Me raportin ‘Big Deal’: Të humbur në ngecje” ftohen të dyja qeveritë, e Kosovës dhe e Serbisë, si dhe Bashkimi Evropian, që t’i caktojnë prioritetet e të ashtuquajturit proces të ‘normalizimit’ sepse shumica e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nuk janë zbatuar tërësisht deri më tani.
Rasha Nedeljkov, menaxher i CRTA, programit të Qendrës për Kërkime, Transparencë dhe Llogaridhënie në Beograd, tha se mbikëqyrja qytetare është një nga vlerat kryesore të demokracisë dhe se çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet në terren, në mënyrë që njerëzit të jetojnë më mirë.
“Kemi mungesë të përgjegjësisë politike në procesin e deritashëm të dialogut dhe para se gjithash, zbatimit të marrëveshjeve pas arritjes së tyre. Këtë po e themi sepse po shfrytëzohet çdo rast që, marrëveshjet e arritura të interpretohen në një mënyrë në Bruksel, ndryshe në Beograd dhe në mënyrë të tretë në Prishtinë” thotë Nedeljkov. Ai përmend se moszbatimi i marrëveshjeve të arritura po sjell pikë politike triviale por, me këtë po rrezikohet i tërë procesi i normalizimit të marrëdhënieve.
Samuel Zhbogar, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, gjatë konferencës tha se, të dyja shtetet kanë mundur të bëjnë shumë më tepër në aspektin e transparencës së bisedimeve, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Ai vlerësoi se, tash dialogu duhet të ulët edhe në nivelet më të ulta të qeverisjes në Kosovë.
“Dialogu dhe marrëveshjet e arritura në nivelin e lartë nuk po bartën në nivelet më të ulta dhe po humben fare, deri sa po mbërrijnë në opinion. Ekziston mosbesim i madh nga të dyja palët. Derisa serbët kanë ndjenjën se Kosova është e interesuar vetëm për territore, nga ana tjetër, pala kosovare ka përshtypje se Beogradi vetëm dëshiron të forcojë pozitën e vet në Kosovë. Askush nuk po punon në ndërtimin e këtij besimi dhe kemi edhe jo-transparencën. Konsideroj se dialogun duhet ta ulim në nivele më të ulëta” tha Zhbogar.
Edita Tahiti, ministrja për dialog në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar se në terren janë ndryshuar shumë gjëra, si rezultat i zbatimit të marrëveshjeve të arritura por, gjërat janë duke shkuar ngadalë sepse bëhet fjalë për dy shtete të cilat kanë qenë në luftë, gjatë të cilës Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.
“Për mendimin tim rezultatet kryesore janë, në lëvizjen e lirë, në tregtinë e lirë, në grumbullimin e taksave edhe në dy pikat kufitare në veri, vendosjen e autoriteteve shtetërore në dy pikëkalimet kufitare në veri, në Jarinje dhe Bërnjak që nuk kanë qenë për një kohë të gjatë, bashkëpunimi në mes të dy shteteve për menaxhimin e kufirit sipas standardeve evropiane, heqjen e pengesave deri në një masë, në bashkëpunimet rajonale sepse Kosova sot është anëtare e disa organizatave relevante rajonale” tha ministrja Tahiri.
Ajo ka vlerësuar se edhe pas katër viteve, nuk ka rezultate në fushat e telekomunikimeve dhe energjetikës, përkundër marrëveshjeve të arritura
Sipas saj, pala kosovare është konstruktive dhe i ka përmbushur obligimet e saja nga marrëveshja mirëpo mungon vullneti politik i palës serbe për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore me Kosovën.
Po ashtu, si rezultat të mirë nga dialogu, Edita Tahiri përmendi edhe përparimin e Kosovës dhe Serbisë në integrimet evropiane.
Shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, përkundër konfirmimit për pjesëmarrje në konferencën e sotme në Prishtinë, nuk ishte prezent ngase nuk kishte marr lejen e Qeverisë së Kosovës për shkak të deklaratave të tij provokuese, gjatë ditëve të fundit.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)