Inflacioni në Shqipëri ka arritur mesataren e Bashkimit Evropian në muajin maj. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit për përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane thotë se në maj inflacioni në Shqipëri ishte 3.3% dhe jo 3% siç u raportua para pak ditësh nga INSTAT.
Ndikimi sipas grupeve të mallrave, kryesohet nga ushqimet. Pasi nëse inflacioni në muajin e kaluar ishte 3.3%, vetëm nga grupi i ushqimeve ndikimi ishte 1.14%, ndjekur më tej nga shtrenjtimi i restoranteve me 0.50%, e më pas transporti me 0.46%.
Me këtë llogaritje, Shqipëria renditet në vendin e 18 mes 31 vendesh sa i takon nivelit të lartë të inflacionit, dhe lë pas Italinë, Gjermaninë, Francën, Danimarkën, Zvicrën apo Suedinë që kanë rezultuar me inflacion më të ulët gjatë muajit të kaluar. kurse shteti me inflacionin më të lartë rezulton Rumania me afër 9.8%, ndjekur nga Bullgaria me rreth 6.1%.
Krahasuar me vjet sipas kësaj matje, në Shqipëri më shumë është shtrenjtuar argëtimi dhe pijet alkoolike.
“Rritja më e madhe e çmimeve u regjistrua në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë” me 7,3 % pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 4,8 %, “Transporti” me 4,2 %, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,0 %, “Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 3,9 %, “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 3,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,3 %, “Shërbimi arsimor” me 2,6 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 1,9 %, “Shëndeti” me 1,5 %, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 1,3 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Informacioni dhe komunikimi” me 0,6 % secili” , thuhet në raport.
Komente











