Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen ka lënë sot selinë e Alenacës, pas përfundimit të mandatit të tij 5-vjeçar. Në një kohë që kishin mbetur edhe 4 ditë për përfundimin e mandatit, Rasmussen ka preferuar të kryejë ceremoninë e largimit pa ia kaluar postin pasardhësit të tij, ish-kryeministrit norvegjez, Jens Stoltenberg.
 
Në një ceremoni lamtumire ku morën pjesë shumë zyrtarë të lartë të Aleancës dhe oficerë ushtarakë, Rasmussen vendosi një kurorë me lule në memorialin e NATO-s, në nderim të atyre që kanë humbur jetën në misionet luftarake të drejtuara nga Aleanca.
 
Duke iu drejtuar Këshillit për herë të fundit, ai i përshkroi burrat dhe gratë me uniformë që mbrojnë sigurinë dhe vlerat tonë në botë nën flamurin e NATO-s, si ‘shtylla kryesore e Aleancës’.
 
Në fund të ceremonisë, ai falenderoi ambasadorët dhe delegacionet e 28 vendeve aleate dhe të gjtihë anëtarët e shtabit ndërkombëtar për përkushtimin dhe profesioanlzimin në ato që ai i cilësoi si ‘vitet më të ngarkuara dhe më sfiduese për NATO-n’.
 
Rasmussen u emërua në këtë post në prill të vitit 2009 në kohën kur ai kryesonte qeverinë e Danimarkës, duke u bërë kështu i pari kryeministër që ka marrë këtë post. Gjatë qëndrimit të tij Rasmussen mbikqyri operacione të njëkohshme në tre kontinente. Gjatë 2014-ës, NATO u përball me agresionin rus në Ukrainë si dhe rritjen e paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme.
 
Në samitin e fundit që u mbajt në Uells, udhëheqësit e NATO-s miratuan një plan gadishmërie në përgjigje të kërcënimeve në botë.
 
Redaksia Online
(Besarta Basha/ Shqiptarja.com)