Kjo shkelje masive është gjetur gjatë një hetimit disa muaj që kanë bërë strukturat e specializuara të SHKB-së, institucion që kishte ngritur një grup të posaçëm për këtë qëllim. Edhe më parë ishte folur se, kishte oficerë të lartë të Policisë së Shtetit që kishin marrë gradimin në mënyra të ndryshme, të padrejta, por këtë herë SHKB e ka faktuar se 200 funksionarë të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, kanë marrë gradat në mënyrë të paligjshme. Por, SHKB-ja ka ushtruar kontrolle edhe në Drejtorinë e Policisë së Lezhës dhe komisariatin special RESI, që është shkrirë aktualisht nga struktura e re e Policisë së Shtetit.
GRADAT E DHËNA
“Inspektimi i dosjeve të personelit të punonjësve të Policisë së Shtetit për gradat Zv/Drejtor i Përgjithshëm, Drejtues i Parë, Drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Policisë Lezhë e Komisariati Special, RESI”, ka qenë edhe “misioni” i një grupi të ngritur nga SHKB-ja. Pas disa muajsh hetime, ky “grup special” hetimi pas ka kontrolluar dosjet e më shumë se 800 oficerëve të policisë ka gjetur shkelje masive në to duke bërë të ditur se, 171 funksionarë të lartë në polici, kanë përfituar grada në kundërshtim me ligjet.
GRADA TË PADREJTA
“Nga Inspektimi i dosjeve për 171 funksionarë të Policisë së Shtetit, respektivisht; 5 Zëvendësdrejtorë të Përgjithshëm, 44 Drejtues të Parë, dhe 122 Drejtues, rezultoi që ngritja në gradë dhe në karrierë për këta punonjës, është bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore që normojnë veprimtarinë e Policisë së Shtetit”, thuhet në raportin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Ndërkaq këto oficerë të lartë në Policinë e Shtetit duhet që të lënë gradat e përfituara në mënyrë të padrejtë. Në fakt disa prej tyre aktualisht nuk bëjnë pjesë në polici, pasi janë shkarkuar apo nxjerrë në listë pritje.
KONTROLLI NË LEZHË
Kontrollet e SHKB-së janë shtrirë edhe në Drejtorinë e Policisë në Lezhë. “Nga verifikimi i dosjeve të 29 punonjësve të DPQ-së, Lezhë rezultoi se për 5 punonjës policie të rolit baza ecuria në gradë dhe karrierë është bërë në kundërshtim me ligjin, si dhe të gjitha këto dosje paraqisnin problematika në administrimin e dokumentacionit”, bën të ditur SHKB.
SPECIALET E RESI
Kontrolle dhe verfikime janë bërë edhe në komisariatin special RESI që është shkrirë aktualisht. “44 punonjës të Seksionit të Komisariatit Special RESI rezultuan se punonjësit e kësaj njësie, duke mos u zbatuar kriteret e pranimit dhe qëndrimit në punë, duke mos u zhvilluar procedurat e konkurrimit, duke mos u zhvilluar testimet vjetore dhe pa programe stërvitje fizike, janë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nën ligjore që normojnë funksionimin e kësaj strukture speciale operacionale”, shkruhet në raport.
(Në foto: Raporti i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm i bërë në Policinëe Shtetit nga muaji shtator deri në dhjetor të vitit 2013, ku janë gjetur një sërë shkeljesh në gradime dhe punë)
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)