TIRANE - Duke matur indeksin e konkurueshmërisë globale, Forumi Ekonomik Botëror ka vlerësuar përafërsisht madhësinë e pagesave jozyrtare (korrupsionit) në ekonomitë e 140 vendeve. Në nënindekset e korrupsionit vlerësohen 5 fusha ku ushtrohet korrupsion, me një vlerësim nga 1, që nënkupton që pagesat shtesë të padokumentuara ose dhënia e rryshfetit ndodhin shumë shpesh, deri në 7, kur nuk ndodhin kurrë.

Shqipëria vlerësohet të ketë të përhapura më së shumti pagesat e ryshfetit për marrjen e kontratave publike dhe licensave, si dhe në sistemin e Drejtësisë (gjykatat). Në këto dy sektorët vlerësimi është poshtë mesatares botërore me nga 3 pikë dhe fenomeni, sipas matjeve të fundit, është në rritje për të dy sektorët. Shqipëria renditet në vendin e 83-të në botë ndër 140 vende për pagesat mjaft të përhapura në

Gjyqësor dhe në fitimin e tenderave dhe licensave.

Forumi Ekonomik Botëror vlerëson se më pak alarmante është situata e korrupsionit për pagesën e taksave, ku ryshfeti është vlerësuar me 4.7 pikë më afër nivelit pozitiv, ndërsa ryshfeti për marrjen e shërbimeve publike është vlerësuar me 4.4 pikë, gjithashtu një vlerësim ky sërish mbi mesataren botërore.

Nga ana tjetër, edhe pagesat korruptive në administratën doganore janë afër mesatares me 3.8 pikë, ku Shqipëria në renditjen globale renditet në vendin e 62-të, në mesin e 140 vendeve.
Në total indeksi i pagesave të ryshfetit në Shqipëri shënon 3.7 për qind duke e renditur vendin e 70-të, në mesin e vendeve më të korruptuara në rang global.
 
Metodologjia
Në analizën që Forumi Ekonomik Botëror kryen çdo vit në drejtim të Komkurrueshmërisë së vendeve të ndryshme, matet vlerësimi mesatar për pesë komponentë në pyetësorin me opinionet e drejtuesve. Sa më poshtë janë pyetje orientuese, të cilave iu jepet përgjigje.

Në vendin tuaj, sa e shpeshtë është për firmat që të bëjnë pagesa shtesë të padokumentuara ose dhënie rryshfeti të lidhura me (a) importet dhe eksportet; (b) entitetet publike; (c) pagesa vjetore e taksave; (d) marrja e kontratave publike dhe licensave; (e) marrja e vendimeve gjyqësore të pafavorshme.

Në çdo rast, përgjigja varion nga 1, që do të thotë se fenomeni ndodh shumë shpesh, deri në notën 7, që do të thotë se, sipas perceptimit të publikut, një fenomen i tillë nuk ndodh asnjëherë në atë vend.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)