Reagimet për Xhevdet Ferrin/ Meta: La trashëgimi të vyer! Rama: S’kam fjalë...! Braçe: Mos qani, duartrokiteni

Reagimet për Xhevdet Ferrin/ Meta: La trashëgimi të vyer! Rama: S’kam fjalë...! Braçe: Mos qani, duartrokiteni

Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, por edhe politikanë të tjerë dhe figura të artit kanë reaguar për ndarjen e papritur nga jeta të aktorit të mirënjohur Xhevdet Ferri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:44
Vdekja e Xhevdet Ferrit, Albin Kurti: Guximi i Marigosë dhe i trimit mbeten porosi, Gjini duhet të rritet

1579207522_kurti.jpg
Për Albin Kurtin, Xhevdet Ferri do të mbetet i paharrueshëm. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje teksa kujton filmin 'Përrallë nga e kaluara' një nga shumë filmat që ka luajtur Xhoda, sikur njihej nga miqtë, thotë se 'guximi i Marigosë dhe i trimit mbeten porosia për ne, sepse shoqëria duhet të përparojë e Gjini duhet të rritet'.

"Mora vesh se sot paska vdekur aktori i mirënjohur, Xhevdet Ferri. Në moshën 59 vjeçare, prej një sëmundjeje të rëndë. Fytyra e tij, fuqia shprehëse e mimika përcillte bashkë me guximin e paepur edhe një lloj melankolie, përballë situatave shoqërore të cilat duken si të pandryshueshme. Kështu në filmin “Vitet e pritjes”, ku luan rolin e mërgimtarit të kthyer pas shumë vitesh në atdhe, ku fatkeqësisht pritet si i huaj, dhe e gjen vendin pa përparim, me të njëjtat probleme të kahershme.

Por mbase më mbresëlënës është filmi “Përrallë nga e kaluara”, ku Xhevdet Ferri luan rolin e trimit. Edhe ai film, krijuar mbi veprën e shkruar para më se një shekulli prej Çajupit, rrëfen fatalitetin e shoqërisë të marrë peng prej një mentaliteti të vjetër, që i ka ikur koha. Duket sikur ky mentalitet i vjetëruar vijon ta përndjekë shoqërinë shqiptare. E megjithatë, guximi i Marigosë dhe i trimit mbeten porosia për ne, sepse shoqëria duhet të përparojë e Gjini duhet të rritet. U prehsh në paqe Xhevdet Ferri, ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe publikut të kinemasë. Mbetesh i paharrueshëm në kujtesën tonë të përbashkët" shprehet Albin Kurti.

Ora 20:30
Basha mesazh për humbjen e Xhevdet Ferrit: Në 40 vite u shndërrua në simbol të artit! Të nderuar që e kishim në radhët e PD-së

1579203100_ferri.jpg

Xhevdet Ferri

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka përcjellë një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të aktorit të madh shqiptar, Xhevdet Ferri. Basha shkruan se 40 vite në skenë, e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar, ndërsa përmend kontributin e tij në radhët e Partisë Demokratike.

"Mësova me dhimbje të thellë ndarjen e parakohshme nga jeta të Xhevdet Ferrit, njërit nga ikonat e kinematografisë shqiptare të viteve ’80 dhe një luftëtari të palodhur për mbijetesën e filmit shqiptar, gjatë viteve të tranzicionit.

40 vjet në skenë e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar, në një kontributor të palodhur të artit të mirë që bënte bashkë Durrësin e Tiranën, provincën e metropolin, në një kontributor të atij arti që aq shumë u duhet shqiptarëve në rrugën e vështirë drejt lartësimit të dinjitetit njerëzor.

Tek galeria e personazheve të tij, në teatër, por kryesisht në film, gjithkush gjente karakteret e përditshmërisë, gjente shembullin si duhet qëndruar për të mos u konformuar me të keqen, por gjente edhe shpresën se nga qëndresa vjen e nesërmja më e mirë.

Pas 1990-s, aktivizmi i Xhevdet Ferrit në procesin e vështirë të reformimit të institucioneve kryesore kombëtare që merreshin me prodhimin e filmit ishte i pashoq dhe shembulli se si një personalitet i artit mund të ecë në rrugën e vështirë dhe shpesh të pashkelur të administrimit të artit, si një e mirë publike dhe kombëtare.

Në krye të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në krye të Teatrit Kombëtar, por kryesisht si themelues dhe drejtues i parë i Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë, Xhevdet Ferri shërbeu si udhërrëfyes i ndryshimit, edhe për një brez të ri kineastësh, të cilët gjendeshin në kushtet e vështira të tranzicionit të kësaj industrie.

Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri.

Humbja e tij, për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme.

Me mendje dhe lutje jam sot pranë bashkëshortes, vajzës dhe të gjithë familjarëve në këtë ditë të dhimbjes së thellë dhe ngushëllohem se trashëgimia e Xhevdet Ferrit në teatër dhe kinematografi është burim frymëzimi për çdo artist të ri, si dhe për çdo qytetar që angazhohet për një shoqëri që e do artin dhe që lufton për kinemanë kombëtare. U prehtë në paqe!", shkruan Basha.

Ora 20:23
'Ia hodha...'! Regjisori tregon bisedën e fundit me Xhodën: Vajza e gëzoi shumë, e bëri gjysh

Regjisori Saimir Kumbaro tregon bisedën e fundit me aktorin Xhevdet Ferri që ndërroi jetë pasditen e sotme. "Xhevdetin e njoh që të ri që kur luante teatër në Durrës, pastaj erdhi në Tiranë. Xhoda ka një gamë të gjerë në fushën e artit, ka arritur që të jetë dekan, drejtor i teatrit, dy herë kryetar i QKF, ndërsa si role ka një galeri të paharrueshëm. Për mua ishte një aktor shembullor, i plani dramatik, ka qenë jo vetëm i devotshëm për cdo kërkesë që i kam bërë dhe pilotoi avionin MIG-17.

Për mua Xhevdeti nuk ka vdekur, ka vdekur fizikisht, por do të mbetet në ekran. Ishte djalë i kompletuar, i kulturuar. Brezat ndërrohen, por jo në këtë moshë, është shumë dramatike, është lajm tronditës dhe tragjik, 59-vjeç është shumë i ri. Njeriu nuk ka moshë. Xhevdein e takova dy muaj më parë, pimë kafe bashkë, sa po kishte mbaruar kurën anti-kancer, "ia hodha" më tha, ishte gjithë optimizëm.

Ky lajm më ka tronditur, sot e kujtova, dikush më tha se sot është në koma, mos thashë! Ishim në një komision dhe vendosëm cili do të shkojë për Oscar, vendosëm 'Delegacionin' ku Xhoda ka një rol kryesor. Ai së shpejti konkurron për Oscar. Xhevdeti ka marrë çmime shumë. Ka një gamë të madhe rolesh. Ngushëlloj familjen e tij, ndërsa së fundmi vajza e gëzoi shumë se e bëri gjysh. Dua të them se ai rrjedh nga një familje patriotike" tha ai.

Ora 20:20
Vdekja e Xhevdet Ferrit, Piro Milkani: E spikatëm që të ri, ishte fotozhenik

Regjisori Piro Milkani në një lidhje telefonike për Report Tv shprehet se me largimin e Xhevdet Ferrit kemi humbur një aktor të madh që la pas një gamë rolesh. Ai tregon edhe karrierën e ti në ngritje nga momenti që erdhi nga Durrësi. "Kam edhe unë dhimbjen bashkë me ju dhe artdashësit shqiptar, për arsye se Xhevdeti ka qenë në radhë të parë aktor i filmit. Ne e qëmtuam që të ri fare atë djalë, kishte zë shumë të mirë dhe ishte fotozhenik, mjaft i pashëm.

Ka bërë role mjaft të mira. Ndjej keqardhje, nuk mund të them gjë tjetër. Xhevdeti ishte një djalë i ri që e kishte filluar karrierë në një moshë të re dhe nuk donte të luante në atë film "Besa e Kuqe" se donte te shkonte pushonte në plazh. Ne e morëm, babai i tij, i tha 'ti do të shkosh me ata'. Xhiruam në një vapë të tmerrshme. E kujtoj si aktor dhe drejtor të QKK. Kemi humbur një aktor të talentuar që ka lënë jo vetë film shumë të mirë, por një galeri rolesh. Është humbje, humbje, por përmes filmave do të jetë gjithmonë me ne" thotë ai.

Ora 19:28
Largimi nga jeta i Xhevdet Ferrit/ Braçe me fjalë të ndjera: Shuhet, por nuk ikën! Mos e qani, duartrokiteni fort

Postimi i Braçes

Zv. kryeministri Erion Braçe ka reaguar pas ndarjes nga jeta të artistit të njohur Xhevdet Ferri. Teksa ka publikuar foto nga rolet e tij, Braçe shkruan se ai është shuar por nuk ka ikur.

"Xhevdet Ferri shuhet, por nuk ikën. Ja këtu do jetë këtej e tutje

Në kërkim të kujt – (2009) si Prokurori,
Gjallë – Alive! (2009) si Zefi,
Time of the Comet (2007) si babai Anjezes,
Gjoleka, djali i Abazit (2006) si shoferi kamionit,
Saimir – (2004) si Edmondi,
Dasma e Sakos – (1998) si Sako,
Loin des barbares – (1994) si refugjati,
Vitet e pritjes – (1990) si Gjoni,
Treni niset në shtatë pa pesë – (1988) si Martini,
Përrallë nga e kaluara – (1987) si Trimi,
Dhe vjen një ditë – (1986) si Gori
Hije që mbeten pas – (1985) si Agroni,
Vendimi – (1984) si Sadriu,
Fushë e blertë fushë e kuqe – (1984) si Petriti,
Besa e kuqe – (1982) si Pali,
Era e ngrohtë e thellësive – (1982)
Gjurmë në kaltërsi – (1981 si Astriti,
Sketerre 43 – (1980) si Arjani,
Vëllezër dhe shokë – (1980 si Marko!

Mos qani për të! Duartrokiteni fort për veprat e tij!",
shkruan Braçe.

Ora 19:15
'Lamtumirë Xhodë'! Rama i pikëlluar për ndarjen nga jeta të Ferrit: S’kam fjalë...


Kryeministri Rama shkruan se nuk ka fjalë për të përshkruar lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur Xhevdet Ferri. "Lamtumirë Xhodë! S’kam fjalë" shkruan kreu i qeverisë në postimin që e shoqëron me një foto të Ferrit në një nga filmat e njohur ku ka luajtur, "Përrallë nga e kaluara".

Ora 19:09
Shuhet Xhevdet Ferri, Meta: La trashëgimi të vyer, do të mbetet i paharruar

Për presidentin Ilir Meta, aktori i njohur Xhevdet Ferri do të mbetet i paharruar. Kreu i shtetit shkruan se mësoi me hidhërim lajmin e ndarjes nga jeta të një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë. Ai vijon më tej duke theksuar se kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.

"Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur dhe një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë më të dashur për ne, Xhevdet Ferri. Si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të shumtë, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.

Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve. Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar!" shkruan Meta. Aktori i njohur i shumë roleve Xhevdet Ferri u nda nga jeta pasditen e sotme në moshën 59-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të pashërueshme.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan

Kazakistan/ Avioni me 67 persona në bord dyshohet se u godit nga rusët, vetëm 28 mbijetuan