Rasti ‘Doshi’, vetëm fillimi

Rasti ‘Doshi’, vetëm fillimi
Gjithmonë apo herë - herë është bërë e qartë se, vlera e njeriut shihet në atë që jep dhe jo në atë që është në gjendje të marrë nga të tjerët dhe në dëm të të tjerëve. Ky konstatim është verifikuar në plot raste edhe në Shqipërinë e dekadave të fundit, nëpërmjet figurës së personave të caktuar, të përfolur gjerësisht për pjesëmarrje në akte kriminale dhe të zhytur në korrupsion.

Të atyre pra, që pasi kanë vënë pasuri të pamerituar kërkojnë gjithashtu t’i imponohen gjithkujt, duke “futur duart” edhe në politikën sunduese në vend, aq sa vetëkënaqësia i shtyn të arrijnë që të kërcënojnë këdo, i cili munhd t’i vërë sado pak fre orekseve të tij.

Kështu ka ndodhur edhe me deputetin Tom Doshi. Në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme të 2013 – s, ai u shqua si organizator në një nga qarqet më të mëdha të vendit, duke ndikuar që forca politike ku ai ishte inkuadruar të përmbyste në Shkodër rezultatin tradicional të zgjedhjeve të mëparshme dhe duke dashur të përfitojë kështu nga mazhoranca qeverisëse çdo lloj konçensioni që mund t’i vinte për shtat atij.

Dhe, kur përfitimet e lakmueshme po hasnin në ca barriera të reja, qoftë edhe ligjore, aëhere filloi të përgojonte te Kryeministri, ndonjëherë edhe publikisht, drejtoresha doganash e tatimesh dhe ministra të veçantë. Derisa tek nuk po merrej ndonjë masë arbitrare ndaj atyre që i qenë bërë halë në sy, logjika nuk i rezistoi dot hakmarrjes së të “fortit”: iu vërsul vetë Kryeministrit, duke iu kanosur në sallën e Parlamentit dhe jashtë saj, sa me gjeste të duarve, aq edhe me helmin e gjuhës, se kur të hapte ai gojën do të dridheshin themelet e mazhorancës apo i të gjithë këtij shteti.

Mirëpo, edhe në rastin ‘Doshi’ u vërtetua që qenka më e vështirë të fshehësh injorancën, se sa të shfaqësh mençurinë. Prandaj, kur u mblodh Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe dëgjoi Fjalën që mbajti Kryetari i saj, Edi Rama, për ta përjashtuar deputetin Doshi nga rradhët e veta, atëherë Toma u shndërrua nga kërcënues në i kërcënuar.

Me pak fjalë, u detyrua të bënte viktimën, duke folur brenda mbledhjes së Grupit dhe jashtë asaj mbledhjeje për një video që e dispononte, nga e cila mund të dukej fare mirë që qenkej paguar dikush për të vrarë  pikërisht atë dhe një deputet të Partisë Demokratike, përpara disa muajsh, prej nga me sa duket, vështirë të merret vesh se kur i dilta koha për të kërcënuar plotësisht majtas e djathtas, dhe kur për të ruajtur kujdesshëm kokën e vet. Pothuajse njësoj si ata që bëhen të përvuajtur vetëm atëhere kur i friksohen ndëshkimit.

Se cili qenka ai që porositi këto atentate, le të gjendet nga hetimit që ka filluar kryesisht Prokuroria e Krimeve të Rënda. Por, që të vazhdojë ethshëm interesimi veçse për këtë video jo vetëm i qytetarëve të thjeshtë, por edhe i ca gazetarëve apo analistëve, kjo duket paksa naïve.

Sepse, në të vërtetë rasti ‘Doshi’ është vetëm fillimi. Fillimi i dhënies fund të krizës së demokracisë sonë e shënjuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i jetës publike, nga konflikti i interesave deri në nivelet më të larta të shtetit, nga pretendimet për plotfuqishmërinë e forcave oligarkike dhe nga agresioni i tyre ndaj Kushtetutës e legjislacionit.

Për të arsyetuar mundësinë e një fillimi të tillë, ndoshta do të mjaftonte përqendrimi i vemendjes te disa momente, që mund të ndihmonin për të shpjeguar jo vetëm vendosmërinë e Kryeministrit Rama “për të lëvizur gjithë ujrat e ndenjur”, por edhe komunikimin e menjëhershëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacionit të BE në Tiranë, që mirëpritën vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshit, i cili pretendohet si është përfshirë në veprimtari kriminale.

