TIRANE- Reforma që po ndodh në arsimin parauniversitar pritet të prekë disa fusha të rëndësishme  të tij, çka do të bëjë të mundur kthimin e shkollës në një qëndër komunitare ku në vëmendje të jetë nxënësi. Por, si do të vijnë këto ndryshime? Zv/ministrja e Arsimit Nora Malaj, në një intervistë për “Shqiptarja.com”  shpjegon se si do të kryhet kjo reformë. Sipas saj, aktualisht Ministria e Arsimit është fokusuar në disa ndryshime të maturës shtetërore, duke shtuar provimin e gjuhës së huaj, po edhe vendosur rregulla më të forta për maturantët. Kurse vitin e ardhshëm ky proces do të ndryshojë, duke e bërë maturën një proces dalës nga arsimi parauniversitar, por jo hyrës në universitet. Po kështu një pjesë tjetër e ndryshimeve do të jetë edhe kurrikula mësimore, por edhe unifikimi i teksteve shqiptare me ato të Kosovës por edhe rajonit.
 
Aktualusht MAS është duke kryer një reformë në sistemin parauniversitar, çfarë ka për qëllim kjo reformë?
Sigurisht që në momentin që qeveria Rama erdhi në pushtet, qartësisht e bëri me dije se do të ketë një reformë në sistemin e arsimit. Kjo pasi dihet që arsimi nuk është vetëm aset i një qeverie, por është një aset mbarëkombëtar, dhe në asetin mbarkombëtar një arsim i standartizuar është një e mirë mirë kombëtare.

Duke u nisur nga ky fakt, natyrisht që edhe reforma që po kryen Ministria e Arsimit duke përcaktuar saktësisht edhe prioritet, janë shumë të qarta. Ka filluar me një qasje dhe me një përcaktim të saktë se çfarë ndodh me sistemin tonë arsimor. U fillua modeli i parë në sistemin parauniversitar me konkurrime në drejtoritë rajonale, i cili vazhdoi më pas edhe po përshkallëzohet në të gjithë sistemin piramidal në rekrutimin e mësuesve dhe shumë shpejt do të kemi konkurse të tjera për ata arsimtarë që janë në fazë prove, apo në vende ku do të rekrutohen mësuesit e rinj.

Po bëhet një reformë e thellë në sistemin e asaj që quhet kurrikula mësimore. Tashmë në vitin 2014-2015 do të kemi një paketë të re të kurrikulës mësimore dhe po shikohet edhe përafrimi me modelin e Kosovës, si një nevojë e domosdoshme e politikës së rajonit dhe Ballkanit për të bërë një përqasje kurrikulare e cila do të na çojë edhe në nevojat të aktiviteteve të përbashkëta në drejtim të sektorit të arsimit. Po realizohet nevoja që kjo qasje e re kurrikulare të kalojë në një model të ri të teksteve dhe programeve, duke hyrë në një fazë tjetër të konkurrimit. Por duke parë disa nga lëndët kryesore siç është historia apo lëndë albanologjike të cilat janë lëndë mbarëkombëtare, ku interesi i fondit është përtej intersit të tekstshkrimit të një individi për të përzgjedhur dhe grupime të veçanta të cilat do të marrin përgjgjësinë për realizimin e këtyre produkteve. Më pas do të shohim të gjithë mekanizmat që baza ligjore të jetë e zbatueshme dhe e monitorueshme.
 
Tashmë ka filluar procesi i maturës shtetërore, si po zhvillohet ai?
Aktualisht jemi në fazën e proceseve që po ndodhin në sistemin arsimor dhe një nga proceset ku përfundon një cikël për të vazhduar një cikël tjetër është Matura Shtetërore. Sigurisht janë thënë shumë gjera, madje ndonjëherë duket sikur ka edhe tendencë për debate dhe diskutime, ndërkohë që ka dalë një udhëzim dhe një rregullore e përcaktuar nga ministrja Nikolla, ku thuhen qartësisht fazat që do të ndiqen.

Ka dalë edhe një program pune, një platformë e pacaktuar në të gjitha fazat e monitorimit të procesit. Sigurisht, ne e dinim me kohë që futja e 5 provimeve ishte një detyrim ligjor, por jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë vendet është i njëti model. Madje po të shikohet në çdo vend të botës, Matura Shtetërore merr një ngarkesë emocionale dhe unë personalisht si një person që vij nga fusha e arsimit e ndiej ngarkesën edhe të mësuesve dhe të prindërve edhe të nxënësve, por ky është një emërues i përbashkët që në fund të fundt të gjithë të dalin me rezultate të mira dhe të pritshme.
 
Këtë vit kemi pasur disa ndryshime në maturë, çfarë janë ato konkretisht dhe ky synojnë?
Ndryshimi i parë që u bë sivjet ishte se u përcaktua niveli i ndarjes së dijes, ajo 20 % që dikur nuk është deklaruar dhe sivjet është deklaruar dhe kjo përbën hapin e parë për të monitoruar gjithë fazën e procesit. Aktualisht, kemi mbaruar regjistrimet, të cilat u zhvilluan pas anjë lloj problemi dhe asnjë lloj negacioni, ndërkohë po menaxhojmë situatën e mjediseve ku do të realizohet provimi, ku është marrë parasysh kapaciteti, jo më pak se 50 nxënës në një klasë. Jemi në fazën që po bashkëpunojmë me universitetet publike dhe jopublike, të cilat na kanë ofruar mjediset e tyre për të parë se si do të realizohet procesi, në mënyrë që të kemi një ambient të mirëmenaxhuar dhe të kontrolluar në mënyrë që të mos kemi ndarje të pjesës së arsimit parauniversitar, publik dhe privat në mënyrë që të krijojmë integrim të tyre.

