Presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio po shqyrtojnë shkarkimin e ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pas një sërë raportimesh që pretendojnë se ajo është përfshirë në sjellje të papërshtatshme dhe ndoshta të paligjshme para dhe gjatë mandatit të saj në Athinë.

Burime për AP bëjnë të ditur se një zyrtar i lartë amerikan tha të dielën se Trump dhe Rubio janë “jashtëzakonisht të zemëruar” nga sjellja e raportuar e Guilfoyle dhe ka të ngjarë të vendosin se çfarë veprimesh do të ndërmarrin këtë javë pas festës së Ditës së Kolombit të hënën.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar për bisedat e brendshme, tha se Rubio kishte qenë veçanërisht i zemëruar, pasi gjatë vizitës së javës së kaluar në Athinë, ambasadorja e priti me përqafime të ekzagjëruara, të cilat nxitën thashetheme.

Në një seri artikujsh, The Wall Street Journal ka raportuar sjellje të dyshimta nga Guilfoyle, duke përfshirë një kërcënim të dyshuar ndaj një zyrtari të vendit pritës, pranimin e dhuratave dhe shërbimeve të papërshtatshme dhe ofrimin për të përdorur ndikimin e saj brenda administratës, në këmbim të pagesës së një fature të madhe me kartë krediti.

Guilfoyle raportohet se i ka kërkuar një donatori dhe mbështetësi të Presidentit Donald Trump që t’i paguante faturën e saj prej 100,000 dollarësh në American Express, sipas The Wall Street Journal.

Guilfoyle e cila ka vizituar Shqipërinë 2 herë brenda këtij viti dhe ka zhvilluar edhe takimin me kryeministrin Rama, bëhet me dije se i ka dërguar mesazhet drejt donatorit të Trump nëpërmjet ‘Signal’ ku i thoshte 'Zemër, të lutem, dua që ta bësh këtë për mua sot'.

Guilfoyle nuk është përgjigjur drejtpërdrejti ndaj raportimeve, megjithëse avokati i saj ka thënë se ajo nuk bëri asgjë të gabuar dhe ambasada amerikane në Athinë ka shprehur në heshtje mbështetje për të.

Pasi mbrojti Guilfoyle pas raportit të parë, Rubio nuk ka pranuar të komentojë publikisht mbi akuzat në rritje. Të mërkurën, Rubio tha: “Ambasadorja jonnë ka qenë një ambasadore fortë këtu.”