Pra, më së pari do të duhej të kujtonim se, ky vendim u muar pasi Edi Rama - i shoqëruar edhe nga Gramoz Ruçi, Sekretar i Përgjithshëm i PS dhe Kryetar i Grupit kuvendor të saj – sapo ishte kthyer nga vizita në Rumani. Një vizitë, gjatë së cilës jo vetëm që u prit zyrtarisht nga krerët më të lartë të atij shteti dhe iu dha titulli ‘Honoris Causa’ i Unoiversitetit të Bukureshtit, por edhe u promovua botimi në rumanisht i librit me autorësinë e vet: “Kurbani”.

Të ishin vetëm këto aktivitete, që përcaktuan vizitën atje të Kryetarit të mazhorancës qeverisëse në Shqipëri pikërisht tani? Të mos harrojmë që veçse para pak kohësh në Rumani iu nënshtruan hetimeve penale ish kryeministri dhe një numër i madh (rreth 1500) zyrtarë të të gjitha niveleve, të akuzuar për përfshirje në veprimtari kriminale dhe posaçërisht në korrupsion (!).

Ndërsa në Shqipëri nuk kanë kaluar veçse dy muaj prej firmosjes së një Marrëveshjeje të dakordësuar nga mazhoranca dhe opozita parlamentare, me asistimin e dy eurodeputetëve, pika kyçe e së cilës ishte dekriminalizimi i Kuvendit. Por, ndonëse fillesat e kësaj nisme iu adresuan opozitës, veçanërisht Partisë Demokratike, që e shfytëzoi si kusht për të ndërprerë bojkotin e saj gjatë gjithë Sesionit të dytë parlamentar të vitit të kaluar, nuk do të ishte çudi që realizimi i kësaj mase të rëndësishme demokratike të shtyhej për në kalendrat greke, siç është bërë këtu zakoni.

Mirëpo, kësaj here nuk ndodhi kështu. Në vend të nismëtares së ndërmarrjes së kësaj mase, Partia kundërshtare e forcës politike më të madhe të së djathtës ishte ajo që e prishi këtë zakon, duke u mirëpritur dhe përshëndetur menjëherë nga faktori ndërkombëtar. Sepse, sikurse u theksua në njoftimin e Ambasadës së SHBA: “Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike”.

Por, rreziku i kësaj kanosjeje nuk do të ishte plotësisht real, nuk mund të kufizohej veçse me një rast, si ai i Tom Doshit. Në këtë kuptim, në komunikatën e Ambasadës amerikane i bëhej thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të largojnë jo vetëm një, por tërë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Gjithashtu, mbështetej me forcë puna e Kuvendit, për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014.

Cilido që do ta  lexonte me vëmendje këtë komunikatë, sigurisht që do të vinte re se, për herë të parë pas 20 vjetësh, apo që kur u akredituan në Tiranë ambasadorë të SHBA nga rradhët e diplomatëve të karrierës, mirëpritet dhe vlerësohet vendimi veçmas i një force politike të caktuar, në këtë rast i Partisë Socialiste.

Ndërkohë që, njëkohësisht me emetimin e qëndrimit amerikan dhe me të njëjtin objekt u publkua edhe ai i Bashkimit Evropian, i cili thekson gjithashtu, se Unioni “mbështet hapat që nevojitet të ndërmerren për një zbatim të plotë të Marrëveshjes mes partive qeverisëse dhe opozitare në Parlamentin e Shqipërisë, përfshi çështjen e individëve me rekorde kriminale, të cilët mbajnë pozicione publike”.

Kjo mbështetje jepet pa asnjë rezervë, sepse Bashkimi Evropian i jep rëndësinë më të lartë zbatimit të ligjit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës. Dhe, në këtë kuadër, edhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, që vlerësohet si përparësi kyçe për Shqipërinë.

Në situata të tilla, nga të dyja Fuqitë aleate strategjike të Shqipërisë i bëhet thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të saj që të hetojë dhe të ndjekë penalisht, ashtu si në Rumani dhe gjetkë, “kriminelë e zyrtrë të korruptuar në të gjitha nivelet”. Kur, sa dhe si do të mund ta përmbushë Llalla këtë detyrë, përkundër perforamcën në punën e tij të deritashme që ngjason me mangësitë e gjyqësorit për të vendosur drejtësinë?

Përgjigjia e një pyetjeje të tillë nuk është objekt i këtyre rradhëve. Por në mbyllje të tyre, mund të sjellim ndërmend që ndryshe nga garat me makina, në zhvillimin e këtyre proceseve nuk ka një vijë finishi, e cila duhet të kalohet dhe pastaj të shpallet fituesi. Ajo që duket dhe merret vesh tani ka të bëjë me vijën e startit, ku Rasti ‘Doshi’ nuk do të jetë i vetmuar. Ai është vetëm fillimi...  

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS