/ATSH/.- Grupi i Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës dënojnë gjuhën denigruese dhe nxitjen e urrejtjes ndaj deputetes, Alma Lama, në këngën e fundit të këngëtarit Gold AG "Shqiptar 2".

Sipas tyre nuk është hera e parë që kjo deputete vihet në qendër të sulmeve dhe fyerjeve nga persona që nxisin urrejtje.
Ato konsiderojnë se nxitja e urrejtjes mbi baza fetare dhe fyerjet publike janë të papranueshme dhe kërkojnë që organet e drejtësisë t'a adresojnë këtë çështje në mënyrën e duhur.

"Rasti i fundit është ai i një këngëtari të quajtur GOLD AG, i cili në një këngë, përdor fjalë në kundërshtim të plotë me etikën, godet personalitete publike dhe politike. Është veçanërisht shqetësuese gjuha denigruese ndaj grave në politikë, të cilat e ngrenë zërin ndaj fenomeneve negative të shoqërisë", thuhet në një komunikatë për media të deputeteve .

Një ditë më parë, deputetja e LDK-së, Alma Lama ka ngritur kallëzim penal ndaj reperit Gold AG për nxitje të urrejtjes fetare.
Të hënën, këngëtari shqiptar nga Presheva, Arian Agushi, ka publikuar projektin më të ri muzikor "Shqiptar 2", në të cilën përmend shumë personalitete publike politike dhe shoqërore./KosovaPress/