Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga takimet që zhvilloi në Itali dhe Spanjë me kryeministrat Giorgia Meloni e Pedro Sanchez, por edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të të dy vendeve.

Gjatë fjalës në podcastin e tij ‘Flasim’, kryeministri tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë janë forcuar gjatë qeverisjes Meloni. Po ashtu kryeministri tha se delegacioni shqiptar u prit në Spanjë me nderim të veçantë edhe nga Dhoma Tregtare e Katalonjës, ç’ka sipas tij tregon rritjen e vlerësimit për Shqipërinë gjatë këtyre viteve.

“Këtë javë pata luftim me 2 ndalesa, në Romë dhe Barcelonë. Takimi me Melonin në Romë ishte një moment për të bërë një bilanc të ecusisë së punëve tona të përbashkëta. Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë. Të gjitha qeveritë italiane kanë qenë të gatshme dhe të vëmendshme, për ta mbështetur Shqipërinë. Por me qeverinë aktuale të Italisë, gjërat kanë shkuar në një nivel tjetër.

Pra edhe firmosja e marrëveshjes strategjike mes 2 qeverive në takimin e mëparshëm të Romës, është në të vërtetë pasqyra më kuptimplotë e faktit se marrëdhënia e cilësuar gjithmonë si strategjike ka marrë një ngjyrë të re përmes projekteve të bashkëpunimit strategjik, që lidhet me zhvillimin, qoftë me sigurinë. Pas Romës pata një vizitë në Barcelonë, ku me ftesë të kryeministrit Sanchez, mora pjesë në tryezën e përbashkët të Samitit, të quajtur në mbrojtje të demokracisë. Dhe para këtij Samiti, së bashku me delegacionin, u pritëm me nderim të veçantë nga Dhoma e Tregtisë së Katalonjës.

Dikur Shqipëria në Spanjë lidhej me paragjykime, ndërkohë sot Shqipëria është një destinacion kryesor turistik për të rinjtë spanjollë. Ndërsa marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë në një nivel tjetër. Këto ndalesa nxjerrin në pah qartë se si partnerë seriozë, falë ecurisë dhe transformimit, ne gjendemi në një pikë ku kemi vetëm një rrugë, të ecim me shpejtësi përpara”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

‘Arlis’/ Rama: Dolën e folën ekspertët publikë pa licenca, nisja e zjarrit nuk ka lidhje me vetë ndërtimin! Bonus qiraje për banorët