurot për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit

Rama tregon të vërtetën për 100 mln eurot për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit

Kryeministri Edi Rama mohon që qeveria po planifikon të shpenzojë edhe 113 milionë euro për menaxhimin e mbetjeve në Elbasan dhe në Fier për t’u rikthyer te strategjia e riciklimit. Bëhet fjalë për një shkrim të BIRN të mbështetur në një draft-dokument i qeverisë shqiptare i “Politikave Prioritare” për periudhën 2024-2026 ku renditetsi projekte “Unike me rëndësi kombëtare” të investimeve publike edhe krijimin e zonave funksionale për mbetjet në Elbasan dhe Fier.

Rama thotë se media ka keqinformuar. Duke bashkangjitur fletoren zyrtare sqaron se kemi të bëjmë me një  dokumenti orientues ku dhe shumat nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative.

Reagimi i plote

Asaj shprehjes popullore, “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur s’e nxjerrin dot”, po i bashkangjis si adresë Fletoren Zyrtare, ku çdo shejtanbudalla nga ata që e kanë nxjerrë nga nuk e di ku, se qeveria paskej vendosur 100 e kusur milionë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare, mund të gjejnë se çfarë ka vendosur në fakt në atë dokument qeveria në mbledhjen e miratimit të tij, e pastaj mund t’ia tregojnë publikut, ndërkohë që për sa na takon nuk kemi vendosur asgjë të tillë! Me këtë rast sqaroj se shumat e përcaktuara në këtë lloj dokumenti orientues janë shuma që nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative, ndërkohë që guri 100 e kusur milionësh s’ka asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin! Në mbyllje, mediave “investigative” që marrin pjesë në hedhje gurësh në mexhelis, u lutem të mos harrojnë t’u drejtohen edhe burimeve zyrtare, qoftë edhe për të larë gojën, sepse mund t’i kursejnë vetes figurën e keqe të të keqinformuarit që keqinformon, ndërkohë që misioni i tyre është ta informojnë publikun duke e mbrojtur nga keqinformimi

Lidhur me kete çështje upyet edhe nga gazetarët sot në konferencë

Gazetarja: Së fundmi, në politikat prioritare është përgatitur një program ku janë parashikuar 113 milion euro, të cilat do të përdoren për menaxhimin e mbetjeve në këto dy qytete, të Elbasanit dhe të Fierit. Në politikat prioritare, në dokumentin, i cili disponohet edhe nga BIRN, i cili është bërë edhe publik për mediat, thuhet se faza e fundit do të jetë riciklimi dhe jo incenerimi. Tashmë që ne kemi dy inceneratorë aty dhe tashmë ata nuk funksionojnë, a kemi dështuar me incenerimin në këto dy bashki dhe i jeni rikthyer nismës së Bashkimit Europian që faza e fundit të jetë riciklimi dhe incenerimi ndoshta shumë, shumë më vonë. Isha e qartë?

Kryeministri Edi Rama: Ju jeni gjithmonë të qartë në paqartësinë tuaj sepse nuk di se sa herë duhet shpjeguar dhe si mund të shpjegohet që përpunimi i mbetjeve bëhet me para, nuk bëhet me frymën e shenjtë. Impiantet ndërtohen me para dhe funksionojnë me para dhe ka dy rrugë për t’i bërë impiantet të funksionojnë. Njëra është të paguajnë qytetarët, duke rritur taksat e tyre, njëra është që shteti të mbështesë qytetarët që ata mos paguajnë atë që kushton kjo punë. Si i bëhet për ta shpjeguar këtë. Në çfarë forme? Investimet janë bërë aty, për ato gjëra që kanë ndodhur ka pasur mangësi dhe nevoja. Impianti i Elbasanit është funksional siç do makineri tjetër që herë pas here kërkon pjesën e përkujdesjes së remontit e të tjerë, pra është një investim i bërë, është pronë e bashkisë Elbasan. Pra, gjatë gjithë periudhës është ndërtuar impianti dhe njëkohësisht iu është hequr qytetarëve nga koka reja e zezë e helmit me të cilin jetonin të moshuarit, fëmijët dhe të gjithë familjarët që banonin në Elbasan, por funksionimi nëse alternativa nuk është që t’i hedhi plehrat në lumë, se është dhe ajo pa lek dhe kushton pak. T’i mbledhim plehrat, t’i hedhim në lumë siç janë hedhur në të gjitha vitet e atyre që sot shqetësohen. Nëse alternativa nuk është kjo, por është ajo që bën bota e qytetëruar, atëherë përpunimi i mbetjeve kushton. 

