Ndërsa vlerëson punën e Prokurorisë së Posaçme në luftën kundër korrupsionit, draft raporti konfidencial i Komisionit Europian për shtetin ligjor në Shqipëri, i siguruar nga Report TV, flet për tentativa për ta penguar. “SPAK, vazhdon të dëshmojë pavarësi dhe kapacitete të forta për të dhënë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë, pavarësisht nga raportimet për përpjekje të mediave dhe politikës, për ta diskredituar e për të ushtruar trysni e ndikim të papërshtatshëm”, vë në dukje Komisioni Europian.
Sipas dokumentit të Brukselit “në vitin 2025, SPAK hetoi 30 zyrtarë të nivelit të lartë dhe ish-zyrtarë (duke përfshirë një Zëvendëskryeministër, ish-Kryetar të Parlamentit, ish-Ministër dhe ish-Anëtarë të Parlamentit)". 18 prej tyre u referuan në gjykatë dhe 10 u dënuan me një vendim përfundimtar.
Ndërsa vëren se “numri i referimeve në SPAK nga institucione të tjera mbetet i ulët”, raporti thotë se ka patur një rritje të hetimeve të reja (+17.7 përqind) dhe të rasteve të përfunduara (12.2 përqind). Por nga ana tjetër, raporti thekson se sekuestrimet në çështjet që lidhen me korrupsionin mbeten të ulëta. “Vlera e sekuestrimeve (rreth 1.5 milion euro) dhe konfiskimeve (rreth 100 000 euro) mbetet modeste dhe me një raport të ulët që thekson nevojën për të forcuar efektivitetin e procedurave të konfiskimit”, shkruan Komisioni Europian.
Prokurorë të SPAK-ut por dhe magjistratë dhe përfaqësuesë të institucioneve të Drejtësisë, sipas raportit kanë marrë kërcënime: “Tetë magjistratë janë vënë nën mbrojtje, duke përfshirë dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë”.
Lajmi kryesor:
EKSKLUZIVE/ Draft-raporti i KE, për shtetin ligjor: Qëndrimi i shumicës për rastin Balluku ngriti shqetësime! Ja sektorët me riskun më të lartë për korrupsion








