Rami Memushaj: Norma
gjuhësore po shqepet më shumë

Rami Memushaj: Norma<br />gjuhësore po shqepet më shumë
TIRANE- Si do ta shkruajmë fjalën: teatro apo teatra; kuadro apo kuadra...?! Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka publikuar dje për mediat, rezultatin e mbledhjes së Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe që u mbajt më 14 mars në Kosovë. Në deklaratën e ASHSH thuhet se Këshilli Ndërakademik “ka miratuar disa ndryshime në drejtshkrim dhe  morfologji”. Këto ndryshime janë propozuar plot një vit më parë në Tiranë në mbledhjen e këtij këshilli dhe ngjallën në atë kohë debate të trazuara mes gjuhëtarëve dhe akademikëve.
Duket se sa herë merret një vendim nga Këshilli Ndërakademik në Kosovë ose në Tiranë për ndryshimet në drejtshkrim, po aq herë trazohet edhe debati mes gjuhëtarëve rreth kësaj çështjeje.

Akademikët dhe gjuhëtarët e kanë të vështirë të bien dakord dhe të dalin në një konkluzion të përbashkët rreth çështjeve gjuhësore. Ndërsa gjuhëtari Kolec Topalli u shpreh shkurt se “rezultati i mbledhjes së Këshillit për Gjuhën në Kosovë është pasurimi i normës dhe jo prishja e sistemit”, një tjetër gjuhëtar i njohur Rami Memushaj shprehet se “norma drejtshkrimore “shqepet” edhe më shumë, duke prekur pa qenë nevoja rregullat ekzistuese”. Gjuhëtari Rami Memushaj shpjegon në intervistën për “Shqiptarja.com” edhe natyrën e këtyre debateve.
 
 Profesor Memushaj, para se të vemi tek çështja e ndryshimeve të propozuara në mbledhjen e Këshillit Ndërakademik në Kosovë është e nevojshme të sqarojmë publikun sesa i drejtë është opinioni që kanë shprehur një pjesë e gjuhëtarëve se “debati për çështjet e drejtshkrimit nuk ka natyrë shkencore, por gazetareske”?
 
-Sa herë që Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe publikon materialet e mbledhjeve të veta, gazetarët janë të parët që shqetësohen. Jam i bindur plotësisht se e bëjnë këtë jo nga nevoja për të mbushur faqet e gazetave, po për shkak të ndjeshmërisë së lartë që kanë për çështjet e gjuhës, si punëtorë të ligjërimit të shkruar. Ndjeshmëria e tyre është lartë, besoj, edhe për shkak të mënyrës se si ka funksionuar ky këshill dhe se si ua ka mohuar informacionin në të kaluarën, me mëtimin se këto janë çështje shkencore që nuk i marrin vesh apo që nuk duhet t’i dinë.

Çështja e gjuhës është një ndër çështjet themelore të kulturës. Sidomos, në kontekstin e kontestimeve ndaj gjuhës standarde, çdo përpjekje për të ndërhyrë në të pa dyshim që ngjall shqetësimin jo vetëm të atyre që merren me fjalën e shkruar, po edhe  njerëzve të thjeshtë. Të dyja palët mund të mos kenë formim filologjik, por çështja e gjuhës është një çështje shumë e ndjeshme, si të gjitha çështjet që përcaktojnë identitetin tonë kombëtar. Pikërisht, njeriu i thjeshtë, të cilit i mungon formimi filologjik, po jo arsyeja e shëndoshë për të kuptuar qëllimin e një aksioni që mundohen ta bëjnë larg syve të të tjerëve (në hotele, larg syrit të gazetarëve), shqetësohet i pari.

Po ata që duhet të shqetësohen të parët dhe më shumë për gjuhën, duhet të jenë gjuhëtarët, që në mënyrë metaforike mund t’i quajmë gardianë të saj. Nuk mund të thuhet se e bëjnë të gjithë këtë detyrë për të cilën i paguajnë institutet dhe universitetet. Ca syresh rrinë mënjanë dhe bëjnë sehir, ca të tjerë kanë njëzet e ca vjet që shajnë gjuhën me të cilën shkruajnë artikujt dhe veprat e tyre, ca të tjerë u janë bërë bashkëpunëtorë këtyre, duke na qetësuar ne të tjerëve se nuk po bëjmë gjë, vetëm përmirësime.
 
Por pse ende nuk ka një marrëveshje mes gjuhëtarëve për të parë se çfarë shkencërisht duhet përmirësuar?
 -Po ja që këto “përmirësime”, me ndryshimet e mbledhjes së 14 marsit 2014, sikur po arrijnë aty rreth dhjetë mijë fjalë, d.m.th. sa një e katërta e fjalorit të shqipes. Përpiqen të na vënë në gjumë, si në përrallën me violinën e Nastradinit. Dhe, me gjithë erudicionin që kanë, nuk na sjellin si shembull ndonjë gjuhë me fjalor 100 mijë fjalë që me një të rënë të penës të ketë ndryshuar shkrimin e dhjetë mijë fjalëve.
 
 Profesor Memushaj, si bashkautor i propozimeve për rregullat drejtshkrimore, cili është shkaku i mënjanimit tuaj dhe konkretisht me cilat ndryshime ju nuk jeni dakord?
 Lidhur me propozimet e fundit, pa hyrë në hollësira, ajo që mund të thuhet, është se, me përjashtime të vogla, si p.sh. lidhur me shumësin me -a të fjalëve teatër, kuadër e kabëll ose me ndonjë grup tjetër fjalësh, norma drejtshkrimore “shqepet” edhe më shumë, duke prekur pa qenë nevoja rregullat ekzistuese, si p.sh. ato për shkrimin e emrave të funksioneve apo të emrave gjeografikë, duke këshilluar zgjidhje të paargumentuara e shkrime alternative.

Dhe këto zgjidhje paraqiten si propozime të grupit të drejtshkrimit të Tiranës, kur dihet se në këtë grup mungon bashkautori i rregullave aktuale të drejtshkrimit, që është edhe njohësi më i mirë i drejtshkrimit të shqipes. Një këshill akademik do të bënte mirë të merrej me probleme të tjera, me mbrojtjen ligjore të gjuhës, me nxitjen e nismave për rritjen kujdesit për përvetësimin e gjuhës dhe për zbatimin e normave të saj në shkollë, në shtypin e shkruar e të folur dhe në botimet, me kërkimin e rrugëve për zbatimin e arritjeve në fushën e informatikës në studimet gjuhësore në mësimin e gjuhës amtare. Këto përbëjnë, në të vërtetë, edhe disa nga orientimet e Akademisë sonë të Shkencave për Këshillin Ndërakademik.
 
 Ja disa nga ndryshimet e Këshillit Ndërakademik në drejtshkrim
 Sipas deklaratës për shtyp nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në deklaratën e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën theksohej se ndryshimet do të bëhen tek: shumësi i emrave të tipit teatër, kabllo, kuadër, të bëhet teatra, kablla, kuadra, rrjedhimisht njëjësi: teatër, kabëll, kuadër; shumësi i emrit xham të mbetet xhama; të ngrihen në normë ngjashëm me pus pusa (si variant i lirë me trajtën pus puse), stof - stofra, grusht - grushta / grushte, çengel çengelë / çengela, gisht gishta / gishtërinj; shumësi antigaz të jetë antigaze / antigazra, fishekzjarr fishekzjarre; të ruhen të dy trajtat për autobus autobusë / autobusa, ftiziatër ftiziatër / ftiziatra, drapër - drapra / draprinj, barbun - barbunj / barbunë. Trajtat e mbiemrit i shkurtër dhe i shkurtë të mbeten variante të lira në të dy format.

  Ndryshime janë menduar edhe tek emrat gjeografikë me dy a më shumë gjymtyrë, si “Liqeni i Shkodrës të shkruhet me të madhe secila nga fjalët”. Gjithashtu deklarohet se “në hartë emrat e qyteteve te shkruhen ne trajtën e shquar si Shkodra. Emërtimet etnike me prejardhje nga gjuha shqipe të shkruhen me prapashtesën -j- (-jan-): (matjan,lezhjan), ndërsa etnikët me prejardhje të huaj, që në temë kanë -i-, të vijojnë të shkruhen me -ian(bolivian). Pas deklaratës për ndryshimet mësojmë se në mbledhjen e radhës do të diskutohen problemet që  kanë të bëjnë me sintaksën, për të cilën edhe debatet mes gjuhëtarëve janë më të pakta. Ndërkohë drejtshkrimi i fjalëve mbetet një polemikë shumë e ndezur.
 
 Shkrimi u publikua sot (20.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja

Sarandë/ Vrau burrin, dërgohet në spital psikiatrik 48-vjeçarja