Gjatë një takimi me socialistë të Qarkut Dibër në sajë të 35-vjetorit të Partisë Socialiste, kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama u rrëfeu dibranëve prapaskenat e procesit të ndërtimit të Rrugës së Arbrit ndërkohë që në pushtet ishte Sali Berisha. 

"Kemi gjetur një marrëveshje në parim nga qeveria e mëparshme për Rrugën e Arbrit me një shtet tjetër, marrëveshje skandaloze për nga shtrenjtësia e veprës dhe nga interesat që duhet të paguanin shqiptarët, dhe plus rruga me pagesë. Kur e kam pyetur njërin që ishte në dijeni për firmosjen e marrëveshjes: “Si e firmosët? Ajo është një tmerr”, që ne u përpoqëm ta negocionim, derisa unë mora vendimin që do ta prishim marrëveshjen dhe do ta ndërtojmë vetë. Më tha: “Ja kemi thënë të tëra atij, por ai thoshte firmoseni se s’ka për t’u bërë kurrë, por për sa kohë kemi marrëveshjen, ua marrim votat prapë dibranëve".

Ne nuk e kemi bërë Rrugën e Arbrit për t’u marrë votat dibranëve. Ne e bëmë sepse mungesa e asaj rruge ishte boshllëku më i madh mes një shteti dhe një pjese të popullsisë së vet. Ne nuk mund ta linim të ndarë nga pjesa tjetër e popullit, aq më tepër një trevë si kjo që i ka dhënë kaq shumë jo vetëm historisë, por gjithë rrugës së vështirë të ngritjes dhe transformimit të Shqipërisë",- tha Rama.


Lajmi kryesor:

35-vjetori i PS/ Rama në Dibër: PD, shkatërroi Shqipërinë kur pati mundësi, sot tenton të shkatërrojë fasadën e kryeministrisë! Si Rrugën e Arbrit, do finalizojmë edhe anëtarësimin në BE