Është për t’u përshëndetur që, pas një pritjeje relativisht të gjatë filloi punën komisioni parlamentar për shqyrtimin e varianteve të studjuara mbi reformën administrative-territoriale. Kjo përshëndetje është e vlefshme edhe sepse opozita ende nuk ka vendosur të përfshihet në punimet e këtij komisioni, ndonëse nuk ka guxuar qysh herët të vërë në pikpyetje rëndësinë e madhe të një reforme të tillë për përparimin e krejt vendit, për zhvillimin e demokracisë dhe decentralizimin e pushtetit. Ndërkohë që ajo, në fazën e degradimit pas humbjes së thellë në zgjedhjet parlamentare të një viti më parë dhe mos heqjes dorë seriozisht nga zakoni i saj për të ushtruar ndikim me “dhurata” simbolike në fshatra të varfër dhe zona të ngushta të veçuara, tani i trembet si djalli nga temjani efekteve të kësaj reforme në dështimet e tjera edhe më të mëdha, që mund t’i rezultojnë nga votimet e vitit të ardhshëm për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore.

     Sidoqoftë, në këto radhë nuk tërhiqet vëmendja te roli i opozitës gjatë kryerjes së reformave kyçe drejt integrimit evropian të Shqipërisë, përkatësisht asaj administrative-territoriale, por te një deklarim i kryetarit të komisionit parlamentar për këtë të fundit. Konkretisht, në seancën e parë dëgjimore të këtij organi të brendshëm dhe të përkohshëm të Kuvendit, duke u shprehur për mirëpritjen që do t’i bëhej opozitës në çdo moment kur përfaqësuesit e saj do të uleshin në vendet e lëna bosh për ata, kryesuesi i zgjedhur nga grupi i mazhorancës, një ish-kryeministër në një periudhë kritike që i çeli dhe i krijoi mundësinë shtetit dhe popullit të pajisen me një Kushtetutë të plotë, gjithashtu s’la pa thënë se nuk do të mbeteshin peng i një opozite dhe se po të ishte e nevojshme mund t’i drejtoheshin sovranit popull mbi zhvillimin e një referendumi për miratimin e reformës administrative-territoriale. Në mbështetje për realizimin e kësaj procedure përfundimtare u vu re të shprehen edhe anëtarë të tjerë nga radhët e mazhorancës në komision. Mirëpo, a është kjo një zgjidhje reale e problemit të krijuar nga mungesa e pjesëmarrjes së opozitës për mbarëvajtjen e një prej nismave aktuale kryesore?

     Problemi, me sa duket qëndron te përcaktimi i nivelit të dytë të qeverisjes vendore. Pra, te ai i qarqeve, apo te eleminimi i këtij niveli, që aktualisht “është njësia ku ndërtohen e zbatohen politikat rajonale dhe ku ato harmonizohen me politikat shtetërore”. Këtë dhe të tjera përkufizime të kësaj njësie të nivelit të dytë dhe të organit të tij (Këshilli të qarkut) i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në Pjesën e Gjashtë të saj, të titulluar “Qeverisja vendore”. Në këtë kuptim, përcaktime apo parashikime të tilla përmbajnë prerogativa të Ligjit Themelor të Shtetit dhe as nuk mund të ndryshohen dhe, aq më pak të eleminohen, nëpërmjet miratimit të ligjeve, qoftë edhe me votat e një shumicë prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, që i disponon mazhoranca parlamentare. Ndoshta është pikërisht ky ngërç, domethënë, mospërfshirja e opozitës, apo mosdhënia e pëlqimit prej saj, ajo që i shtyn përfaqësuesit e mazhorancës të artikulojnë mundësinë e organizimit të një referendumi për miratimin përfundimtar të reformës. Megjithatë, ky deklarim më shumë se sa një zgjidhje merr kuptimin e një presioni ndaj opozitës, e cila në të vërtetë nuk po tregon aspak shenja të konstruktivitetit në asnjë drejtim të zhvillimit të vendit. Mirë, po përse merr kuptimin e një presioni?

Me përcaktimet për qarkun, të përmendura më lart nga dispozitat kushtetuese, eleminimi nga reforma administrative-territoriale e këtij niveli të qeverisjes vendore bëhet detyrimisht vetëm me rishikim të Kushtetutës, nisma për të cilën mund të merret nga jo më pak se sa një e pesta e anëtarëve të Kuvendit. Një numër të tillë vërtet që mazhoranca e përfshin. Por, neni 177/3 i Kushtertutës parashikon që “Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, çka hë për hë nuk përmblidhet vetëm në njërin krah të sallës së Parlamentit tonë. Më tej, në dispozitat pasardhëse të atij neni bëhet e qartë që “Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum” dhe “Amendamenti kushtetues i miratuar i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës”.    

      Pra, këto dhe faza të tjera për adaptimin e Kushtetutës ose për miratimin e një ligji që bën rishikim të Kushtetutën, sigurisht që janë më të rënduara se sa ato nëpër të cilat kalon miratimi dhe rishikimi i një ligji të zakonshëm, madje edhe i një ligji organik. Por, nuk duhet harruar ngarkesa e madhe që mbart kontrata mbarëshoqërore e finalizuar me aprovimin e Ligjit Themelor të Shtetit, apo edhe me rinovimin e tij, nëpërmjet ndryshimit dhe përshtatjes së tij në periudha të ndryshme të një jete dinamike. Prandaj, këto faza u respektuan, për shembull, edhe për miratimin mbi 15 vjet më parë të tekstit origjinal të Projektit të vetë Kushtetutës në fuqi, hartuar me asistencën e organizmave ndërkombëtarë dhe i vlerësuar pozitivisht prej tyre. Përkundër rrugës që ndoqi më 1994 Partia Demokratike, atëhere në pushtet, e cila, për të siguruar miratimin e një Kushtetute që do të përmbushte qëllimet e saj dhe në kundërshtim flagrant me nenet 43 dhe 44 të Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese, ndikoi apo urdhëroi të mënjanohej Parlamenti si organ i vetëm kompetent për ndryshime kushtetuese dhe për miratimin e Kushtetutës, duke u kaluar Projekti i hartuar në mënyrë të përshpejtuar drejtpërdrejt në referendum popullor, nga organizimi i të cilit votuesit shqiptarë e hodhën poshtë atë.

     Për të mos përsëritur një veprim të gabuar të së shkuarës, edhe nëse opozita do të vetëmënjanohet në mënyrë konsekuente deri në fund nga pjesëmarrja aktive në përpunimin apo kryerjen e reformës administrative-territoriale, ndoshta do të ishte më mirë që në punimet e komisionit parlamentar përkatës të merreshin në konsideratë variantet që, krahas zvogëlimit radikal të numrit të njësive bazë të qeverisjes vendore (komunave dhe bashkive), mund të parashikojnë edhe ekzistencën e reduktuar të qarqeve.

Dhe pastaj, varianti më i mundshëm t’i parqitej Kuvendit për miratim me votat e tri të pestave të të gjithë anëtarëve të tij, sikurse parashikohet në nenin 81/2 (gërma ‘f’) të Kushtetutës. Kjo do të ishte pa dyshim zgjidhja më e mundshme dhe më e drejtë e problemit të kësaj reforme, në situatat kur opozita ia “kursen” konsensusin e vet mazhorancës dhe kërkon t’i imponohet kësaj me një sërë kushtesh në tentativën për kontrollin ndaj institucioneve shtetërore. Kufijtë e vendosura rishtazi për njësitë e qeverisjes vendore, sipas varanteve të mirëstudjuara, që nuk fshijnë ato të qarqeve, në të vërtetë do të ishin plotësisht të pakontestueshëm edhe po të merret parasysh neni 108/2 i Kushtetutës, sipas të cilit, kufijtë aktualë “nuk mund të ndahen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to” dhe jo pa u marrë më parë miratimi i saj.     

Shkrimi u publikua sot, 6 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)