Raporti, disa konkluzione për administratën publike

Raporti, disa konkluzione për administratën publike

-Strategjia e Reformës në Administratën Publike paraqitet në ecuri të mire. Viti 2017 ka shënuar rritje për sa i përket realizimit të planit të aktiviteteve. Gjithashtu, ka filluar puna për vlerësimin afatmesëm të strategjisë dhe hartimin e planit të ri të aktiviteteve për periudhën 2018 – 2020, duke vlerësuar edhe nevojat financiare për zbatimin e strategjisë për trevjeçarin e ardhshëm.

-Kuadri ligjor për nëpunësit civilë është i plotë dhe i qartë.

-Administrata shtetërore në tërësi paraqitet e qëndrueshme, duke synuar më tepër performancë tek nëpunësit civilë dhe duke u orientuar drejt meritokracisë.

-Institucionet e administratës shtetërore janë të qarta tashmë në rolin që ato kanë në menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe rolin e DAP si njësi përgjegjëse për menaxhimin dhe koordinimin e të gjitha procedurave që lidhen me burimet njerëzore. Gjithsesi, akoma është e nevojshme rritja e kapaciteteve të njësive të burimeve njerëzore në institucionet e administratës, lidhur me zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil, me fokus të veçantë sidomos në drejtim të planifikimit të vendeve vakante, si dhe grupimit të pozicioneve të ngjashme sipas tipologjisë së tyre.

-Procesi i transferimit të nëpunësve civilë në kuadër të mbylljes apo ristrukturimit të institucioneve (ristrukturimi), ka pësuar përmirësim të ndjeshëm. Nga ana e institucioneve dhe Departamentit të Administratës Publike janë zbatuar më me rigorozitet dhe cilësi procedurat e përcaktuara në legjislacionin e nëpunësit civil në këtë drejtim. Një përmirësim i ndjeshëm në këtë drejtim ishte përcaktimi i një metodologjie të qartë (vlerësimi me pikë) për transferimin e nëpunësve civilë në kuadër të ristrukturimit të institucioneve.

-Vihet re një rritje e numrit të kandidatëve që konkurrojnë për një vend pune (mesatarisht 18 kandidatë/1vend pune), por ka ende nevojë për të përmirësuar procesin e vlerësimit tërësor të njohurive profesionale dhe aftësive individuale të tyre. Edhe gjatë vitit 2017, DAP ndërmori një sërë fushatash informuese në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, si dhe rrjetet sociale, për të komunikuar procedurat që duhet të ndiqen nga të interesuarit për një vend pune në administratën shtetërore.

-Vihet re se ka vazhduar trendi në rritje i njohjes së legjislacionit të shërbimit civil, në drejtim të të drejtave dhe detyrimeve të nëpunësve civilë, si dhe të procedurës disiplinore, sidomos të anës formale të saj, si rezultat i punës së vazhdueshme të përfaqësuesve të DAP në këto komisione, për ndërgjegjësimin e anëtarëve të komisioneve disiplinore për respektimin e të gjithë elementëve të procedurës formale të këtij procesi. Konkretisht, gjatë vitit 2017 kemi një ulje në masën 40.4% të masave disiplinore në tërësi dhe një ulje me 40% të masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”.

-Sa i takon zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë për vitin 2017, janë zbatuar 46 vendime, duke shënuar një rritje prej 43.75%, krahasuar me vitin 2016, si dhe një rritje prej 31.3% i indikatorit të zbatimit të të gjitha vendimeve gjyqësore të mbartura që nga fundi i vitit 2013 e në vijim.

-Sa i takon vlerësimit të njohurive shtesë të nëpunësve civilë në pozicione me funksione inspektimi, procesi tregoi se kapacitetet në këtë fushë ishin mesatare dhe nxori si nevojë rritjen e këtyre kapaciteteve nëpërmjet trajnimeve të dedikuara në këtë fushë.

-Për sa i përket reformës funksional strukturore, gjatë vitit 2017, u realizua reforma e organizimit të brendshëm të aparatit të Kryeministrisë dhe ministrive të linjës, duke i vendosur ministritë në rolin e tyre udhëheqës në sektorin përkatës, duke bërë lehtësimin e aparatit të ministrive nga funksionet menaxheriale, operacionale, lëvrim shërbimesh, prokurime, dhënie liçencash, zbatim projektesh, etj, duke i zbritur këto nëpër agjenci. Gjithashtu, filloi puna për reformimin e institucioneve të varësisë. Gjithsesi, sfida për vitin në vazhdim mbetet rishikimi funksional strukturor i institucioneve të varësisë dhe përcaktimi i rregullave dhe standardeve të qarta në fushën e ndërtimit të institucioneve dhe të matjes së performancës së tyre.

-Në kuadër të përmirësimit të cilësisë së përshkrimeve të punës dhe standartizimit të tyre, u miratuan përshkrime standard dhe kërkesat minimale për efekt rekrutimi për 8 grupe pozicionesh (Specialistë të financës, Specialistë të buxhetit, Specialistë të prokurimeve, Specialistë të burimeve njerëzore, Specialistë arkiv/protokolli, Specialistë të marrëdhënieve me publikun, Specialistë jurist, Specialist të teknologjisë së informacionit). Këto përshkrime pune të unifikuara shërbejnë edhe për përmirësimin e mëtejshëm të procedurave dhe cilësisë së rekrutimit në këto pozicione.

-Zhvillime të rëndësishme janë shënuar në shtrirjen e Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore HRMIS/SIMBNJ, duke e populluar sistemin me të dhëna dhe duke trajnuar personat përgjegjës në secilin institucion, lidhur me përdorimin e tij. Ndërkohë që, gjenerimi i pagës për institucionet e shërbimit civil përmes Sistemit Informatik të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore HRMIS/SIMBNJ mbetet sfida më e madhe e vitit 2018.

-Gjatë vitit 2017 ASPA ka vazhduar të përballojë një volum të madh pune, si në procesin e organizimit të aktiviteteve trajnuese, ashtu edhe në drejtim të rritjes institucionale dhe profesionale të saj. Cilësia e shërbimeve ndaj klientit është vlerësuar shumë pozitivisht, gjë që nënkupton rritje të cilësisë së trajnimit, materialeve trajnuese dhe komunikimit me klientët. Sfidë mbetet rritja e cilësisë së trajnimeve që Shkolla Shqiptare e Administratës Publike ofron.


Lajmi kryesor:

Bilanci, 78 punonjës të administratës bien në rrjetën e dekriminalizimit


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve