Raporti për sigurinë e urave: 30 janë me probleme të rënda

Raporti për sigurinë e urave: 30 janë me probleme të rënda

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka organizuar sot një tryezë teknike për sigurinë e urave në vend, në të cilin është diskutuar mbi një raport për situatën e urave, të hartuar nga MIE në bashkëpunim me ARRSH dhe Institutin e Ndërtimit.  Në tryezë merrnin pjesë zv.ministri, Artan Shkreli, i cili ka drejtuar grupin e punës për hartimin e raportit, drejtuesit e ARRSH-së dhe Institutit të Ndërtimit, grupi i punës që ka kryer inspektimin e urave në terren si dhe ekspertë të kësaj fushe.

Në fjalën e saj ministrja Balluku theksoi se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka në fokus të saj sigurinë rrugore, ku një vend të rëndësishëm zë edhe vëmendja ndaj gjendjes së urave, të cilat janë pjesë e rrjetit rrugor shqiptar.

“Tryeza e sotme ka një rëndësi të veçantë, sepse nis një proces, i cili ka të bëjë me identifikimin e problematikës dhe zgjidhjen e saj përmes një skanimi të mirëfilltë teknik, siç është në rastin e raportit që ju keni prodhuar, duke i hapur rrugë kështu ARRSH-së apo kujtdo institucioni tjetër, i cili bëhet pjesë e zgjidhjes, por mbi një bazë të mirëfilltë dhe të mirë studiuar teknike”, u shpreh Balluku.

Duke ju referuar raportit në fjalë, Balluku vlerësoi gjetjet dhe risitë e tij duke veçuar procesin e plotësimit të pasaportës teknike për çdo urë, hartimi dhe miratimi i një metodologjie për inspektimin, si dhe hartimin e një plani kombëtar të quajtur “Plani i Shpëtimit” i veprave rrugore të artit mbi 50 vite.

“Nga ky moment ne nisim një proces, për menaxhimin e urave që janë pjesë e rrjetit rrugor shqiptar. Ky proces duhet të vazhdojë me kontrollin nga ana e ARRSH-së, masat që do të merren, afatet kohore që do të vendosen, rrugët alternative që do të gjenden për urat të cilat për arsye sigurie nuk do të jenë më funksionale dhe sigurisht për koordinimin e të gjithë institucioneve të tjera, të cilat duhet të jenë pjesë e këtij procesi”, u shpreh Balluku, duke garantuar qytetarët se nuk ka nevojë për panik pasi autoritetet përgjegjëse e kanë situatën nën kontroll.

Ndërsa zëvendësministri i Infrastrukturës, Artan Shkreli tha se dy janë faktorët që kanë sjellë dëmtime të urave në vend. “E para ka qenë amortizimi në kohë dhe e dyta ka qenë mungesa e mirëmbajtjes sipas standardeve të përcaktuara”, nënvizoi Shkreli.

“Shqipëria është një vend ku rreth 70% e urave të vendit kanë kaluar moshën 50 deri në 70 vjet që do të thotë kanë hyrë në fazën e tyre të riskut. Deri tani mirëmbajtja e urave që ka qenë një mirëmbajtje rutinë që do të thotë pastrim, riparim i parmakëve, ndonjë mbushje nga erozioni që është krijuar në këmbët e urave, por asnjëherë ndërhyrje në nivel strukturor, që do të thotë ndërhyrje në elementët konstruktiv të urës, përjashto rastet kur ka qenë shumë evident rreziku i shembjes. Ministria me politikat e reja sidomos që kanë të bëjmë me performancën për sigurinë rrugore do të paraprijë eventualisht problematikave të tilla, nëpërmjet një studimi real duke bërë matjet në vend”.

Për drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato raporti i inspektimit të urave ka shërbyer për ARRSH-në që fillimisht të marrë masa për shmangien e rrezikut për kalimtarët, të ndërhyjë për të rritur sigurinë dhe më pas të vijojë me projektet për rikuperimin e këtyre strukturave.

“Ka qenë dhe mbetet në fokus të aktiviteti të Autoritetit Rrugor Shqiptar monitorimi dhe ndërhyrja jo vetëm në ato pika të zeza të identifikuara si burim aksidentesh, por edhe monitorimi i urave në të gjithë territorin. Raporti i inspektimit të urave ka gjeneruar pasaportizimin e secilës urë si dhe planet e rehabilitimit përkatëse, duke na lejuar si rrjedhojë të marrim masa fillimisht, në shmangien e rrezikut për kalimtarët, rritjen e sigurisë për të vijuar me pas projektet e rikuperimit të këtyre strukturave”, u shpreh Qato.

Ndërsa drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu e vuri theksin tek nevoja e një kontrolli periodik të urave. “Mendoj që duhet të bëhet një kontroll periodik, siç është kontrolli i makinave. Duhet të jenë firma të specializuara që të marrin përsipër këtë proces dhe të na japin një raport të hollësishëm për të gjitha urat”, deklaroi Hysenlliu.

Në raportin e prezantuar në tryezën teknike është evidentuar fakti se aktualisht në rrjetin e rrugëve kombëtare, administruara nga ARRSH ka 652 ura, si dhe 20 ura të tjera që po përfundojnë dhe ka nisur procesi i marrjes në dorëzim. Nga inspektimi i kryer në terren ka rezultuar se 30 ura janë me probleme të rënda, prej të cilave 21 ura në veri të vendit dhe 9 ura në Shqipërinë e mesme dhe në jug. Sipas ekspertëve zona veriore pa pasur më shumë probleme për shkak të kushteve atmosferike dhe sepse është zona, e cila ka përballuar një ngarkesë shumë të lartë të transportit të mjeteve të rënda ndër vite.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë