Reforma fiskale/Pas një jave fillon pagesa e TVSH-së nga 10 mijë biznese të vogla

Reforma fiskale/Pas një jave fillon pagesa e TVSH-së nga 10 mijë biznese të vogla

Foto ilustruese

Deri më 10 korrik rreth 10 mijë biznes, që kanë hyrë në skemën e TVSH-së, pas uljes së pragut të xhiros vjetore, nga 5 milionë, në 2 milionë lekë, duhet të deklarojnë dhe paguajnë për herë të parë tatimin mbi vlerën e shtuar. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se se data 10 korrik 2018 është afati i deklarimit të librave të shitjes dhe blerjes për tatimpaguesit me qarkullim 2-5 milionë lekë, të përfshirë në skemën e TVSH-së që prej datës 1 prill.

Ulja e kufirit të TVSH-së për xhiro vjetore nga 5 në 2 milionë lekë u miratua në fund të vitit të kaluar dhe hyri në fuqi nga 1 prilli. Ajo synon nxitjen e mbajtjes së faturave dhe uljen e evazionit tek biznesi i madh. Por u shoqërua me debate të shumta politike, si dhe një grevë të shkurtër nga ana e disa bizneseve në disa qytete të vendit, pasi opinioni kundër pretendonte se fjala ishte për një barrë shtesë fiskale. Madje, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër, pasi sipas tij, ajo nuk do sillte ulte të informalitetit, por do ta nxiste më tej atë. Tatimet nuk kanë personelin e mjaftueshëm për të kontrolluar gjithë bizneset e vogla, sipas Fondit.

Dokumentat
Tani, tatimpaguesit e vegjël duhet të mbajnë në konsideratë se të dhënat e blerjeve dhe shitjeve regjistrohen në librat e shitjes dhe blerjes në baza mujore. Dorëzimi i librave kryhet në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-Filing, nëpërmjet llogarisë së deklarimit elektronik që ka vetë subjekti, në rubrikën “Librat e Shitjes dhe Blerjes”. Brenda datës 10 korrik duhet të deklarohen librat e shitjes dhe blerjes për periudhat tatimore Prill, Maj dhe Qershor.

Në Librin e Shitjes, tatimpaguesi, duhet të regjistrojë në mënyrë kronologjike çdo faturë tatimore shitjeje të lëshuar prej tij, si dhe përmbledhjen e qarkullimit ditor të memorizuar të pajisjes fiskale në një shifër të vetme mujore. Po kështu, në Librin e Blerjes, tatimpaguesi regjistron çdo faturë blerje malli me dhe pa TVSH, sipas kolonave përkatëse.
Totalet e të dhënave, të regjistruara në librat e shitjes dhe blerjes, plotësohen në rubrikat përkatëse të Deklaratës mujore të TVSH-së, e cila është e thjeshtuar. Ajo dorëzohet po në mënyrë elektronike, nëpërmjet sistemit e-Filing. Deklaratat e muajve Prill, Maj dhe Qershor duhet të dorëzohen brenda datës 16 korrik 2018.

Subjektet
Tatimet kanë deklaruar se janë rreth 10 mijë biznese, të cilat janë regjistruar automatikisht në sistemin e TVSH-së, pasi, përgjatë vitit 2017, kishin deklaruar midis 2 dhe 5 milionë lekë xhiro. Gjithsesi, rreth 60 mijë subjekte mbeten ende jashtë TVSH-së, por ato mund të futen automatikisht nëse kalojnë kufirin minimal prej 2 milionë lekë të ardhura në vit, apo rreth 5 mijë lekë në ditë.

Tatim fitimi
Ndërkohë, qeveria, e vendosur të zbatojë këtë ndryshim, ka bërë një hap tjetër për të lehtësuar barrën fiskale për biznesin e vogël, duke ulur tri herë normën e tatim fitimit për subjektet që realizojnë deri në 14 milionë lekë xhiro në vit. Për bizneset me të ardhura deri në 14 milionë lekë në vit norma e tatimit mbi fitimin do të jetë sa 5% e fitimit para tatimit, ndërsa për bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit mbi fitimin të mbetet 15% e fitimit para tatimit.

Nga 1 prilli 2018 pragu i regjistrimit për TVSH-në pësoi ulje, me synim formalizimin e të gjithë zinxhirit të transaksionit të mallrave, por edhe të shërbimeve, si dhe përfshirjen e subjekteve rishitëse në regjimin e TVSH-së. Por bizneset e vogla duket se ngurojnë për të deklaruar xhiron reale, pasi, nëse kjo xhiro është 7.9 milionë në vit,  biznesi paguan 5% tatim mbi fitimin neto të tij dhe nëse xhiroja e tij do të rritet në 8.1 milionë, ai paguan, jo 5%, por tri herë më shumë: 15% tatim mbi fitimin.

Për të shmangur këtë problem, synohet ndryshimi i pragut dhe ngarkesës fiskale të tatimit mbi fitimin për biznesin e vogël, duke synuar që pragu 8 milionë lekë të rritet në një kufi të arsyeshëm 14 milionë lekë në vit. Ky propozim synon të lehtësojë ngarkesën fiskale për një numër të konsiderueshëm tatimpaguesish, afërsisht 10.800, që aktualisht bëjnë pjesë në kategorinë me të ardhura mbi 8 milionë (biznesi i mesëm) dhe i nënshtrohen shkallës së tatim- fitimit 15%.

Rritja e pragut ka një efekt negativ 420 milionë lekë në grupin e tatimpaguesve që aktualisht tatohen me shkallë tatimi mbi fitimin 15%. Ndërkohë, ky ndryshim mendohet se do të ketë efekt pozitiv si rezultat i rritjes së vetëdeklarimit nga tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin, të cilët do tatohen me shkallë tatimi 5% edhe për segmentin tatimpaguesve me një qarkullim vjetor prej 8-14 milionë lekësh. Efekti pozitiv i vlerësuar nga ky grup llogaritet në rreth +200 milionë lekë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja