Komisioni Europian pritet të publikojë sot raportet e progresit për vendet e Ballkanit. Në rekomandimet për Shqipërinë, të publikuara sot nga Zëri i Amerikës, Komisioni e vë sërish theksin tek çështjet që lidhen me shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe nevojën e një reforme tërësore të sistemit gjyqësor, në konsultim të ngushtë me Komisionin e Venecias.

Komisioni thekson si të një rëndësie kritike që procesi i reformave të shoqërohet nga një dialog konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës, duke nënvizuar se të dyja palët duhet të sigurojnë që debati politik të zhvillohet së pari në parlament.

Raporti i këtij viti i KE-së nuk parashikon ndonjë surprizë për Shqipërinë, e cila vetëm pak muaj më parë në qershor mori statusin e vendit kandidat për në BE, një vendim, i cili siç theksohet në pjesën e përfundimeve dhe rekomandimeve të hartuara nga Komisioni, ishte 'një njohje për hapat e ndërmarra për reforma' dhe njëkohësisht 'një inkurajim për të përshpejtuar ritmin e tyre'.

Komisioni, në dokumentin që pritet të bëhet publik sot, vlerëson përparimin e bërë nga vendi dhe reformat e realizuar vitet e fundit. "Hapa të mëtejshëm janë ndërmarrë për reformën e sistemit gjyqësor. Qeveria ka dëshmuar vullnet politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit", theksohet në pjesën për Shqipërinë të siguruar nga Zëri i Amerikës.

"Kuadri ligjor është përforcuar dhe politikat e koordinimit dhe monitorimit në nivel qëndror janë përmirësuar. Lufta kundër krimit të organizuar solli rezultate pozitive në disa fusha, me një intensifikim të aktivitetit të forcave të rendit, veçanërisht në sekuestrimin e drogave, në krimet e lidhura me drogat, krimet ekonomike dhe trafikun e qënieve njerëzore", konstatohet në dokumentin e KE-së.

Në rekomandimet për Shqipërinë theksohet se 'megjithatë ka ende shumë mangësi, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës. Përpara ka shumë punë për t'u bërë. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë sfida domethënëse. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje thelbësore dhe të qëndrueshme për të trajtuar zbatimin e përparësive kyçe të përcaktuara për hapjen e bisedimeve për anëtarësim" nënvizon dokumenti, i cili jep më pas në mënyrë të detajuar fushat ku duhet përqëndruar vëmendja.

"Shqipëria duhet të veprojë me vendosmëri për: vazhdimin e reformës së administratës publike me qëllim që të forcojë profesionalizmin dhe depolitizimin e saj; të ndjekë një reformë tërësore të gjyqësorit për të përforcuar pavarësinë e tij, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe në konsultim të ngushtë me Komisionin e Venecias; të intensifikojë përpjekjet antikorrupsion dhe të ndërmarrë hapa të tjerë të vendosur në luftën kundër krimit të organizuar për të bërë të mundur rezultate të qëndrueshme në hetimet proaktive, ndjekjen penale dhe ndëshkimin, në të dyja fushat", vëren dokumenti i KE-së.
Mes rekomandimeve flitet me tone kritike lidhur me lirinë e shprehjes dhe të mediave "Qeveria dështoi të vepronte sipas përparësive të përcaktuara. Të gjitha funksionet statutore të Autoritetit të Mediave Audiovizive duhet të rivendosen dhe pavarësia e tij të garantohet në praktikë", theksohet në rekomandime.
Një problem i vazhdueshëm për vendin mbetet klima politike. "Eshtë e një rëndësie kritike që procesi i reformave të shoqërohet nga një dialog politik konstruktiv dhe i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës", thuhet në rekomandimet duke theksuar se "është përgjegjësi e të dyja palëve, qeverisë dhe opozitës, që të sigurojnë që debati politik të zhvillohet së pari në parlament dhe të kontribuojnë për krijimin e kushteve për funksionimin e duhur të tij. Qeveria duhet të garantojë që opozita të ketë mundësinë që të kryejë plotësisht funksionin e vet demokratik të kontrollit. Në të njëjtën kohë, opozita duhet gjithashtu të angazhohet në mënyrë konstruktive në proceset demokratike. Mbështetja te kompromisi dhe roli konstruktiv në parlament është jetësore për qëndrueshmërinë e reformave", nënvizon dokumenti i Komisionit Europian.

Për Shqipërinë është përcaktuar qartë që në vendimet e mëparshme të Këshillit Europian, se vendi duhet të plotësojë 5 prioritetet që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën e sistemit gjyqësor, administratën publike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në mënyrë që të mund të nisin bisedimet për anëtarësim.

ATSH