Shqiptarët paguajnë vetëm për ushqime rreth 44.1% të totalit të shpenzimeve. Pesha që shqiptarët shpenzojnë për ushqime është thuajse sa gjysma e totalit të shpenzimeve apo rreth 4 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, pesha që zënë shpenzimet për ushqime në totalin e shpenzimeve të familjeve është 11.1%. Në Bashkimin Europian, shkruan revista Monitor vendet me peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime ishin vendet e Europës Lindore dhe Qendrore. Ndër vendet e Bashkimit Europian peshën më të lartë e kishte Rumania me 26.4% të totalit, e ndjekur nga Letonia me 20% dhe Estonia me 18.7%.
Në Greqi shpenzimet të familjeve për ushqime llogariten sa 16.1% e totalit. Vendet me peshën më të ulët në Europë për shpenzimet për ushqime janë Gjermania me 9.4%, Austria me 8.8%, Irlanda me 8.3%, Luksemburgu me 7.8% dhe Mbretëria e Bashkuar me 7.2%.
Në vendet me të ardhura të ulëta shpenzimet për ushqime zënë peshën më të madhe ndaj totalit të shpenzimeve të familjeve si shenjë e varfërisë. Gjithashtu, të dhënat krahasuese të Eurostat tregojnë se Shqipëria është vendi me konsumin më të lartë të bukës dhe drithërat në Europë.
Sipas tabelave të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave (Eurostat), shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra, si përqindje e Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) ishin 4.9%, më të lartat në Europë.