Ndërkohë kemi krijuar edhe listën paraprake të mësuesve adiministratorë të cilët nuk do të jenë nga i njëjti qytet, por nga qytete të ndryshme nga ku do të mund të monitorojnë procesin e provimeve. Njëkohësisht nga ana tjetër ne me anë të dekoderave ne do të bëjmë të mundur vendosjen e masës së sigurisë për të mospasur problematika abuzive, ndërkohë që rregullorja e përcakton që nuk do të ketë mjete të komunikimit, dhe kjo ndalohet rreptësisht. Në rastet se këto konstatohen nxënësi apo administratori të dyja palët ndëshkohen, njërit i merret masë deri në pezullim nga puna, kurse tjetri pezullohet nga provimi. Nga ana tjetër, mendohet që nëse do të kemi menaxhim të keq, unë do të dëshiroja që kjo të mos ndodhte, ne do të kemi të monitoruar çdo pikë të qendrave ku do të realizohet provimi në mënyrë që në fund me rezultatin e pritshëm bëhet shumë i qartë verifikimi nëse këtë masë është përdorur elementi kopje, apo nuk është përdorur.

Kjo është e verifikueshme pasi dihet dija që ka nxënsi, klasa ku ata do të jenë të mbledhur dhe dijet edhe rezultati, pra nëse flasim që një nxënës i dobët merr një vlerësim maksimal, atëherë ajo është një situatë absurde dhe në këtë mënyrë do të kemi ballafaqim të situatës. Tashme të gjithë janë të njohur me procedurat dhe nuk ka më probleme për ekuivoke, apo për situata që nuk i njeh njeri, falë edhe vlerësimit që ka edhe media për të realizuar këtë procedurë si pritshmëri shumë të madhe.

Kjo është maturë kalimtare për të realizuar pritshmëritë për vitin tjetër, të cilat do të jenë si rezultat i reformës që do të bëhet në sistemin parauniversitar dhe në atë universitar. Kjo reformë do të përcaktojë që matura të jetë siç bëhet në Itali, maturë dalëse dhe jo hyrëse.  Kjo do të thotë se edhe në Itali jepen 5 provime të orientuara drejt universiteteve që shkojnë, dhe më pas universiteti vendos një cilësi apo standard, që është vendosja e një pragu për të pranuar, apo një provim për të pasur përzgjedhjen e tyre në bazë të standardit që ata kanë në mënyrë që me të vërtetë ne universitetit ti çojmë studentë cilësorë.
 
Sot në sistemin universitar po bëhet një akreditim, a do të ketë kontroll dhe rregulla më të qarta për sistemin parauniversitar kryesisht në atë privat?
Asolutisht që do të ketë një vlerësim si për sistemin parauniversitar ashtu edhe për atë universitar. Shumë shpejt do të fillojë edhe në shkolla akreditimi, i cili do të jetë mbi bazën e vlerësimit të kompetencave dhe performanës që do të bëjë çdo shkollë. Qasja e performancës e çdo shkolle do të përcaktohet mbi bazën e një dokumenti që shumë shpejt do të dalë. Aty do të përcaktohet roli i shkollës, mënyra se si ajo e realizon mësimin, dhe nuk duhet të harrojmë që arsimi parauniversitar përbën gati 80 të arsimit në tëresi, pra është arsimi më i rëndësishëm dhe bazë në të gjithë sektorin.

Ky është një arsim kombëtar, dhe shumë i rëndësishëm, pasi aty mëson fëmijët kur janë fëmijë dhe adoleshentët për përzgjedhet e tyre, pra janë disa momente shumë të rëndësishme në jetën e individit sepse luan rol në vendimmarrjen e tij. Dhe njëkohësisht është mjedisi ku edukohet individi me dijen dhe me mosdijen. Ndaj mendoj që në këtë fazë, pasi të përfundojë procedura e maturës, ne shumë shpejt do të bëjmë vlerësimin në mënyrë që në shtator të kemi përgatitur një paketë të plotë për të krijuar një hartëzim sipas pikave të forta dhe të dobëta të çdo gjimnazi dhe shkolle 9 vjeçare.

Kjo do të bëhet në mënyrë që atje ku është më mirë ta realizojë maksimalisht procesin, aty ku ka probleme të rregullojmë problemin dhe ta çojmë në nivelin e mirë, dhe aty ku është keq ose do të mbyllim aktivitetin ose do ti japim shansin që të kalojmë në patronazh dhe ta standartizojmë. Ne si politikbërje kemi një qëllim, të mos kemi diskriminim, por të kemi një standard të matshëm të monitorueshëm, të zbatueshëm për të gjithë Republikën e Shqipërisë. Shkolla duhet të jetë vendi i dijes ku duhet të eksplorohet, ku debatohet, ku mësohet si dialogohet, ku bëhet zhvillim i tij, psikik, emocional dhe mendor.

Të gjitha këto realizohen me mirëdashësinë e gjithë popullatës, me partneritetin e prindërve dhe me futjen e prindrit, e treta me futjen e biznesit si partneritet, çka është një hallkë shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme sidomos në arsimin profesional. E fundit po jo më pak e rëndësishme  është dhënia e shansit të çdo individi, ku të mos ketë dallime moshore, rracore, gjinore dhe fetare në institucionin e arsimit. 

Shkrimi u publikua sot (16.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com