Për herë të parë në Shërbimin e Okulistikës në QSUT u realizuan dy ndërhyrje te pacientë me humbje të shikimit, të cilët me kohën pritet të rikuperojnë mbi 70% të shikimit.

Pacientja e parë, 57 vjeçe, vuante prej më shumë se 15 vitesh nga hemorragjia e trupit qelqor në të dy sytë. Ajo arrinte të dallonte vetëm dritën, ditën nga nata, por sipas mjekëve, pritet që pas ndërhyrjes të rikuperojë shikimin.

Pacienti i dytë kishte kryer ndërhyrje për katarakt më shumë se 15 vite më parë, por me kalimin e kohës lentja e vendosur ishte bërë e turbullt, duke i shkaktuar vështirësi në shikim.

Sipas okulistit Ali Tonuzi, pacientët nuk do të kenë më nevojë të presin gjatë apo të përballojnë kosto të larta në klinika private ose jashtë vendit.

Vitrektomia është një ndërhyrje kirurgjikale e avancuar e syrit, e cila tashmë ofrohet falas për pacientët që kanë nevojë për këtë trajtim.