E djeshmja, pra 10 Maji, që nga 1913 - a kur Shqipëria ishte shpallur e pavarur shënohet për ne si Dita e Drejtësisë. Por dje, ajo kishte veçanësinë që buronte nga fakti se së shpejti pritet t’i jepet fund Tranzicionit të zgjatur, duke iu akorduar vendit tonë nga Brukseli Statusi i shumëpritur i Shtetit kandidat për në Bashkimin Evropian, çka do të shoqërohet pa kaluar shumë kohë me çeljen e bisedimeve për anëtarësim në këtë organizëm mbinacional të fuqishëm, që zhvillohet në ndërveprim të përhershëm jo vetëm midis Shteteve Anëtare, por edhe me rajone të tjera të kontinentit tonë dhe jashtë tij. Për anëtarësim në këtë organizëm, ku një nga vlerat e mirëfillta e përbën përkufizimi, sipas të cilit, “Integrimi evropian nuk është të qenët, por të bërët; ai nuk është një situatë e përftuar, por një proces; ai nuk është një rezultat, por veprimi që duhet të çojë në këtë rezultat”.

     Në këtë kuptim pritej nga dita e djeshme, më tepër së kurrë, shprehja e një reflektimi të thelluar mbi nevojën e ngutshme për përmirësimin dhe përsosjen e organizimit e të funksionimit të sistemit gjyqësor, rritjes së pavarësisë dhe efiçencës së të gjitha organeve të këtij sistemi në bazë të standardeve evropiane. Pritej një reflektim i thelluar, sepse nëse për disa një iluzion i këndshëm është më i mirë se sa një realitet i ashpër, shumica e qytetarëve s’mund t’i përshtatet gjithashtu gjendjes së ngarkuar me frikën dhe shqetësimet e përditshme për mbijetesën e tyre, me mos gëzimin e dinjitetit njerëzor dhe mos aftësimin për të mbajtur përgjegjësi ndaj çdo veprimi të paligjshëm. Tek e fundit, vetëm njerëzit e lirë dhe të pajisur me siguri juridike mund të jenë të përgjegjshëm për veprimtaritë individuale, në kuadër të zhvillimeve të gjithanshme të shtetit dhe në terrenin sidomos të bërjes drejtësi ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit.  

     E pra, kur organet e drejtësisë të ndikuara më së shumti nga influencat politike okulte dhe interesat personale të dhunshme, që i kanë vënë barrierat dhe në vazhdimësi i kundërvihen brutalisht së drejtës, që pasqyrohet dhe rinovohet edhe në legjislacionin e shtetit shqiptar, kur shpesh shpallen vendime gjyqësore jo objektive dhe të paaryetuara drejt, të paqarta dhe kontradiktore, pa u shqyrtuar tërësisht të gjitha kërkesat e palëve dhe provat e paraqitura, duke shpënë në gjykimin dhe rigjykimin për vite e vite me rradhë të së njëjtës çështje dhe të shumë çeshtjeve të së njëjtës natyrë, kur organizatat më prestigjioze e kanë renditur dhe e rendisin Shqipërinë përherë e më shumë si vendin me korrupsionin më të lartë në Evropë dhe si një nga vendet më të dallueshme në botë për drejtësi alarmante, kur kjo dukuri me një kurbë gjithnjë në rritje ka ulur në minimum besimin e pashpresë të shtetasve tanë te vendimet gjyqësore dhe ka rritur në maksimum perceptimin negativ të publikut ndaj pushtetit gjyqësor, reflektimi i gjerë dhe serioz që pritej, fatkeqësisht i mungoi pothuajse plotësisht ditës së djeshme, gjatë së cilës shumë njerëz kërkonin dhe prisnin të dëgjonin që Drejtësia të thoshte fjalën e vet për t’u hedhur piketat e një reforme të thellë dhe efiçente brenda saj.

Domethënë, piketat e një reforme, që konsiderohet aktualisht më e rendësishmja ndër pesë reformat e premtuara për shkurtimin me ritme të shpejta të rrugës drejt përfshirjes në familjen evropiane. Një reforme me efekte të drejpërdrejta në zhvillimin e vendit, si rritja e treguesve ekonomikë, rritja e investimeve lokale dhe të huaja, rritja e punësimit, garantimi i sigurisë sociale, mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të individit, nxitja e qendrueshmërisë së paqes dhe mirëkuptimit brenda për brenda komunitetit, justifikimi me akte civile i krenarisë kombëtare etj, etj. 
 
     Çfarë ndodhi në përkujtim të 10 Majit? Asnjë konferencë shkencore e shoqëruar me një sërë veprimtarish të karakterit profesional, asnjë paraqitje e plotë dhe e gjithanshme e gjendjes ku ndodhet sistemi i Drejtësisë, që dukshëm pengon integrimin evropian. Asgjë rreth zbatimit të ligjit material e procedural në të gjitha nivelet, çka aktualisht në rastin më të mirë mund të konsiderohet mungesë e theksuar profesionalizmi dhe në rastin më të keq shpërdorime të qëllimshme dhe veprime të ndëshkueshme nga vetë ligji, që gjyqtarë e prokurorë janë ngarkuar të flasin në emër të tij. Nuk u tha asgjë për menxhimin e veprimtarisë së gjykatave, për shkurtimin plotësisht të mundshëm të afateve të gjykimit, për dënimet alternative dhe asgjë konkrete për ato të zyrtarëve të lartë që mbanin dhe mbajnë përgjegjësi direkte për tragjedinë e Gërdecit dhe masakrën e 21 Janarit, për parandalimin e konflikteve të shumta apo të shtuara pandërprerje, që prodhon shoqëria shqiptare në tërësi.

     Në vend të hedhjes së piketave për një hop të ri cilësor në këtë fushë, dje në Tiranë u mblodh dhe u zhvillua një takim protokollar. Thjesht një takim përkujtimor të kësaj date, ashtu si çdo vit tjetër. Një takim ku folën me rradhë nga katër apo pesë minuta titullarët e organeve të sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, midis të cilëve nuk u duk gjëkundi fytyra e Presidentit të Republikës, i cili kryeson edhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe që me firmën e tij emërohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e këtij shteti. Një takim ku, përveçse u traguan si gjithmonë paksa rrethanat që e bënë qysh prej dikur të dallueshme këtë datë në historinë e Shqipërisë, nuk mbetën pa u përmendur edhe ca klishe të përsëritura, të shpërdorura prej 20 e kusur vjetësh, ca klishe tashmë të bezdisshme, si “Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar”. Madje, edhe kur u fol për arritjen e një pike të vlimit dhe, pra, për nevojën e fillimit të një reformimi në sistemin e Drejtësisë, direktiva më e spikatur ishte ajo që paralajmëronte zbatimin e këtij refermomimi nga të tëra strukturat në këtë fushë.

     Me sa kuptohet, ende nuk është konfiguruar dhe specifikuar “harta” e kësaj reforme, sepse kapacitetet që nuk i mungojnë Shtetit tonë për reformime të tilla ende nuk po aktivizohen plotësisht brenda vendit. Në një kohë, kur për miratimin e ligjeve të reja, apo mbi ndryshimin e atyre ekzistuese për organizimin dhe funksionimin e institucioneve kushtetuese të Drejtësisë, qoftë edhe vetëm mazhoranca parlamentare i disponon votat e nevojshme. Nuk po aktivizohen sa dhe si duhet në disa drejtime.

Për shembull, në pamundësi për ndryshime kushtetuese, së paku për hartimin dhe zbatimin e një ligji të ri, që do të përcaktonte kritere të qarta, të drejta dhe të gjithpranuara për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë; për ndryshimin e ligjit organik të Prokurorisë, i cili do të mund të legjitimonte Këshillin e organit qendror të akuzës të ushtronte funksione nga konsultative në vendimmarrëse; për përcaktimin e mënyrave efikase rreth seleksionimit apo dhënies së vendimeve pilot për atë kapicë dosjesh që presin gjykimin prej vitesh në Gjykatën e Lartë etj, etj. Se kur do të vihen në lëvizje të shpejtë dhe të plotë të gjitha kapacitetet e nevojshme, me ndihmën apo pa ndihmën e të huajve, kjo është e vështirë të thuhet tani, ndërkohë që mund të thuhet me plot gojën se reforma në sistemin e Drejtësisë do të nisë pa lejuar zvarritje të mëtejshme, do të nisë brenda këtij viti, gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar.                

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)