TIRANE- Ndryshime thelbësore pritet të ndodhin në universitete me miratimin e reformës në Arsimin e Lartë të hartuar nga ekspertët. Zv.ministri i Arsimit Arbian Mazniku në një intervistë për televizionin “A1 Report” tregon se me miratimin e ligjit të ri, universiteteve do t’u ndahen fondet në bazë të performancës. Ndërsa do t’i jepet fund dhe 2-3 punësimit të pedagogëve. Të paktën për ata që janë me kontrata pune në universitetet shtetërore.
 
“Synimi në thelb i reformës është që ne të kemi mundësi, jo vetëm të zgjerojmë financimin publik për Arsimin e Lartë, por edhe t’i japin mundësi sistemit të Arsimit të Lartë të përfitojë më shumë të ardhura nga burime alternative që janë nga pagesa e studentëve, të përfitojë më shumë të ardhura nga projektet kombëtare të kërkimit shkencor, të përfitojë më shumë të ardhura nga ofrimi i shërbimeve në tregun e vendit”, tha Mazniku.
 
Kjo reformë është kundërshtuar fort nga rrethet akademike, me pretendimin se u cenohet autonomia. Por zyrtari i Ministrisë pretendon të kundërtën.
 
“Secili nga universitetet publike do të ketë disa indikatorë të performancës së tij, dhe në bazë të rezultateve të performancës atyre do t'u alokohen fonde nga financimi publik për Arsimin e Lartë”, tha Mazniku.
 
Ligji për Arsimin e Lartë do të kalojë në seancën parlamentare në shtator, ndërsa reforma do të aplikohet në sezonin akademik 2015-2016.
 
Nga momenti i parë që është prezantuar raporti për reformën në Arsimin e Lartë deri në prezantimin përfundimtar të raportit ka pasur debate të shumta. Nga ndryshon skema e re në Arsimin e Lartë nga kjo aktuale dhe si do të funksionojë?
Sistemi në Arsimin e Lartë në Shqipëri prej shumë kohesh kishte nevojë për një shikim rrënjësor të tij. Dhe kjo reformë bën pikërisht këtë ndryshim rrënjësor, strukturor të sistemit të arsimit të Lartë në vend, i cili fillon nga mënyra sesi sistemi do të financohet nga qeveria, nga mënyra sesi sistemi do të qeveriset dhe tek roli që ka qeveria përkarshi gjithë sistemit të Arsimit të Lartë, përkatësisht cilësisë. Ka një temë kryesore e cila mund të quhet si qëllimi tërësor i të gjithë reformës së Arsimit të Lartë, i cili është sigurimi i cilësisë së Arsimit të Lartë dhe krijimi i mekanizmave që Arsimi i Lartë në Shqipëri të jetë një arsim cilësor, por që edhe i ofrohet sa më shumë njerëzve që është e mundur. Në thelb së pari ndryshon skema e financimit, nga një sistem që financon inputet, pra pagat e mësuesve, pagat e pedagogëve, numrin e studentëve, kostot e mirëmbajtjes. Kthehemi në një sistem që financon Arsimin e Lartë në bazë të performancës, që do të thotë secili nga universitetet publike do të ketë disa indikator të performancës së tij, dhe në bazë të rezultateve të performancës atyre do t'u alokohen fonde nga financimi publik për Arsimin e Lartë. Universitetet do të kenë një autonomi të zgjeruar, më shumë seç e kanë deri më tani, si në menaxhimin e fondeve, por edhe në qeverisjen e brendshme të institucioneve. Ndryshohet edhe mënyra sesi institucionet qeverisen, duke pasur këtë autonomi të zgjeruar që do t’u jepet nga pikëvështrimi financiar dhe menaxherial të universiteteve, ka nevojë që brenda universiteteve publike shqiptare të krijohet përveç kolonës administrative, kolonës akademike, do të krijohet një kolonë e re administrative që të këtë mundësi të mbajë peshën e kësaj autonomie të zgjeruar. Ndryshohen edhe mekanizmat e kontrollit të cilësisë. Persa ne flasim për një skemë financimi që varet nga performanca, atëherë kemi nevojë të kemi një set institucionesh dhe mjetesh, me anë të cilave ne të kemi mundësi të vlerësojmë performancën e Arsimit të Lartë në mënyrë që të kemi mundësi të alokojmë fondet për arsimin.
 
Stafet akademike të Universitetit të Tiranës kanë deklaruar se universiteteve u cenohet autonomia dhe se reforma e re favorizon më tepër universitetet private, ku qëndron paqartësia e tyre?
Kjo është totalisht e gabuar, përkundrazi u jep një autonomi të zgjeruar. Në raportin përfundimtar ka një shtojcë e cila tregon sesi autonomia zgjerohet. Edhe në bazë të organizatës europiane të universiteteve ka një përkufizim të asaj se çdo të thotë autonomi universitare. Në kolonën e parë të raportit flitet për autonominë organizative, që ka të bëjë me zgjedhjen e drejtuesve, strukturën e brendshme akademike, krijimin e enteve ligjore. Kolona e dytë ka të bëjë me autonominë financiare, e cila ka të bëjë me mënyrën e ndarjes së fondeve publike, mundësinë për të marrë kredi bankare, pronësia mbi asetet dhe kontributet financiare të studentëve. Kolona e tretë ka të bëjë me autonominë e personelit ose me të drejtën e universiteteve për të shtuar personel. Dhe kolona e fundit ka të bëjë me autonominë akademike.
 
Meqenëse skema e financimit varet nga performanca e universiteteve, si do të kontrollohet performanca?
Kemi disa institucione ekzistence që marrin në rol të zgjeruar dhe do kemi disa të tjera që do të zgjerohen. Së pari Agjencia e Akreditimit do të shndërrohet me fokus më të gjerë, që do të quhet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit, e cila do të ketë si qëllim jo vetëm akreditimin e institucioneve, por do të këtë pjesë të punës së saj dhe vlerësimin e treguesve të performancës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mësimdhënien dhe me mënyrën sesi studentët e përfitojnë dijen në shkolla. Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor, Teknologjisë dhe Informacionit do të shndërrohet në një Agjenci për kërkimin shkencor, e cila do të këtë në fokus jo vetëm kërkimin shkencor në vend, por dhe vlerësimin e treguesve të performancës së kërkimit shkencor të universiteteve.
 
Kjo mënyre e re financimi, a do të mjaftojë për pagat e pedagogëve?
Synimi në thelb i reformës është që ne të kemi mundësi, jo vetëm të zgjerojmë financimin publik për Arsimin e Lartë, por edhe t’i japin mundësi sistemit të Arsimit të Lartë të përfitojë më shumë të ardhura nga burime alternative që janë nga pagesa e studentëve, të përfitojë më shumë të ardhura nga projektet kombëtare të kërkimit shkencor, të përfitojë më shumë të ardhura nga ofrimi i shërbimeve në tregun e vendit. Dhe në thelb synimi është që sistemi i arsimit publik të lartë të këtë më shumë para në dispozicion, në mënyrë që këto para t'i përdori për të paguar më mirë profesorët, për të përmirësuar infrastrukturën e sistemit të arsimit dhe kushtet në të cilat ofrohet shërbimi.
 
Bazuar në reformën e re, çfarë do të ndodhë me dypunësimin e pedagogëve?
Propozimi nga ana e komisionit është që nuk do të lejohet dypunësimi i stafit akademik më kohë të plotë. Ai staf akademi i cili është me kohë të plotë në një universitet nuk mund të jetë me kohë të plotë apo të pjesshme në një universitet tjetër.
 
Kur do të vihet në jetë reforma për Arsimin e Lartë?
Viti akademik 2014-2015 do të jetë një vit tranzicion për Arsimin. Në do të kalojmë ligjin në seancën parlamentare në shtator, dhe më pas ligji do të fillojë të aplikohet në sezonin akademik 2015-2016.
 
Çfarë pritet të ndodhë me arsimin pas zbatimit të reformës së Arsimit të Lartë?
Brenda 7-8 viteve apo 10 viteve Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian. Atë ditë në do të kemi mundësi të shohim sistemin e arsimit tonë të bashkëmatshëm më atë të sistemit të Bashkimit Europian. dhe njerëzit që do dalin nga sistemi ynë arsimor 10 vjet nga sot do të jenë të gatshëm të konkurrojnë me qytetarët e tjerë të Bashkimit Europian në të gjitha fushat, në Ekonomi, Mjekësi, Inxhinieri, dhe të jetë një vend krenar që të zë një hapësirë europiane.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)