Tingujt e veprës “Poemë për violinë” nga Tish Daija, të sjella nga Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nën interpretimin e Gëzim Bulçarit, çelën siparin e një mbrëmjeje simfonike ku muzika shqiptare dhe ajo spanjolle u ndërthurën në një përjetim të veçantë artistik. Një program i kuruar me kujdes solli në skenë një dialog mes kulturash, ku emocionet dhe virtuoziteti u shpalosën në çdo interpretim.

“Spanja mbahet për shumë gjëra, por edhe muzikën e ka fantastike. Shkon shumë me muzikën tonë, me ambientin tonë, me mjedisin tonë.”, tha violinist Gëzim Bulçari.

Skena më pas i takoi kitaristit spanjoll me famë botërore, Rafael Aguirre, i cili interpretoi për publikun shqiptar “Concierto de Aranjuez”, një nga veprat më të njohura për kitarë në repertorin botëror. Ai u shoqërua nga Orkestra Simfonike e TKOBAP, nën dirigjimin e maestro Sergio Alapont. Vepra  mbart ndjenja të thella dhe një karakter të veçantë, ndërsa krijoi një lidhje të menjëhershme me publikun.

“Jam shumë i emocionuar sepse është hera ime e parë që vij te ju dhe po bëj debutimin tim këtu. Është një koncert shumë i famshëm për kitarë nga kompozitori spanjoll Rodrigo, i cili ishte i verbër që në moshë të hershme, por arriti të krijojë muzikë të mrekullueshme dhe që u bë një nga veprat spanjolle më të interpretuara në botë, si dhe një nga koncertet më të interpretuara për çdo instrument. Ai u bë një kompozitor shumë i suksesshëm falë kësaj vepre, e cila është luajtur në mbarë botën, madje edhe në Pallatin Mbretëror pranë Madridit, kryeqytetit të Spanjës. Është gjithmonë një pjesë që lidhet shumë mirë me publikun për shkak të karakterit të saj plot gëzim, që të bën të ndihesh sikur po vallëzon. Ndërsa lëvizja e dytë, që është edhe më e famshmja, është vërtet një pjesë që, sipas meje, prek thellë zemrën e kujtdo që e dëgjon.”, tha kitaristi Rafael Aguirre.

Koncerti ishte konceptuar si një lloj feste për miqësinë mes Shqipërisë dhe Spanjës, ndërsa dëshmoi se muzika është një gjuhë universale që bashkon kultura dhe emocione përtej kufijve.