TIRANE - Bregdeti i Vlorës ka nivele të larta mërkuri përtej limitit të përcaktuar nga Bashkimi Evropian. Ndotja është zbuluar në sajë të raportit më të fundit të kryer nga qendra mjedisore EDEN, i cili bazohet në matjen e nivelit të mërkurit në det.

Janë dy lloje peshqish, barbuni dhe merluci ku prania e mërkurit i tejkalon vlerat e lejuara duke krijuar “një zonë të nxehtë” të mërkurit, siç e cilëson raporti, të mjaftueshme të paraqesin kërcënime serioze për dy ekosistemet dhe shëndetin e njeriut.

Vlerat maksimale të mërkurit tek barbuni janë katër herë më të larta sesa udhëzimet nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas raportit edhe kampionët e peshqve merluc gjithashtu e tejkalojnë vlerën referenciale maksimale të mërkurit.

Mbi këto konstatime, raporti thekson nevojën për ndërhyrjen e qeverisë në reduktimin e përgjithshëm në emetimin e mërkurit.

"Ky raport tregon qartë nevojën urgjente për të reduktuar emetimet e përgjithshme të merkurit në ajër, tokë dhe ujë. Negociata përfundimtare mbi marrëveshjen e mërkurit do të mbahet 13-18 janar, 2013 në Gjenevë, Zvicër. Ky studim dhe studime të tjera kanë gjetur ndotje të mërkurit lidhur me zonën e braktisur të chlor-alkalki në Vlorë dhe kjo do të thotë se qeveria jonë duhet të marrë masa të menjëhershme për të pastruar këtë zonë", -tha Jonida Mamaj, koordinatore e projektit nga qendra EDEN.

Koodinatorja sqaron gjithashtu rrezikun që i sjell shëndetit të njeriut mërkuri në nivele jashtë standardeve.

“Rreziqet e helmimit nga merkuri janë të njohura për shekuj me radhë. Ekspozimi ndaj niveleve të larta të merkurit mund të dëmtojë përgjithmonë trurin dhe veshkat. Efektet e dëmshme kalojnë edhe nga nëna tek fetusi i saj dhe mund të shkaktojë dëmtim të trurit, vonesë mendore, verbim dhe pamundësi për të folur.” tha Jonida Mamaj.

Raporti është pjesë e një projekti më të madh të kryer nga ekipi shkencor i Institutit të Kërkimeve Biodiversitetit dhe IPEN, një rrjet global i organizatave jo-qeveritare.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)