Edhe përpunimi i mbetjeve në landfillet që ne kemi ndërtuar kushton, kushton shumë para. Kur unë kam qenë Kkryetar i Bashkisë kam dashur që ta bëj një impiant të tillë dhe nuk e kam bërë dot sepse kostoja ishte shumë e lartë. Bashkia nuk mund të vinte ato fonde në dispozicion dhe qytetarëve nuk mund t'i kërkohej të paguanin secili tarifën për të bërë atë punë. Pra, shikoni një shifër dhe filloni fantazoni. "Nuk punojnë ato”. Ato punojnë dhe Fieri ka nevojë për një pjesë të fundit sepse u ndërpre nga sekuestrimi. Do ta marri bashkia e Fierit, do ta bëjë dhe atë pjesë të fundit dhe do futet në funksion. Çfarë pyetje bëni tani? “Do kthehet, nuk do bëjmë këtë atë, nuk do bëjmë atë”.  Do i bëjmë të gjitha! Siç është plani për t'i bërë. Nuk e kuptoj pyetjen realisht se nga mënyra si e thoni ju duket sikur janë vënë 113 milionë që të bëjmë një gjë nga e para. S’ka lidhje fare. Dhe ndërkohë mos harroni që kemi ende probleme në Shqipëri me hotspote dhe pse janë pakësuar shumë. Shqipëria ka qenë e mbytur me plehra. Unë habitem! E keni ju parasysh këtë gjë? Meqë keni vajtur te Kadastra, do ju jap përgjigje dhe për kadastrën. Keni vajtur te kadastra dhe keni parë që nuk funksionon. Keni parë ju një shembull që nuk funksionon. Po keni në arkivat tuaja plot se çfarë ka qenë Shqipëria përpara se ne të ndërmerrnim gjithë këtë politikë dhe gjithë këto hapa. Kështu që, ata të cilët në këtë proces kanë abuzuar nuk e errësojnë dot fare as qëllimin  e lartë, jo të mirë por të lartë të pastrimit të Shqipërisë nga plehrat që e kishin mbytur deri në fyt dhe as rezultatet e kësaj pune që janë evidente. U vu Tirana në administrim nga shteti. Si mendoni ju tani, do bëhet pa lek ajo punë? Nuk do kushtojë meqë e mori shteti? Do vazhdoje të bëhet me para se përndryshe nuk funksionon. Shumë e thjeshtë, nuk funksionon. I kemi thënë këto gjera 1000 herë dhe vazhdon e njëjta histori. Për mua ajo histori është e mbyllur dhe shumë e qartë. Puna për të pastruar Shqipërinë do të vazhdojë. Le të hidhen përpjetë të gjithë ata që nuk e kuptojnë që për të pastruar Shqipërinë kushton. Kushton dhe do të kushtojë gjithmonë e më shumë, jo gjithmonë e më pak. Sepse është bukur t’i kesh miliona e miliona turistë, por e dini se çfarë do të thotë ndër të tjera. Do të thotë te kesh miliona e miliona konsumatorë më shumë dhe shumë më tepër mbetje. Si i bëhet kësaj pune? Kështu që kjo punë do vazhdojë. Ndërkohë që, pjesa tjetër duhet të vazhdojë deri në fund. Dhe atë po e bën SPAK-u, po e bën gjykata speciale. Duhet ta bëjnë deri në fund, do t’ia nxjerrin të gjithë ujin e zi asaj historie. Por gjithë ai ujë i zi i asaj historie nuk e bën nul punën kolosale që është bërë dhe ku këto nisma kanë pasur rolin e tyre vendimtar që Tirana, Elbasani edhe Fieri bashkë me to që i kishte plehrat në të katra anët janë sot ndryshe.

Kështu që, kanë një shprehje të bukur italianët. Nuk duhet hedhur bebja bashkë me ujin e ndotur. Uji i ndotur hidhet dhe bebja vazhdon rritet. Kështu e shoh unë.

 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë