Raporti i DASH për trafikimin e
personave në Shqipëri

SHQIPËRIA – Grupi 2
Shqipëria është një vend burimi dhe destinacioni për burra, gra, dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe për punë të detyruar. Femra dhe fëmijë shqiptarë i nënshtrohen në radhë të parë trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual brenda Shqipërisë dhe në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Zvicër, Irlandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Grupe kriminale rekrutojnë me anë të mashtrimit femra me oferta për punësim si kamariere, banakiere, kërcimtare, apo këngëtare në vendet fqinje, specifikisht në Kosovë, Greqi dhe Maqedoni dhe i nënshtrojnë ato ndaj trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual. Viktima nga Filipinet dhe Shqipëria iu nënshtruan punës së detyruar në Shqipëri. Ka një problem në rritje me fëmijët shqiptarë, shpesh të etnisë rome, që i nënshtrohen lypjes së detyruar dhe forma të tjera pune në Greqi, Kosovë dhe brenda Shqipërisë. Disa vajza shqiptare i nënshtrohen trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual apo pune të detyruar pas martesave me ujdi.

Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta bërë këtë. Në tetor 2013, qeveria emëroi një koordinatore të re kombëtare anti-trafikim, e cila në dhjetor mori nismën për ngritjen e një taskforce të posaçme për të përmirësuar koordinimin midis policisë, prokurorëve dhe gjykatësve. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare përmirësuan të kuptuarit e një përqasjeje ndaj trafikimit njerëzor me viktimën në qendër, ndonëse nevojitet më shumë trajnim për të përmirësuar efiçiencën e tyre operative në identifikimin e rasteve dhe çuarjen e tyre drejt ndjekjes penale. Qeveria rriti numrin e viktimave të identifikuara, por një numër i vogël autorësh trafikimi u ndoqën penalisht dhe dënuan. Viktimat merrnin shërbime të pamjaftueshme të shëndetit mendor në strehën e administruar nga shteti dhe personeli i kujdesit shëndetësor kishte nevojë për trajnim.

Rekomandimet për Shqipërinë:

Të hetojë dhe ndjekë penalisht në mënyrë energjike kundravajtjet e trafikimit dhe të dënojë dhe ndëshkojë autorët e kundravajtjeve të trafikimit; të sigurojë që viktimat të kenë akses tek ndihma, mbështetja dhe mbrojtja specifike për viktimat, përfshi shërbimet e riintegrimit, të tilla si trajnimi profesional dhe kujdes falas të shëndetit publik; të ofrojë financim për OJQ-të për strehat dhe shërbimet e ndihmës për viktimat, përfshi nëpërmjet Fondit të Posaçëm për Parandalimin e Krimeve; të zgjerojë njësitë e përbashkëta të lëvizshme që administrohen nga grupet e shoqërisë civile dhe agjencive ligjzbatuese për të rritur identifikimin e viktimave; të trajnojë prokurorë dhe gjykatës mbi amendamentet ligjore të fundit lidhur me trafikimin; të trajnojë personelin mjekësor të strehave që administrohen nga shteti mbi mbështetjen me viktimën në qendër; të trajnojë më tej policinë dhe zyrtarë në nivel vendor për të rritur numrin e viktimave të identifikuara dhe të ndihmuara; të vazhdojë të trajnojë inspektorët e punës dhe të tjerë zyrtarë mbi identifikimin e viktimave; të trajnojë zyrtarët në njësitë për mbrojtjen e fëmijëve për të rritur identifikimin e treguesve të trafikimit dhe për të referuar viktimat në shërbimet e përshtatshme; të sigurojë efektshmërinë dhe mbështetjen për koordinatoren kombëtare anti-trafikim; dhe të vazhdojë të zgjerojë përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin për trafikimin anekënd Shqipërisë, përfshi nëpërmjet përdorimit të njësive rajonale për anti-trafikimin.

Ndjekja Penale

Gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Shqipërisë rriti përpjekjet ligjzbatuese kundër trafikimit, përmirësoi legjislacionin për kundravajtjet penale, si dhe ndëshkoi si duhet kundravajtësit e dënuar. Kodi Penal i Shqipërisë ndalon trafikimin për qëllime të shfrytëzimit seksual dhe pune në Nenet 110 (a) dhe 128 (b) të cilat parashikojnë ndëshkime deri në 15 vjet burgim. Këto ndëshkime janë mjaftueshëm shtrënguese dhe kapërcejnë ato të parashikuara për të tjera krime të rënda, si për shembull përdhunimi. Në vitin 2013, kodi penal u ndryshua për të forcuar dispozitat kundër trafikimit, përfshi rritjen e dënimit minimal për trafikimin e të rriturve nga pesë në tetë vite burgim dhe duke rritur dënimet për trafikimin e minorenëve (nga shtatë deri 15 vite në 10 deri 20 vite); shtimin e trafikimit të brendshëm si kundravajtje penale; si dhe kriminalizimin e lehtësimit të trafikimit me anë të falsifikimit, largimit, dëmtimit, apo tjetër manipulimi të dokumenteve të identifikimit; si dhe për përfitimin ose përdorimin e shërbimeve të një personi të trafikuar.

Prokuroria e Krimeve të Rënda raportoi se kishte hetuar 24 trafikantë njerëzish të dyshuar në vitin 2013, krahasuar me raste që kishin të bënin me 11 të dyshuar në vitin 2012 por nuk i pati ndarë të dhënat për të demonstruar se kishte bërë përpjekje si kundër trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual ashtu dhe për punë të detyruar. Gjatë vitit u çua në gjykatë një çështje në të cilën tri trafikantë të pretenduar u akuzuan sipas Nenit 110(a), çështje e cila vazhdonte në fund të periudhës së raportimit. Çështjet e mbetura ose u pushuan, ose janë ende në hetim, ose janë në procedura përpara gjykimit. Në vitin 2012, qeveria raportoi dënimin e dy të pandehurve dhe pushimin e hetimit për dy të tjerë. Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dy kundravajtës për trafikim personash, secili i dënuar me 15 vite burg, i njëjti numër dënimesh sa edhe në vitin 2012. Prokurorët rihapën për hetim çështjen e dy meshkujve shqiptarë që pretendonin se kishin qenë trafikuar në Guinenë Ekuatoriale për punë të detyruar. Zyrtarët ligjzbatues shqiptarë bashkërenduan me policinë për një hetim trafikimi në Itali, Gjermani dhe Zvicër, duke çuar në arrestimin e pesë trafikantëve në Shqipëri.

Gjatë vitit 2013, qeveria trajnoi 57 gjykatës, prokurorë dhe oficerë policie mbi hetimin dhe ndjekjen penale të trafikantëve, si dhe për identifikimin dhe hetimin dhe mbrojtjen e viktimave. Qeveria rriti numrin e policëve gjyqësorë dhe prokurorëve të posaçëm të caktuar për çështje trafikimi nga tre në shtatë gjatë periudhës së raportimit. Në dhjetor 2013, koordinatorja kombëtare për anti-trafikimin mori nismën për zhvillimin e një taskforce të posaçme për të përmirësuar bashkërendimin midis policisë, prokurorëve dhe gjykatësve. OJQ-të raportuan që policia, prokurorët dhe gjykatësit demonstruan të kuptuar të përmirësuar të përqasjes me në qendër victimën ndaj trafikimit njerëzor, ndonëse ka ende nevojë për trafikim të mëtejshëm. Korrupsioni dhe niveli i lartë i ndryshimeve vazhduan të ishin një çështje brenda forcave të policisë, çka dëmtonte efektshmërinë e trajnimeve. Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim apo ndjekje penale të zyrtarëve qeveritarë të pretenduar si bashkëfajtorë në kundravajtje të trafikimit njerëzor gjatë vitit.

Mbrojtja

Qeveria rriti përpjekjet e mbrojtjes anti-trafikim duke rritur identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit pranë shërbimeve të përshtatshme, dhe duke ofruar ndihmë financiare për viktimat gjatë periudhës së raportimit; megjithatë, pengesat burokratike i penguan viktimat të kishin akses në shërbim shëndetësor falas që kishte qenë i miratuar më parë nga qeveria. Qeveria nuk ofroi financim për strehat e OJQ-ve. Gjatë periudhës së raportimit, qeveria raportoi se në Shqipëri ishin identifikuar 95 viktima të trafikimit; në vitin 2012 ishin identifikuar 92. Nga këto, 55 viktima ishin identifikuar dhe referuar nga qeveria në vitin 2013 krahasuar me 42 viktima të referuara nga qeveria në vitin 2012. Në total, 93 viktima përfituan kujdes në strehat e administruara nga shteti dhe nga OJQ-të; 27 viktima ishin strehuar në strehën e administruar nga shteti ekskluzivisht për viktima të trafikimit. Nga 95 viktimat e identifikuara, 43 ishin viktima fëmijë të trafikimit. Streha e administruar nga shteti përfitoi një vlerë prej afërsisht 182,000 dollarë financime nga qeveria. Ajo ofronte shërbime të kufizuara, por punonte në bashkëpunim me OJQ për të përmbushur nevojat e viktimave.

Qeveria akordoi vlerën e 50,000 dollarëve për strehat e OJQ-ve vetëm për shpenzime ushqimi, por nuk arriti t’i disbursonte këto fonde. OJQ-të raportuan përmirësim të përfshirjes së partnerëve të shoqërisë civile dhe qeverisë në mekanizmin kombëtar të referimit. Në vitin 2013, njësitë e mbrojtjes së fëmijëve me pjesëmarrës ligjzbatues dhe punonjës socialë u rritën në 165 nga 65 që kishin qenë në vitin 2012; njësitë kanë një rol të drejtpërdrejtë për identifikimin e viktimave fëmijë të trafikimit dhe për të siguruar mbrojtjen e tyre. Në vitin 2013, qeveria, në bashkëpunim me drejtoritë e policisë dhe OJQ-të, ngriti tri njësi të përbashkëta identifikimi të lëvizshme, secila prej të cilave përbëhej nga dy oficerë policie dhe dy punonjës socialë të OJQ-ve; njësitë kërkonin për viktima të mundshme të trafikimit në komunitetet vendore.

Qeveria akordoi dhe disbursoi rreth 10,000 dollarë si mbështetje financiare për të mbështetur 30 viktima të trafikimit. Avokatë të viktimave dhe OJQ-të raportuan se strehës së administruar nga shteti i mungonin burimet njerëzore, fizike dhe financiare për kujdes afatgjatë për viktimat e trafikimit, përfshi shërbime shëndetësore, arsimi dhe punësimi. Avokatët e viktimave raportuan se shërbimet psikologjike të ofruara në strehën e administruar nga shteti ishin të pamjaftueshme dhe personeli mjekësor kishte nevojë për më shumë trajnim. OJQ-të raportuan se viktimat ndëshkoheshin si rezultat i drejtpërdrejtë i të qenit të tyre në situata të trafikimit njerëzor. Në vitin 2012, të paktën tri viktima të trafikimit për qëllime të shfrytëzimit seksual u dënuan për prostitucion. Në një rast, gjykata urdhëroi një dënim për të pandehurin për trafikim personash dhe në të njëjtën kohë dënoi viktimën për prostitucion. Mungesa e trajnimit dhe niveli i lartë i ndryshimeve në radhët e prokurorëve përbënte një sfidë ndaj përparimit lidhur me këtë problem.

Tri strehat e administruara nga OJQ ofronin shërbime të gjithanshme ku përfshiheshin: përkujdesje psikologjike, asistencë ligjore, kujdes shëndetësor, shërbime riintegrimi dhe ndihmë për fëmijët e viktimave. Viktimat meshkuj të trafikimit përfitonin strehim në apartamente. Nuk kishte streha të specializuara për viktimat fëmijë të trafikimit. Qeveria miratoi aksesin për kujdes shëndetësor falas për viktimat e trafikimit në vitin 2012; megjithatë, pengesat burokratike i pengonin viktimat të kishin akses në kujdesin shëndetësor të miratuar nga qeveria dhe viktimat ose OJQ-të shpesh duhej të paguanin për shërbime gjatë periudhës së raportimit.

Qeveria i nxiste viktimat të merrnin pjesë në hetimet dhe ndjekjet penale të autorëve të trafikimit duke ofruar dëshmitarëve viktima akses pranë punonjësve socialë dhe psikologëve gjatë periudhës së gjyqeve. Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë është e vetmja zyrë që punëson një koordinator viktimë-dëshmitar. Viktimat jashtë Tiranës kishin akses në këto shërbime; megjithatë, prokurorëve vendorë iu mungonte trajnimi se si të punonin në mënyrë të efektshme me viktimat dëshmitarë. Në vitin 2013, një viktimë e trafikimit përfitoi mbrojtje për dëshmitarët. Si alternativë ndaj largimit për viktimat e huaja të trafikimit, ligji shqiptar anti-trafikim parashikon një periudhë dyvjeçare reflektimi me status residencial të përkohshëm, si dhe mundësinë për të aplikuar për residencë të përhershme pas pesë vitesh në vend, si dhe autorizimin për të punuar. Në praktikë, deri më sot qeveria nuk ia ka akorduar ndonjë viktime një status të tillë. Nuk pati raportime për ndalim apo tjetër penalizim të viktimave për akte të paligjshme si pasojë e të qenit të tyre të trafikuar. Sipas amendamenteve të reja, viktimat tani përjashtohen ng andëshkimi për kundravajtje të kryera gjatë apo si rezultat i të qenit të trafikuar.

Parandalimi

Qeveria e Shqipërisë rriti përpjekjet për të parandaluar trafikimin e personave gjatë vitit. Në tetor 2013, pak pas marrjes së detyrës, qeveria emëroi një koordinatore të re kombëtare anti-trafikim. Për herë të parë, qeveria caktoi një buxhet të veçantë për zyrën e koordinatores kombëtare anti-trafikim me vlerë afërsisht 50,000 dollarë. Po ashtu, qeveria caktoi fonde për komitetet rajonale anti-trafikim për të trajtuar çështje të trafikimit në rrethe. Koordinatorja kombëtare pati sukses në ringjalljen e 12 komiteteve, deri atëherë të fjetura, kudo në vend. Gjatë periudhës së raportimit, komitetet ishin aktive për trajtimin e çështjeve të trafikimit në rrethet e tyre nëpërmjet zhvillimit të planeve vendore të veprimit dhe kryerjes së takimeve të ndryshme në bashkëpunim me partnerë të shoqërisë civile. Qeveria, në bashkëpunim me OJQ-të, trajnoi anëtarë të komiteteve rajonale anti-trafikim, zyrtarë të qeverisë, punonjës të shërbimit social, policisë, mësues shkollash dhe inspektorë të punës lidhur me zbatimin e procedurave për identifikimin dhe referimin e viktimave.

Megjithatë, komitetet rajonale anti-trafikim dhe zyrtarë vendorë vazhdojnë të kenë nevojë për trajnim dhe zhvillim të mëtejshëm. Në bashkëpunim me OJQ, qeveria bashkëfinancoi nisma edukuese për të botuar dhe shpërndarë broshura anti-trafikim tek policia dhe viktima të mundshme të trafikimit dhe botoi dhe shpërndau kopje të një novele që theksonte historinë e vërtetë të një viktime të trafikimit mes nxënësve të shkollave të mesme, punëdhënës, përfaqësues vendorë të shoqërisë civile, si dhe anëtarë të komuniteteve në qytete të ndryshme. Qeveria bashkësponsorizoi një program trajnimi me qëllim sensibilizimin e pronarëve të hoteleve dhe agjencive të udhëtimit lidhur me identifikimin e trafikimit njerëzor dhe viktimave.

Qeveria bashkë-financoi një projekt për zbatimin e një aplikimi telefonash celularë për t’u përdorur nga qytetarët për të raportuar raste të dyshuara trafikimi dhe përftimin e aksesit në shërbime ndihme. Qeveria ngriti një bord këshillues për shoqërinë civile për të përmirësuar bashkëpunimin me OJQ-të. Qeveria kreu një auditim të brendshëm të strehës shtetërore. Qeveria vazhdoi zbatimin e planit të saj kombëtar të veprimit për periudhën 2011-2013. Qeveria demonstroi përpjekje për të ulur kërkesën për tregti me akte seksuale; megjithatë, nuk demonstroi përpjekje për të ulur kërkesën për punë të detyruar.

Redaksia Online

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Norvegji, autobusi me 60 pasagjerë del nga rruga dhe përfundon në liqen! 3 të vdekur